Telegrafi
Sipas raportimeve të mediave franceze, Zinedine Zidane pritet të emërohet selektor i ri i kombëtares së Francës pas përfundimit të Kampionatit Botëror që zhvillohet në muajt qershor dhe korrik. Presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Philippe Diallo, ka nxitur spekulimet gjatë një interviste për gazetën Le Figaro, kur u pyet për pasuesin e Didier Deschamps. “Po, e di emrin e tij”, deklaroi Diallo, pa dhënë detaje të mëtejshme. Në Francë, konsiderohet pothuajse një “sekret publik” se ish-kapiteni i kampionëve të botës 1998 dhe ish-trajneri i Real Madridit, Zidane, është kandidati kryesor për të marrë drejtimin e ekipit kombëtar. Largimi i Didier Deschamps nga posti i selektorit është bërë i ditur që në fillim të vitit 2025. Ish-mesfushori ka udhëhequr Francën që nga viti 2012, duke arritur kulmin me fitimin e Kupës së Botës në vitin 2018 dhe një finale tjetër në edicionin pasues. Nën drejtimin e tij, Franca ka arritur gjithashtu finalen e Kampionatit Evropian në vitin 2016 dhe ka fituar Ligën e Kombeve në vitin 2021. Diallo theksoi gjithashtu rëndësinë e profilit të selektorit të ri: “Kombëtarja e Francës është ndër më të mirat në botë dhe nuk mund të drejtohet nga kushdo. Na duhet një trajner që përmbush shumë kritere dhe që gëzon mbështetjen e publikut francez, sepse kjo skuadër i përket popullit francez”. Zidane, 53 vjeç, konsiderohet një nga kandidatët më të përshtatshëm. Si trajner i Real Madridit, ai fitoi tre herë Ligën e Kampionëve në periudhën 2016–2018, ndërsa më pas u rikthye në klub dhe e udhëhoqi drejt titullit kampion në vitin 2020. Që nga viti 2021, ai nuk ka drejtuar asnjë ekip. Sipas gazetës sportive franceze L’Équipe , Zidane ka punuar prej kohësh në formimin e stafit të tij teknik, në pritje të një rikthimi në stol. Legjenda franceze, fitues i tre herë i çmimit “Lojtari Botëror i Vitit”, ka shprehur disa herë interesimin për të marrë drejtimin e kombëtares së Francës, një rol që konsiderohet si objektivi i tij kryesor në karrierën si trajner. /Telegrafi/
Go to News Site