Telegrafi
Për disa ishte “Zoti” i futbollit. Për të tjerë, një mashtrues dhe futbollisti më kontrovers që ka parë ndonjëherë loja më e bukur në botë. Gjithçka varet kë pyet. Për çdo argjentinas, Diego Armando Maradona është heroi më i madh i historisë së futbollit, ndërsa për shumë anglezë dhe një pjesë të botës, ai mbetet simboli i polemikave. Megjithatë, një gjë është e padiskutueshme: askush nuk e ka shënjuar historinë e Kupës së Botës si Maradona. Pele fitoi tre Botërorë, Zinedine Zidane e udhëhoqi Francën drejt lavdisë, Lionel Messi theu rekorde dhe Miroslav Klose u bë golashënuesi më i mirë në histori të turneut. Por asnjëri prej tyre nuk e bëri Kupën e Botës aq shumë pjesë të identitetit të vet sa Maradona. Ai ishte një figurë që dominonte titujt e mediave, parlamentet dhe bisedat në çdo cep të planetit. Dy fytyrat e Diego Maradonës Maradona jetoi mes dy botëve. Në fushë ishte një gjeni i papërsëritshëm, i aftë të vendoste një ndeshje me një lëvizje të vetme. Jashtë saj, ai jetonte mes polemikave, skandaleve dhe veseve që e shoqëruan gjatë gjithë jetës. Pikërisht përplasja e këtyre dy anëve të personalitetit të tij u pa për herë të parë në Kupën e Botës 1982 në Spanjë. Katër vjet më herët, Maradona ishte lënë jashtë skuadrës së Argjentinës që fitoi Botërorin e vitit 1978, pasi trajneri Cesar Luis Menotti e konsideroi ende shumë të ri. Edhe pse Argjentina fitoi trofeun, Diego e përjetoi atë si një zhgënjim të madh personal. Në Botërorin e vitit 1982 ai ishte tashmë ylli i ri i Barcelonës dhe lideri i Argjentinës. Por turneu përfundoi në mënyrë të hidhur. Pas humbjeve ndaj Italisë dhe Brazilit, ai u përjashtua me karton të kuq në ndeshjen kundër brazilianëve, pas një ndërhyrjeje të ashpër që simbolizoi frustrimin e tij. - YouTube www.youtube.com Meksika 1986 dhe ndeshja që hyri në histori Katër vjet më vonë erdhi momenti që do ta ngrinte Maradonën në pavdekësi. Në Meksikë, në moshën 25-vjeçare, ai ishte në kulmin e karrierës së tij. Argjentina arriti deri në çerekfinale, ku e priste Anglia në një nga ndeshjet më të famshme të të gjitha kohërave. Në minutën e 51-të, Maradona shënoi golin që më vonë do të njihej si “Dora e Zotit”. Ai e dërgoi topin në rrjetë me dorë, ndërsa gjyqtari nuk e vuri re shkeljen. Pas ndeshjes, Diego e përshkroi golin si të shënuar “pak me kokën e Maradonës dhe pak me dorën e Zotit”. Më vonë pranoi se e kishte bërë qëllimisht dhe se nuk ishte penduar kurrë. Vetëm katër minuta më vonë, ai tregoi anën tjetër të tij. Mori topin në gjysmën e fushës, kaloi gjashtë futbollistë anglezë dhe shënoi atë që shumë e konsiderojnë golin më të bukur në historinë e Kupës së Botës – “Golin e Shekullit”. Më pas shënoi dy herë kundër Belgjikës në gjysmëfinale dhe në finale, me një pasim magjik për Jorge Burruchagan, ndihmoi Argjentinën të mposhtte Gjermaninë Perëndimore 3-2. Si kapiten, ai ngriti trofeun e kampionit të botës. - YouTube www.youtube.com Finalja e humbur Në vitin 1990, Maradona u rikthye në Botëror si lojtar i Napolit dhe idhull i Italisë jugore. Megjithatë, rrugëtimi i Argjentinës drejt finales ishte shumë më i vështirë. Një nga ndeshjet më dramatike ishte çerekfinalja kundër Jugosllavisë në Firence. Përzgjedhësi Ivica Osim vendosi Refik Shabanaxhoviqin si “roje personale” të Maradonës, ndërsa ndeshja përfundoi me penallti. Argjentina avancoi dhe më pas eliminoi edhe Italinë në gjysmëfinale. Në finale, Gjermania Perëndimore u hakmor për humbjen e vitit 1986 dhe fitoi falë një penalltie të diskutueshme të realizuar nga Andreas Brehme. Maradona e mbylli turneun me lot në sy dhe me akuza ndaj arbitrimit. Fundi dramatik në SHBA Pas problemeve me drogën dhe një pezullimi të gjatë, Maradona u rikthye për Botërorin e vitit 1994 në Shtetet e Bashkuara. Për t’u përgatitur, ai iu nënshtrua një programi të ashpër stërvitor dhe humbi shumë kilogramë në një kohë të shkurtër. Ai nisi turneun në mënyrë spektakolare, duke shënuar kundër Greqisë dhe duke festuar me një ulërimë legjendare drejt kamerës televizive. Pamja e tij e pazakontë ngriti menjëherë dyshime. Pak ditë më vonë, FIFA njoftoi se Maradona kishte dështuar në testin antidoping dhe e përjashtoi nga turneu. Ishte fundi i karrierës së tij me Argjentinën. Ai e mbylli rrugëtimin ndërkombëtar me 91 ndeshje dhe 34 gola, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme dhe një histori që vazhdon të ndahet mes adhurimit dhe polemikave. Hero, rebel dhe legjendë Maradona nuk ishte futbollisti më i përsosur që ka ekzistuar. Por ai ishte ndoshta më njerëzori nga të gjithë gjigantët e futbollit. Ai gaboi, u rrëzua, u ngrit sërish dhe vazhdoi të mahniste botën. Prandaj, kur flitet për Kupën e Botës, emri i Diego Armando Maradonës mbetet i veçantë. Askush tjetër nuk ka lënë një gjurmë kaq të thellë, kaq të ndritur dhe njëkohësisht kaq kontraverse në skenën më të madhe të futbollit botëror. /Telegrafi/
Go to News Site