Telegrafi
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka ushtruar të drejtën e tij të votës në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke u bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë sa më shumë në procesin zgjedhor. Pas votimit, Kurti deklaroi se dita e zgjedhjeve është një ditë e rëndësishme për vendin, ndërsa inkurajoi qytetarët që paraprakisht të verifikojnë qendrën e tyre të votimit përmes platformës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. “Sot është një ditë e bukur dhe e rëndësishme, një e diel me diell. E verifikova në ueb-faqen e KQZ-së se ku e kam saktësisht vendvotimin dhe pasi e konfirmova u nisa për të votuar. Bëj apel që edhe qytetarët ta verifikojnë qendrën e tyre të votimit”, tha Kurti. Ai theksoi se pjesëmarrja e lartë në zgjedhje ndikon drejtpërdrejt në legjitimitetin e institucioneve të vendit. “Sa më e lartë të jetë dalja e qytetarëve në zgjedhje, aq më i madh është legjitimiteti i institucioneve”, u shpreh ai. Kryeministri në detyrë shtoi se vendimmarrja për të ardhmen e vendit u takon qytetarëve që marrin pjesë në votim, duke i ftuar ata të përcaktohen për përbërjen e ardhshme të legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës. “Sot vendosin ata që votojnë. U bëj thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike dhe të përcaktohen për përbërjen e ardhshme të legjislaturës së 11-të”, deklaroi Kurti. /Telegrafi/
Go to News Site