Telegrafi
Një përleshje e dhunshme mes tre shtetasve sirianë dhe tre kosovarëve në qytetin e Grazit të Austrisë ka përfunduar me dënime të rënda nga gjykata, pas një incidenti që tronditi opinionin publik. Ngjarja ndodhi në muajin shkurt në një pikë karburanti në lagjen Lend, ku gjashtë burrat u përfshinë në një konflikt fizik në mes të ditës, ndërsa në vendngjarje ndodheshin edhe familje me fëmijë dhe qytetarë të tjerë të pafajshëm, transmeton albinfo. Sipas raportimeve nga mediat austriake, shkaku i konfliktit dyshohet të ketë qenë një mosmarrëveshje që lidhej me një grua. Situata u përshkallëzua me përdorimin e grushteve, shkopinjve të bejsbollit dhe mjeteve të tjera të forta. Pamjet e kamerave të sigurisë, të paraqitura gjatë procesit gjyqësor, treguan se një nga të akuzuarit sirianë kishte hyrë me automjet në hapësirën e pikës së karburantit, duke detyruar një kosovar të largohej me shpejtësi për të shmangur goditjen. Njëri nga të dëmtuarit pësoi frakturë në zgavrën e syrit dhe, sipas avokatit të tij, ende rrezikon humbjen e shikimit. Prokuroria i akuzoi të gjashtë personat për pjesëmarrje në përleshje, ndërsa ndaj autorëve kryesorë u ngritën edhe akuza për detyrim dhe tentim të shkaktimit të lëndimeve të rënda trupore. Të gjithë të akuzuarit, të moshës nga 21 deri në 28 vjeç, kishin precedentë penalë. Gjykatësi Andreas Lenz dënoi ashpër sjelljen e të përfshirëve, duke theksuar se armë si boksi i hekurit apo shkopinjtë e bejsbollit nuk kanë vend në automjete për t’u përdorur kundër njerëzve. Sipas vendimit të gjykatës, tre kosovarët u dënuan me masa që variojnë nga diversionet deri në tetë muaj burgim efektiv. Ndërkohë, tre sirianët morën dënime më të rënda, nga dy vjet e gjysmë deri në gjashtë vjet burg. Rasti ka ngjallur reagime të shumta në Austri për shkak të nivelit të lartë të dhunës dhe rrezikut që iu kanos qytetarëve të pranishëm gjatë incidentit.
Go to News Site