Cakolli për vendimin e Kushtetueses: Afati 30 ditor është detyrues, por pasojat lidhen me 60 ditët
Telegrafi

Cakolli për vendimin e Kushtetueses: Afati 30 ditor është detyrues, por pasojat lidhen me 60 ditët

Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese ka sqaruar dhe rikonfirmuar disa parime kyçe lidhur me afatet kushtetuese, veçanërisht në procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Eugen Cakolli nga KDI, ka theksuar se vendimi i sotëm nuk e cilëson dekretin e Presidentes si akt antikushtetues, por e shpall atë pa efekt juridik. “Gjykata pranon që afati 30-ditor është detyrues dhe mosrespektimi i tij ka pasoja, por këto pasoja nuk aktivizohen direkt, por përmes afatit 60-ditor dhe shpërndarjes ‘ex constitutione’,” shpjegon Cakolli. Cakolli thekson se aktgjykimi shqyrton marrëdhënien mes afateve 30-ditore dhe 60-ditore, duke vendosur që ato nuk janë dy mekanizma të veçuar, por një proces i vetëm ku procedura duhet të nisë më herët dhe nuk mund të presë deri në ditën e fundit të afatit 30-ditor. Vendos Kushtetuesja: Dekreti i Osmanit i pavlefshëm, Kuvendi ka 34 ditë për zgjedhjen e presidentit “Totali mbetet 60 ditë, ku 30 ditët e fundit janë një zonë e mbyllur që nuk mund të tejkalohet”, ka shkruar Cakolli. Ai shtoi se Gjykata vendosi gjithashtu një standard të qartë se koha kushtetuese fillon kur Kuvendi është në gjendje të veprojë, jo kur vendos të veprojë. “Në këtë rast, kjo nënkupton se nuk ka 60 ditë të reja, por vetëm kohë të mbetur nga afati që kishte filluar më herët, duke marrë parasysh se Kuvendi nuk ishte konstituuar në kohën e duhur”, u shpreh Cakolli. Cakolli thekson se vendimi balancon situatën dhe blen kohë për institucionet, duke e vendosur përgjegjësinë tek institucionet dhe partitë parlamentare për të zhvilluar proceset kushtetuese në kohë, dhe jo për t’i përshtatur ato sipas rrethanave politike. /Telegrafi/

Go to News Site