Roboti shoqëroi Melania Trumpin në Shtëpinë e Bardhë, ku ishte i pranishëm edhe Zotëria i Parë i Kosovës
Telegrafi

Roboti shoqëroi Melania Trumpin në Shtëpinë e Bardhë, ku ishte i pranishëm edhe Zotëria i Parë i Kosovës

Një robot humanoid është shfaqur në Shtëpinë e Bardhë, duke ecur krah për krah me Zonjën e Parë të SHBA-së, Melania Trump, gjatë një ngjarje për teknologjinë dhe arsimin. Bëhet fjalë për një robot të avancuar me inteligjencë artificiale, i quajtur “Figure 03”, i zhvilluar nga një kompani amerikane. Ai është projektuar për të kryer detyra të ngjashme me ato njerëzore dhe për të mësuar nga ndërveprimi me njerëzit. Ngjarja u zhvillua në kuadër të një samiti në Shtëpinë e Bardhë që synon të promovojë përdorimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në edukimin e fëmijëve, ku ishin mbledhur të gjithë Zonjat apo Zotërinjtë e shteteve. Kosovën e ka përfaqësuar Zotëria i Parë, Prindon Sadriu, ku shihet në disa prej imazheve gjersa në afërsi të tij ishte edhe bashkëshortja e presidentit francez, Emmanuel Macron, Brigitte. Ndërkohë, gjatë hyrjes në sallë, Trump dhe roboti ecën së bashku në tapetin e kuq, duke tërhequr shumë vëmendje, shkruan index.hr. Roboti madje foli para të pranishmëve me një zë artificial, duke falënderuar për ftesën dhe duke theksuar rëndësinë e teknologjisë në edukim. Melania Trump e përshkroi këtë si një shembull të së ardhmes së inteligjencës artificiale, duke thënë se shumë shpejt AI do të kalojë nga telefonat tanë në robotë humanoidë që do të ndihmojnë në jetën e përditshme. Megjithatë, ngjarja ka nxitur edhe diskutime dhe shqetësime, pasi disa ekspertë paralajmërojnë se përdorimi i tepruar i inteligjencës artificiale mund të ndikojë negativisht në zhvillimin e mendimit dhe aftësive sociale tek të rinjtë. /Telegrafi/ - YouTube www.youtube.com

Go to News Site