Telegrafi
Kryetari i Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare flet për organizimin ekonomik të diasporës, mësimet nga vendet nordike, konferencat ndërkombëtare, bashkëpunimet konkrete dhe nevojën që prodhuesit shqiptarë të rrisin cilësinë për të hyrë fuqishëm në tregjet botërore Intervistoi: Blerina Ademi Diaspora shqiptare prej dekadash ka qenë një nga shtyllat më të rëndësishme të mbështetjes ekonomike, shoqërore dhe kombëtare për Kosovën, Shqipërinë dhe trevat shqiptare. Por, përtej remitencave dhe lidhjes emocionale me vendlindjen, gjithnjë e më shumë po flitet për një rol tjetër të saj: fuqinë për të krijuar rrjete biznesi, për të hapur tregje të reja, për të sjellë investime dhe për të ndërtuar ura të qëndrueshme ekonomike mes prodhuesve shqiptarë dhe botës. Në këtë intervistë, Omer Nura, Kryetar i Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare, rrëfen rrugëtimin nga nismat e para të bashkëpunimit mes afaristëve shqiptarë në Finlandë deri te përpjekja për një organizim global të bizneseve shqiptare. Ai flet për besimin si kapitalin më të madh të diasporës, për rolin e konferencave ekonomike, për shembuj konkretë të eksportit dhe për nevojën që bashkëpunimi të kalojë nga simbolika në rezultate të prekshme. Nura thekson se potenciali i mërgatës afariste është shumë i madh, por kërkon organizim, përkushtim, stabilitet institucional dhe cilësi më të lartë të prodhimeve shqiptare. Sipas tij, çdo afarist në diasporë mund të jetë ambasador ekonomik i vendit të origjinës, nëse arrin të hapë një derë për prodhuesit shqiptarë në tregjet ku jeton dhe vepron. Nga ideja familjare te organizimi global Z. Nura, rrugëtimi juaj në organizimin e bizneseve shqiptare ka nisur në vendet nordike dhe më pas është shndërruar në një platformë me shtrirje globale. Si e kujtoni atë fillim dhe çfarë ju bindi se diaspora shqiptare kishte nevojë për një organizim të mirëfilltë ekonomik? Faleminderit për intervistën dhe përkrahjen tuaj për Rrjetin Global të Bizneseve Shqiptare. Rrjeti e ka fillesën nga Ministria e Diasporës, me përkrahje të UNDP-së dhe financim nga Ambasada Finlandeze. Për mua, pjesëmarrja në Kuvendin e parë të mbajtur në Prishtinë, në maj të vitit 2014, ishte një mundësi e artë për të filluar të kontribuoja për bizneset shqiptare kudo që ndodhen. Si familje, ne e kishim pasur një ide të tillë që në vitin 2011. Atëherë, në restorantin tonë në Finlandë, kishim ftuar rreth 30 biznese shqiptare, me qëllim që të fillonim një formë bashkëpunimi. Por, si organizim global, vlera është shumë më e madhe sesa vetëm një komunitet i një shteti si Finlanda, ku atëherë jetonin rreth 10 mijë shqiptarë, ndërsa sot janë mbi 20 mijë. Nga një nismë fillestare mes afaristëve shqiptarë në diasporë, sot flasim për një platformë që synon lidhjen e bizneseve shqiptare në shumë vende të botës. Cili ka qenë ndryshimi më i madh nga ideja e parë deri te struktura që udhëhiqni sot? Ne, si diasporë, jemi shumë të pranishëm jashtë vendit. Prandaj, ideja e bashkëpunimit ka ardhur natyrshëm. Ka ardhur koha që kjo prani të organizohet më mirë dhe të marrë formë më të qartë ekonomike. Ndryshimi më i madh është se nga një ide për t’i afruar afaristët mes vete, sot kemi një platformë që synon të krijojë ura të qëndrueshme mes bizneseve, prodhuesve dhe investitorëve shqiptarë në vende të ndryshme. Tashmë nuk bëhet fjalë vetëm për njohje personale apo takime simbolike, por për mundësi që mund të shndërrohen në projekte, marrëveshje dhe qasje më të lehtë në tregje ndërkombëtare. Përtej funksionit zyrtar, kush është Omer Nura si sipërmarrës dhe si njeri i diasporës? Cili ka qenë momenti më i vështirë në këtë rrugëtim dhe çfarë ju ka mbajtur të vendosur për të