Si kanë lëvizur çmimet e naftës në Maqedoni - nga pandemia deri te kriza energjetike e vitit 2022 dhe lufta në Lindjen e Mesme
Telegrafi

Si kanë lëvizur çmimet e naftës në Maqedoni - nga pandemia deri te kriza energjetike e vitit 2022 dhe lufta në Lindjen e Mesme

Çmimet e derivateve të naftës në Maqedonia e Veriut kanë kaluar në disa faza të theksuara të lëvizjes gjatë viteve të fundit, duke reflektuar zhvillimet globale, nga pandemia e COVID-19, te kriza energjetike e vitit 2022 dhe tensionet e fundit në Lindjen e Mesme. Zhvillimet e fundit që përfshijnë tensionet mes Iranit, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë rikthyer presionin mbi tregjet e energjisë dhe si pasojë çmimi i naftës është rritur ndjeshëm ditëve të fundit, ndërsa pritet të arrijnë edhe mbi 100 denarë për litër. Por si ka qenë çmimi i derivateve të naftës vitet e kaluara? Gjatë pandemisë COVID-19 , kërkesa globale për naftë u rrëzua, ndërsa në Maqedoninë e Veriut kjo u reflektua me çmime rekord të ulëta: Benzina 95 ishte rreth 48 denarë/litër (0.78 euro), (minimum historik), benzina 98 ishte rreth 50 denarë/litër (0.81 euro), ndërsa dizeli ra në 43 denarë/litër (0.70 euro), nivele dukshëm më të ulëta se mesatarja e viteve të tjera. Me rimëkëmbjen e ekonomisë globale dhe krizën energjetike, tregu pësoi një goditje të fortë. Në vitin 2022 u arritën kulmet historike të çmimit të derivateve të naftës. Gjatë qershorit 2022 u regjistruan çmimet më të larta. Benzina u shit për 111.5 denarë/litër (1.81 euro), ndërsa dizeli arriti në 110 denarë/litër (1.78 euro). Pas krizës së vitit 2022, çmimet filluan të bien gradualisht, por nuk u kthyen në nivelet para pandemisë. Kjo periudhë u karakterizua nga një stabilitet i brishtë, i varur nga tregjet ndërkombëtare. Ndërsa zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme kanë rikthyer presionin mbi çmimet. Sipas çmimeve të fundit të Komisionit Rregullator për Energjetikë, sot (23 mars) çmimet e karburanteve janë: benzina 95 shitet për 86.50 denarë/litër (1.40 euro), benzina 98 për 88.50 denarë/litër (1.44 euro), ndërsa dizeli shitet për 92.00 denarë/litër (1.49 euro). Nëse tensionet në Lindjen e Mesme përshkallëzohen, ekspertët paralajmërojnë valë të re të rritjes së çmimeve të derivateve të naftës.

Go to News Site