Telegrafi
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se Ngushtica e Hormuzit mund të rihapet së shpejti dhe sugjeroi mundësinë e kontrollit të përbashkët me udhëheqjen iraniane. Duke folur para se aeroplani presidencial të nisej nga Florida për në Memfis, Trump iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në lidhje me të ardhmen e rrugës kryesore të transportit detar. "Do të hapet shumë shpejt, nëse kjo funksionon", tha Trump kur u pyet për Ngushticën e Hormuzit. Ndërsa kur u pyet se kush do ta kontrollonte ngushticën dhe nëse Irani do të kishte ende ndikim mbi rrjedhën e naftës, Trump tha se kontrolli mund të ndahej. Aeroplanmbajtësja ‘USS Gerald R. Ford’, e përfshirë në operacionet luftarake ndaj Iranit, thuhet se është kthyer në Kretë "Do të kontrollohet bashkërisht”, deklaroi ai. "Ndoshta unë. Unë dhe Ajatollahu, kushdo që të jetë Ajatollahu i ardhshëm”, shtoi presidenti amerikan. Sipas tij, një marrëveshje e tillë do të përfshinte "një formë shumë serioze të ndryshimit të regjimit", duke vënë në dukje se, udhëheqja iraniane kishte pësuar humbje të rënda. "Të gjithë në regjim janë vrarë", tha Trump. Ndryshe, Ngushtica e Hormuzit, një rrugë kyçe detare përmes së cilës kalon rreth një e pesta e naftës botërore, ka qenë praktikisht e mbyllur për pjesën më të madhe të trafikut ndërkombëtar që nga fillimi i luftës, duke shkaktuar ndërprerje globale në tregjet e energjisë. /Telegrafi/
Go to News Site