Telegrafi
Një ditë pas procesit zgjedhor që u mbajt në vend, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ka falënderuar të gjithë qytetarët që e mbështetën gjatë 10 ditëve të fushatës zgjedhore. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti shprehu mirënjohjen për qytetarët që morën pjesë në aktivitetet dhe takimet e organizuara gjatë fushatës, duke theksuar angazhimin e tyre në të gjithë vendin. “Për dhjetë ditë të fushatës kemi mbajtur mijëra aktivitete, tubime e takime cep më cep të Republikës sonë. Dua t’i falënderoj të gjithë qytetarët që na pritën krahëhapur dhe pa asnjë hezitim e me të cilët ndamë përvojat dhe nevojat që kanë për të ecur edhe më shumë përpara. Ndonëse numërimi i votave ende nuk është përfunduar, unë falënderoj secilin votues, në Kosovë e mërgatë, që përmes zgjedhjeve demokratike, doli për të votuar dhe shprehu vullnetin e tij përmes votës. Vazhdojmë të punojmë, krejt për shtet, sepse pa dyshim kemi shtet për krejt”, ka shkruar Kurti. /Telegrafi/
Go to News Site