Telegrafi
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës duke ia caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit Liridon Fetahi, i cili sipas Kodit Penal Danez dyshohet për vrasje. I pandehuri i cili ka shtetësi daneze, u ndalua të hënën nga FAST Kosova, pasi po kërkohej nga Interpoli, raporton “Betimi për Drejtësi“. “APROVOHET kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës”, thuhet në aktvendimin e nxjerrë nga Themelorja më 24 mars 2026. Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, në seancën dëgjimore të mbajtur në këtë Gjykatë, prokurori i special Atdhe Dema ka theksuar se mbetet pranë kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, si dhe arsyeve të dhëna në kërkesë, duke e elaboruar në tërësi. Ndërsa, mbrojtësi i të pandehurit Fetahi, avokati llir Tahiri gjatë seancës dëgjimore ka deklaruar se e kundërshton në tërësi kërkesën e PSRK-së për caktimin e masës së paraburgimit, duke theksuar se është e pa bazuar në ligj dhe në fakte. Ka thënë se veprat për të cilat dyshohrt i pandrehuri, po hetohen në shtetin e Danimarkës dhe se këto akuza i mohon i mbrojturi i tij. Sipas Tahirit, nuk ekziston rreziku që i pandehuri të arratiset apo të ndikojë në dëshmitarë ose të pengojë procedurën. Kërkoi që të mbrojturit të tij t’i caktohet arrest shtëpiak ose paraqitje në Polici, ose të aplikohet dorëzania. Ndërkaq, vetë i akuzuari Fetahi ka theksuar se e mbështet deklarimin e mbrojtësit të tij. I arrestuari në Prishtinë është Liridon Fetahi, i kërkuar në tërë Evropën për vrasje me pagesë Në aktvendimin e Themelores thuhet se gjyqtari procedurës paraprake pasi që ka vlerësuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e paraburgimit, si dhe pas shqyrtimit dhe analizimit të shkresave të lëndës, ka gjetur se kërkesa për caktimin e paraburgimit është e bazuar. Sipas këtij aktvendimi, gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar sipas Kodit të Procedurës Penale për caktimin e masës së paraburgimit, ngase për të pandehurin Fetahi ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasje”, sipas Kodit Penal Danez. I pandehuri, sipas vendimit, me qëllim për ta vrarë Hassan Ali Sattar dhe Tayyab Ahmad, si dhe për të tentuar vrasjen e Mohammed Umer Khan, së bashku dhe me marrëveshje paraprake apo me bashkëpunëtorë të panjohur, më 17 nëntor 2020, në Kaludborg, në sheshin përpara një marketi, disa nga të akuzuarit kanë shkuar me veturë, ku kishin planifikuar vrasjen. Pas kësaj, thuhet se individët kishin rënë dakord me Sattarin që të takoheshin në parkingun e supermarketit Meny, fillimisht më 15 e më pas më 16 nëntor, por që ato takime u anuluan. Më pas, thuhet se u arrit marrëveshje e re për takim më 17 nëntor, ku Fetahi me bashkëpunëtorët e tij u nisën përsëri për në Klaudborg. Kështu që, një nga bashkëkryerësit qëndroi në makinën e arratisjes, ndërsa tre të tjerët shkuan në zonën e parkimit dhe qëlluan disa herë me të paktën dy armë zjarri ndaj Sattarit, Khanit dhe Tayyabit, duke vrarë Sattarin dhe Tayyabin dhe plagosur rëndë Khanin. Në vendim thuhet se sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake, ekzistojnë arsyet ligjore per caktimin e masës së paraburgimit duke pasur parasysh peshën dhe natyrën e veprës penale për të cilën Fetahi dyshohet, duke theksuar se i pandehuri nuk ka shtetësi dhe vendbanim në Kosovë dhe ekziston mundësia reale e ikjes së tij nga Kosova. Aty thuhet se dyshimi i bazuar për veprën penale mbështetet në prova të mjaftueshme. Gjykata ka marrë parasysh edhe mundësinë e ndikimit tek dëshmitarët apo bashkëpunimin me bashkëkryerësit e tjerë, nëse i pandehuri lihet në liri. Po ashtu, mundësinë e fshehjes, asgjësimit apo ndryshimit të provave. Sipas Gjykatës, Fetahi ka të kaluar kriminale. Andaj, sipas vlerësimit të Gjykatës, nga arsyet e lartcekura dhe pas shqyrtimit të vëmendshëm të kërkesës së Prokurorisë Speciale si dhe analizimit dhe vlerësimit dhe të gjithë materialeve në dosje, konstatohet se ekziston dyshimi i bazuar për veprën penale e cila i vihet në barrë të pandehurit, mbi këto arsye u caktua masa e paraburgimit./BetimipërDrejtësi/
Go to News Site