Collector
Këto janë komunat me pjesëmarrjen më të lartë në votim deri më tani | Collector
Këto janë komunat me pjesëmarrjen më të lartë në votim deri më tani
Telegrafi

Këto janë komunat me pjesëmarrjen më të lartë në votim deri më tani

Pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare ka arritur në 3.05 për qind deri në orën 09:00, sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Nga gjithsej 1,959,962 votues të regjistruar, të drejtën e votës e kanë ushtruar 59,785 qytetarë, ndërsa janë procesuar 2,447 nga 2,498 vendvotime, ose 97.96 për qind e tyre. Të dhënat tregojnë se komunat me shumicë serbe vazhdojnë të regjistrojnë pjesëmarrjen më të lartë në nivel vendi. Kryeson Mitrovica e Veriut me 10.67 për qind pjesëmarrje, ku kanë votuar 1,878 qytetarë nga 17,604 votues të regjistruar. Pas saj renditet Zveçani me 10.13 për qind, ku votën e kanë hedhur 707 qytetarë, ndërsa Novobërda ka shënuar 7.94 për qind pjesëmarrje me 785 votues. Në mesin e komunave me daljen më të lartë janë edhe Ranillugu me 6.19 për qind, Zubin Potoku me 6.17 për qind dhe Graçanica me 5.78 për qind, ku kanë votuar 1,386 qytetarë, raporton Telegrafi. Sa i përket komunave më të mëdha, në Prishtinë kanë votuar 9,111 qytetarë, që përfaqëson 4.15 për qind të elektoratit. Në Fushë Kosovë pjesëmarrja ka arritur në 3.79 për qind, ndërsa në Mitrovicën e Jugut në 3.52 për qind. Vushtrria ka regjistruar 3.47 për qind, ndërsa Gjilani 3.30 për qind. Ndërkohë, në Obiliq pjesëmarrja është 3.21 për qind, kurse në Ferizaj 3.09 për qind. Sipas të dhënave të fundit të KQZ-së, pjesëmarrja aktuale në nivel vendi prej 3.05 për qind është më e lartë se në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, kur në të njëjtën periudhë kohore ishte regjistruar një dalje prej 2.68 për qind. Procesi i votimit po vazhdon në të gjitha komunat e Kosovës, ndërsa KQZ-ja pritet të publikojë përditësime të reja gjatë ditës për ecurinë e pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje. Ndërkohë, liderët e subjekteve politike kanë bërë thirrje të vazhdueshme që qytetarët të dalin në votime dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike për të zgjedhur përfaqësuesit e ardhshëm në Kuvendin e Kosovës. Ata kanë apeluar për një pjesëmarrje sa më të madhe në procesin zgjedhor, duke theksuar rëndësinë e votës në përcaktimin e drejtimit politik dhe institucional të vendit. / Telegrafi /

Go to News Site