Telegrafi
Gur, dru dhe dritë natyrale krijojnë një hapësirë perfekte që bashkon elegancën me qetësinë Në një pjesë të qetë dhe të rrethuar me gjelbërim, është vendosur një banesë e gjerë prej 100 metrash katrorë. Ajo ndodhet brenda një kompleksi banesor dhe me mënyrën e saj të mobilimit mishëron në mënyrë perfekte një stil të ngrohtë dhe natyral jetese. Si një interier i konceptuar me kujdes, që në shikim të parë reflekton harmoni dhe elegancë. Muret janë të veshura me gur natyral të bardhë dhe panele druri të errët, dyshemeja është realizuar me dërrasa druri, ndërsa tavanet në të gjitha hapësirat theksohen nga trarë druri të lyer në të bardhë, një detaj që i jep ambientit ngrohtësi dhe karakter. Funksionaliteti ka qenë një nga elementet kryesore të konceptimit. Çdo dhomë gjumi ka banjën e vet, ndërsa për mysafirët është paraparë një tualet i vogël me hapësirë për larje rrobash, i vendosur pranë sallonit të madh, transmeton Telegrafi. Zona e ditës është konceptuar si një hapësirë e hapur që bashkon dhomën e ndenjës, kuzhinën dhe tryezarinë. Pikërisht kjo pjesë lidhet drejtpërdrejt me një tarracë të madhe, e cila gjatë muajve të ngrohtë shndërrohet në vazhdim të interierit, një vend ideal për relaks dhe shoqërim, me një pamje mahnitëse. Një raft i thjeshtë ndarës krijon një kufi vizual mes zonës së ditës dhe korridorit të veshur me panele druri, duke ruajtur njëkohësisht vazhdimësinë dhe dinamiken e hapësirës. Mobiliet, si ato të integruara ashtu edhe pjesët e veçanta, janë punuar nga materiale natyrore -– dru, gur, struktura të endura, të kombinuara me tekstile si liri, mëndafsh dhe pambuk. I njëjti stil ndiqet edhe në dhomat e gjumit, ku ndërthuren sipërfaqet prej guri dhe druri, duke krijuar një ambient të qetë dhe harmonik. Në të gjithë banesën dominojnë nuancat e ngrohta të bardhës dhe bezhës, të kombinuara me tone të ndryshme druri, ndërsa detajet e gjelbra të zbehta sjellin freski të lehtë. Rezultati është një hapësirë që bashkon elegancën urbane me natyralitetin dhe qetësinë, një oazë e vërtetë për t’u larguar nga përditshmëria. /Telegrafi/
Go to News Site