Sllovakia blindon tribunat, por frika nga ‘pushtimi’ i tifozëve të Kosovës mbetet
Telegrafi

Sllovakia blindon tribunat, por frika nga ‘pushtimi’ i tifozëve të Kosovës mbetet

Zëdhënësi i Federatës së Futbollit të Sllovakisë, Juraj Çurny, ka komentuar atmosferën e pritshme në stadiumin nacional të Bratislavës për përballjen e rëndësishme mes Sllovakisë dhe Kosovës, duke theksuar se vendasit nuk presin që mysafirët të dominojnë në tribuna. Ndeshja, e cila zhvillohet të enjten nga ora 20:45, është pjesë e gjysmëfinales së 'play-off'-it për Kupën e Botës 2026 dhe pritet të sjellë një atmosferë elektrizuese në kryeqytetin sllovak. “Duke pasur parasysh që biletat janë shitur të gjitha, nuk presim që tifozët mysafirë të kenë një avantazh në tribuna”. “Ne kemi identifikuar disa qindra bileta me emra ballkanas në sektorë të ndryshëm, të cilët, megjithatë kanë pasaporta nga vendet e BE-së, përfshirë Sllovakisë”, ka deklaruar Çurny. Pavarësisht këtij vlerësimi, përvoja e mëparshme tregon se përkrahja për Kosovën në ndeshjet jashtë fushe ka qenë mbresëlënëse. Në përballjet e zhvilluara në Lubjanë, Goteborg dhe Bazel, tifozët kosovarë kanë krijuar atmosferë të zjarrtë, shpesh duke e bërë ekipin të ndihet si në shtëpi. Stadiumi Nacional i Bratislavës ka një kapacitet prej rreth 22,500 ulësesh, dhe sipas rregullave, të paktën pesë për qind e tyre janë të rezervuara për tifozët mysafirë. Megjithatë, duke marrë parasysh praninë e madhe të diasporës shqiptare në Evropë, nuk përjashtohet mundësia që numri i mbështetësve të Kosovës të jetë dukshëm më i madh se parashikimet zyrtare./ Telegrafi /

Go to News Site