Telegrafi
Një ditë pas prezantimit të draftit për referendumet, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, iu drejtua këtë të mërkurë zyrës së kryeministrit Edi Rama. Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se fokusi të bisedës ka qenë strategjia e komunikimit me qytetarët ndërsa pjesë e takimit kanë qenë gjithashtu zv.kryeministrja Albana Koçiu, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, dhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili. Kujtojmë se Balla njoftoi dje se Partia Socialiste ka përgatitur draftin për referendumet, të cilin do ta hedhë për konsultim të gjerë publik. Ai theksoi se nuk do ta dorëzojë në Kuvend draftin pa një proces të gjatë konsultimi publik. “Grupi parlamentar i PS do të zhvillojë disa tryeza të mëdha konsultative me juristë, profesorë, studentë dhe shoqërinë civile, për të shkuar drejt një projekti të konsoliduar mirë, që edhe pasi të hyjë në procedurën e Kuvendit, të mbetet një proces konsultativ”, tha Balla. Ai prezantoi pikat kryesore të draftit të përgatitur nga socialistët, duke vënë theksin te referendumi konsultativ, formë që socialistët paralajmërojnë se do ta përdorin shpesh si instrument të demokracisë së drejtpërdrejtë.
Go to News Site