“Dua titullin e kampionit në BKFC, jam agresiv në ring”, rrëfehet për herë të parë Gzim Selmani, tregon nga erdhi nofka “Albanian Psycho”
Telegrafi

“Dua titullin e kampionit në BKFC, jam agresiv në ring”, rrëfehet për herë të parë Gzim Selmani, tregon nga erdhi nofka “Albanian Psycho”

Luftëtari Gzim Selmani, i njohur me nofkën “Albanian Psycho” po synon titullin në boksin pa dorëza “Bare-Knuckle Championship Fighting”, ndërsa është i sigurt se do ta arrijë një gjë të tillë. Për herë të parë në një intervistë për mediat shqiptare, “Albanian Psycho” foli për Telegrafin, ku komentoi fitoren brutale ndaj Daniel Kurtin, që faktikisht ishte debutimi në BKFC. Fillimisht, i pyetur se nga erdhi kjo nofkë, Selmani shpjegoi se trajneri i tij ia dha para 14 viteve. “Këtë nickname (nofkë) trajneri im ma ka dhënë në vitin 2012, “Albanian Psycho” vjen nga mënyra si veproj dhe mendoj. Kur hyjë në ring, nuk jam i njëjti person dhe e kam mentalitetin tjetër, jam më agresiv dhe i fokusuar, nuk kam frikë prandaj trajneri ma ka jep këtë nickname”. Ai deri vonë kishte karrierë profesionale në mundjen profesionale, por pas ftesës së legjendës së UFC-së Conor McGregor ai e nënshkroi kontratën si luftëtar i boksit pa dorëza. “Për mua gjithë jam rrahur në MMA, kam krijuar emër dhe jam luftëtar. Kam pasur dëshirë për një sport më ekstrem, por i pasur. Për mua ka qenë një zgjidhje e lehtë për të shkuar në BKFC (boksi pa dorëza). Conor McGregor më ka thirrë për me pa një “show” dhe më ka pëlqyer dhe e nënshkruva kontratën patjetër”. View this post on Instagram A post shared by Gzim Selmani (@albanianpsycho) “Albanian Pyscho” e dëshmoi vetën qysh në debutim, ku e rrahu brutalisht Curtin për ta fituar sfidën me nokaut. “Për debutim e kam pritur fitoren. Unë e kam stilin agresiv, kur hy në ring, hi për nokaut dhe ashtu ndodhi. I kam goditjet e rëndë, tërë jetën kam luftuar, nuk është asgjë e re”. “Dëmtimet e mëdha në boksin pa dorëza? E kam menduar rrezikun në këtë sport, ky sport është i ashpër por jam këtu për ta testuar vetën në nivelin ekstrem. Kur hy në ring nuk mendoj shumë, e di për çfarë kam bërë stërvitje dhe e di çfarë mund të japë”. Për Selmanin e ardhmja është e qartë, ai thotë hapur se BKFC do ta tejkalojë UFC-në pasi është sport i pastër. “E di që UFC është shumë e madhe në tërë botën, por BKFC po rritet shumë shpejtë. Njerëzit duan pa filtër dhe BKFC na thomë nuk është boks, jo MMA, është kampionat lufte dhe për publikun është më i pastër, pa dorëza, nuk ka vend tjetër prandaj mendoj se BKFC ka me mbërri ma shumë se UFC”. “BKFC është forma ma e pastër, nuk ka dorëza për të shpëtuar, nuk ka vend për gabime, pra teknikë, forcë dhe zemër. Nuk ka vend për gabime, një goditje të madhe dhe shkon në nokaut, prandaj kam dëshirë, është sport i pastër”. “E ndjej përgjegjësinë, kur futem në ring nuk luftoj vetëm për vetë por për familjen time, historinë time dhe krejt shqiptarët që mbështetën. Dua të bëj krenar dhe luftoj për flamur, shqiponjë dhe krejt shqiptarët në krejt botën”. View this post on Instagram A post shared by BKFC Europe (@bkfceurope) I pyetur për të ardhmen, Selmani shtoi se objektivi është titulli dhe kërkon të përballet me disa emra të mëdhenj që kanë arritur shumë në MMA. “Normal dua të bëhem kampion në BKFC, tash e kemi kontratën për tre ndeshje, të parën e fitova me nokaut. Tash fokusi ynë është në stërvitje dhe krejt ekipin. Normal që i kam sytë kah BKFC Championship”. “I kam disa kundërshtarë, normal kampion kam qejf. Por, i kam do emra që kanë mbërritur në MMA. Kam qejf me u rreh me ta, të shohim a mundemi me pas ndonjë gjë”. Në fund, “Albanian Psycho” iu dha një mesazh të gjithë shqiptarëve që të punojnë fortë sepse talenti nuk mjafton për të pasur sukses në karrierë. “Duhet disiplinë, sakrificë dhe mentalitetin e fortë. Nuk mjafton vetëm talenti, duhet të rrëzohesh shumë herë, por që të ngritësh sërish nëse e do vërtetë këtë rrugë dhe të japësh gjithçka jo vetëm për vetë, por edhe për flamurin”, deklaroi ai në intervistë ekskluzive për Telegrafin. Brenda një periudhe të shkurtër, Selmani pritet të rikthehet në ring, kurse kundërshtari mbetet të shihet./ Telegrafi /

Go to News Site