vazhduar? Unë jam larguar nga Kosova si 9-vjeçar, fillimisht në Kroaci, ndërsa gjatë luftës në Kroaci jam larguar për në Finlandë. Vështirësia ime më e madhe ka qenë pyetja ndaj vetes: pse shqiptarët nuk bashkohen, kur jemi kaq shumë dhe kemi shumë për të dhënë? Kur e sheh gjithë atë potencial dhe askush nuk bën mjaftueshëm për ta bashkuar, e kupton se sa shumë mund të ndikojë kjo forcë. Së pari, mund të ndikojë në ekonominë e bizneseve shqiptare në shtetet ku ato veprojnë, por edhe në investimet e përbashkëta në vendet tona të origjinës. Gjenerata që luftoi për çlirimin e vendit u detyrua t’u dalë përballë plumbave, ndërsa ne sot kemi luftë vetëm për ekonomi, për të mirën e popullit dhe vendit tonë. Prandaj, mesazhi im është i thjeshtë: ne duhet ta kemi vetëm vullnetin. Besimi, përvoja nordike dhe fuqia e bashkëpunimit Në botën e biznesit thuhet shpesh se besimi është kapitali më i vlefshëm. Në rastin e diasporës shqiptare, ku njerëzit jetojnë në shtete, sisteme dhe kultura të ndryshme, si ndërtohet ky besim dhe si ruhet ai kur organizimi zgjerohet gjithnjë e më shumë? Edhe pse jetojmë në vende të ndryshme, ne përsëri mbetemi shqiptarë. Gjuha dhe prejardhja na bashkojnë. Në biznes kemi parë mundësi të jashtëzakonshme bashkëpunimi nga një shtet në tjetrin. Po ashtu, diaspora mund të jetë dera e parë për prodhuesit shqiptarë nga vendet tona, duke ua hapur rrugën drejt tregjeve ku ne veprojmë. Përvoja juaj në Finlandë, Suedi dhe Norvegji konsiderohet si një nga themelet e zgjerimit të mëvonshëm. Cilat janë mësimet më të rëndësishme nga vendet nordike që sot i shihni si model edhe për organizimin global të bizneseve shqiptare? Vendet nordike vlerësohen për qetësinë, seriozitetin dhe besueshmërinë. Unë kam marrë edukim në sistemin nordik dhe mendoj se sinqeriteti vlerësohet shumë edhe nga anëtarët e Rrjetit Global. Anëtarët janë të gatshëm të na përkrahin dhe ne jemi për një mision të përbashkët. Megjithatë, nuk do ta quaja vetëm përvojën nordike si themel të Rrjetit. Kemi edhe shembuj të tjerë shumë të mirë, siç është Rrjeti i Austrisë, i cili ka funksionuar ndër më mirët. Austria ka qenë dhe mbetet shembull i mirë i bashkëpunimit. Aty kemi parë raste konkrete se si prodhues nga Kosova kanë hyrë në tregun austriak dhe më pas janë zgjeruar deri në vendet nordike. Një shembull është Proton Cable nga Prizreni, kompani që sot një pjesë të madhe të aktivitetit e ka të orientuar drejt eksportit. Drejtimi i Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare është përgjegjësi e madhe, sepse lidhet me kapitalin, besimin dhe potencialin e diasporës. Çfarë përfaqëson për ju kjo detyrë dhe cilat ishin objektivat e para që i vendosët vetes? Që nga fillimi, qëllimi ka qenë që të krijohen rrjete në çdo shtet ku ka shqiptarë. Për mua, si kryetar, ka qenë dhe mbetet detyrë që t’u hapim dyert të gjitha vendeve ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët, në mënyrë që edhe atje të krijohen struktura të organizuara. Besimi fitohet me punë dhe përkushtim. Vetë fakti që nuk jam dorëzuar që nga fillimi i krijimit të Rrjetit, duke parë potencialin dhe kapitalin e bizneseve shqiptare në botë, ka bërë që të fitohet respekt për punën që bëjmë. Nga konferencat te marrëveshjet konkrete Konferencat ekonomike në vende të ndryshme të botës janë bërë pjesë e rëndësishme e punës suaj. Si po e shndërroni energjinë e këtyre takimeve në marrëveshje konkrete, investime të qëndrueshme dhe bashkëpunime afatgjata mes bizneseve shqiptare? Konferencat ekonomike kanë për qëllim promovimin e bizneseve vendore dhe lidhjen e tyre me ato ndërkombëtare. Shembulli i Proton Cable është ndër rastet më të mira se si një prodhues nga Kosova mund të gjejë treg evropian përmes konferencave