Telegrafi
Futbolli shqiptar dhe ai kosovar janë zhytur në zi pas lajmit tragjik për ndarjen nga jeta të futbollistit të Elbasanit, Fatjon Bunjaku. 22-vjeçari humbi jetën në një aksident automobilistik që ndodhi pas mesnatës në aksin Prishtinë – Mitrovicë, duke lënë pas dhimbje të madhe te familjarët, miqtë dhe e gjithë bota e futbollit. Teksa shumëkush ende nuk po e beson lajmin e hidhur, në rrjetet sociale po shpërndahet postimi i fundit i sulmuesit, një mesazh plot optimizëm dhe shpresë për të ardhmen, i publikuar vetëm pak ditë më parë pas përfundimit të sezonit me Elbasanin. Në atë postim, Bunjaku falënderonte tifozët për mbështetjen dhe shprehte entuziazmin për aventurën evropiane që e priste me klubin shqiptar. "Faleminderit për këtë super mbështetje tifozat verdheblu. Do të takohemi së shpejti edhe në arenën evropiane", kishte shkruar ai. View this post on Instagram A post shared by @fatjonbunjaku9 Sot, këto fjalë marrin një kuptim krejtësisht tjetër dhe shumë më të dhimbshëm për të gjithë ata që e njohën. Fatjon Bunjaku iu bashkua Elbasanit verën e kaluar, duke qenë pjesë e një sezoni të suksesshëm që i siguroi skuadrës pjesëmarrjen në garat europiane. Më herët, ai kishte luajtur për Trepçën, Phoenixin, Lirinë, Gjilanin dhe Malishevën, ndërsa kishte veshur me krenari edhe fanellën e Kosovës U19 dhe U21. Ndarja e tij e parakohshme ka tronditur komunitetin sportiv, ndërsa postimi i fundit mbetet një kujtim prekës i një futbollisti të ri, me ëndrra të mëdha, të cilat u ndërprenë tragjikisht shumë herët. /Telegrafi/
Go to News Site