ekonomike të organizuara nga Rrjeti. Po ashtu, sektorë si përpunimi i drurit, kuzhinat dhe prodhime të tjera janë promovuar në shumë shtete dhe kanë eksporte të shumta. Sot këta sektorë kanë rëndësi të madhe për eksportin nga Kosova drejt tregjeve të huaja. Shpesh organizimet e diasporës rrezikojnë të mbeten në nivel ceremonish, fotografish dhe fjalimesh. Si e shmangni këtë rrezik dhe me çfarë treguesish i matni rezultatet reale të punës suaj? Aty ku ka biznese, ka ide, ndërsa nga idetë lindin bashkëpunimet. Ne kemi dëshmuar se nga konferencat ekonomike të organizuara nga Rrjeti kanë dalë bashkëpunime konkrete dhe të suksesshme. Përpunimi i drurit, dyert, dritaret dhe sektori i IT-së janë shembuj të rëndësishëm që sot po e shtyjnë përpara ekonominë e Kosovës dhe Shqipërisë. Z. Nura, shpesh në publik krijohet përshtypja se rrjetet e biznesit mund të kthehen në rrethe të mbyllura. Çfarë u thoni atyre që janë skeptikë dhe si garantoni transparencë, përfshirje dhe vendimmarrje në shërbim të interesit të përgjithshëm të bizneseve shqiptare? Rrjeti i ka dyert e hapura për të gjithë ata që synojnë tregun botëror. Unë jam edukuar në sistemin shkollor finlandez, ku punët kryhen në ekip dhe në grup. Prandaj, rrjetet, odat ekonomike dhe shoqatat e tjera janë të mirëseardhura të kontribuojnë për një bashkëpunim sa më të mirë, në dobi të popullit tonë dhe të bizneseve shqiptare kudo që janë. Australia, Stambolli dhe shembujt që tregojnë potencialin Në gjithë këtë rrugëtim me afaristë shqiptarë në vende të ndryshme të botës, cili takim, rrëfim apo moment njerëzor ju ka mbetur më gjatë në kujtesë dhe ju ka bërë ta ndieni më fort kuptimin e kësaj pune? Kam shumë kujtime nga organizimet e Rrjetit, por vlen të përmendet konferenca ekonomike në Australi, në mars të vitit 2026. Në qytetin Shepparton, gjatë “Hardh Fest”, ishin mbi 10 mijë shqiptarë dhe qindra biznese shqiptare. Aty u prita nga kryetari i komunës, Shane Sali, i cili është shqiptar, dhe u dakorduam që vitin e ardhshëm të promovojmë bashkëpunime mes prodhuesve të Rrjetit dhe bizneseve nga Shqipëria e Kosova. Po ashtu, vlen të përmendet edhe konferenca ekonomike në Stamboll, ku morën pjesë mbi 450 biznese. Shumica e prodhuesve nga Turqia ishin pasardhës të shqiptarëve që kishin emigruar nga vendi i origjinës para rreth 100 vjetësh. Shumë prej tyre nuk flisnin më shqip, por përsëri ndiheshin shqiptarë. Në disa prej konferencave më të rëndësishme janë mbledhur qindra biznese shqiptare, janë zhvilluar takime B2B dhe janë krijuar lidhje me oda ekonomike, institucione dhe partnerë ndërkombëtarë. A mund të thuhet se tashmë po kalohet nga faza e lidhjeve simbolike në fazën e marrëveshjeve dhe rezultateve të prekshme, dhe a mund të përmendni një rast konkret që e dëshmon këtë? Bashkëpunimet janë të shumta, sidomos mes prodhuesve nga vendet tona dhe tregjeve evropiane. Këto janë bashkëpunime konkrete në sektorë si përpunimi i drurit, konstruksionet metalike, ushqimi dhe IT-ja. Një shembull është hoteli “Magical Pond” në veri të Finlandës, ku janë vendosur dritare të prodhuara nga një prodhues shqiptar për hotelin “Igloo Ruka”. Është krenari ta shohësh në kornizat e dritareve mbishkrimin “Made in Kosova”. Një nga misionet kryesore të kësaj platforme është krijimi i një klime më të qëndrueshme për investime në trevat shqiptare. Çfarë u mungon sot viseve shqiptare për ta kthyer potencialin e diasporës në investim real, dhe si ndërmjetësoni për t’i kapërcyer pengesat burokratike, administrative apo ligjore që shpesh i dekurajojnë bizneset e diasporës? Ne duhet të kemi politika më përkrahëse për prodhuesit dhe investitorët. Nevojitet stabilitet politik, infrastrukturë e mirë dhe kushte më të favorshme për biznes. Një nga faktorët më të rëndësishëm është edhe stabiliteti dhe çmimi i energjisë elektrike, sepse kjo ndikon drejtpërdrejt në prodhim dhe në konkurrueshmëri. Diaspora ka kapital, përvojë dhe lidhje me tregjet ndërkombëtare, por investitori kërkon siguri, procedura të qarta dhe trajtim të barabartë. Nëse institucionet krijojnë një klimë më të parashikueshme dhe më pak burokratike, interesimi i afaristëve shqiptarë jashtë vendit mund të kthehet shumë më lehtë në investime reale. Roli ynë është t’i lidhim këto palë, të hapim komunikim dhe të ndihmojmë që pengesat të identifikohen e të trajtohen më shpejt. Anëtarësimi, roli i grave dhe mesazhi për gjeneratat e reja Për një biznesmen të ri shqiptar që ndodhet në Londër, Berlin apo Nju Jork dhe që dëshiron të bëhet pjesë e këtij organizimi, cilat janë hapat konkretë që duhet të ndërmarrë sot dhe çfarë përfiton ai nga dita e parë e anëtarësimit? Biznesmeni fillimisht duhet të anëtarësohet në rrjetin e shtetit ku jeton dhe vepron. Përmes atij rrjeti i hapet mundësia të njihet me afaristë të tjerë, të prezantojë aktivitetin e vet dhe të krijojë kontakte që mund të çojnë në bashkëpunime të reja. Nga dita e parë, ai bëhet pjesë e një komuniteti ku shkëmbehen përvoja, informacione dhe mundësi praktike. Përfitimi nuk është vetëm formal, por edhe konkret: pjesëmarrje në konferenca ekonomike, takime biznesi, njohje me partnerë të mundshëm dhe qasje më e lehtë në qarqe afariste ku tashmë veprojnë shqiptarët. Sa më aktiv të jetë anëtari, aq më shumë mundësi krijon për veten dhe për biznesin e tij. Gratë shqiptare në diasporë janë gjithnjë e më të pranishme në sipërmarrje, menaxhim dhe sektorë profesionalë. Sa hapësirë reale kanë ato brenda kësaj platforme dhe si mund të mbështeten që të lidhen mes vete, të rriten dhe të jenë më të dukshme në vendimmarrje? Gratë janë shumë të mirëseardhura në Rrjet dhe duhet të kenë më shumë guxim që të bëhen pjesë e tij. Pa gra të suksesshme, as Rrjeti nuk do të jetë në nivelin që duhet të jetë. Si kryetar, u bëj ftesë të gjitha sipërmarrëseve shqiptare që të marrin pjesë sa më shumë në konferencat ekonomike dhe të jenë më aktive në këtë organizim. Brenda diasporës kemi shumë gra të suksesshme, në biznes, menaxhim, financa, teknologji dhe profesione të tjera, por ato duhet të lidhen më shumë mes vete dhe të jenë më të dukshme. Rrjeti mund t’u krijojë hapësirë për prezantim, për shkëmbim përvojash dhe për bashkëpunime konkrete, në mënyrë që roli i tyre të mos mbetet vetëm pjesëmarrje, por të kthehet edhe në ndikim real në vendimmarrje dhe në zhvillimin e projekteve të përbashkëta. Për fund, Z. Nura, Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare tashmë është një realitet që nuk mund të anashkalohet. Si e përfytyroni ndikimin e tij në ekonominë shqiptare në të ardhmen dhe çfarë do të donit të ishte “vula” apo trashëgimia që ky mision do t’u linte gjeneratave të reja të afaristëve? Kur një ministër i ekonomisë së Turqisë e vlerëson Rrjetin Global Shqiptar mbi 100 miliardë euro, kjo tregon fuqinë që kemi, por njëkohësisht edhe përgjegjësinë që bartim. Ne duhet t’u mësojmë gjeneratave të reja që të besojnë tek njëri tjetri dhe të ndërtojnë bashkëpunim të sinqertë e afatgjatë. Secili afarist shqiptar në diasporë është një ambasador i vendit tonë. Secili prej tyre mund të hapë një derë për prodhuesit nga vendet tona. Mundësitë dhe kërkesat në mërgatën afariste janë aq të mëdha, saqë prodhuesit nga Kosova, edhe sikur të prodhonin vetëm për nevojat e diasporës, nuk do të mund ta mbulonin gjithë kërkesën. Mesazhi im për prodhuesit tanë është që të prodhojnë produkte sa më cilësore, sepse vetëm me cilësi mund ta lartësojmë emrin tonë si shqiptarë. /Telegrafi/
Go to News Site