Collector
Giriş Yap
KPM paralajmëron shqyrtimin e mbylljes së “Debat Plus”, qasja konsiderohet skandaloze | Collector
KPM paralajmëron shqyrtimin e mbylljes së “Debat Plus”, qasja konsiderohet skandaloze

KPM paralajmëron shqyrtimin e mbylljes së “Debat Plus”, qasja konsiderohet skandaloze

Nënkryetarja e Komisionit të Pavarur të Mediave, Drita Morina ka propozuar mbylljen e emisionit “Debat Plus” me Ermal Pandurin. Anëtarja e zgjedhur rishtazi në këtë pozitë me votat e Vetëvendosjes, propozimin e dha pikërisht pas një ankese nga një ministre e qeverisë Kurti, për një deklaratë të dhënë nga një kundërshtar politik. Avokues të së drejtës së mediave, qasjen e KPM-së, po e konsiderojnë si të ndikuar nga pushteti, dhe me qëllim të qartë, heshtjen e zërave kundër tij. Për herë të parë, në Komisionin e Pavarur të Mediave, u përmend mbyllja e një emisioni televiziv – Debat Plus me Ermal Pandurin, që është produkt i Televizionit Dukagjini. Kjo ide i shkoi në mendje, e pastaj edhe e tha me zë e figurë, nënkryetarja së KPM-së, Drita Morina. “Nëqoftëse raste të tilla përsëriten, unë kam kërkesë për propozim të komisionit.. emisionit të tillë.. kjo është hera e … për sa kohë jemi pjesë e KPM-së, deri në ndalimin e emisionit të tillë. Ky do të jetë propozimi im, por do jetë temë shqyrtimi në mbledhjen e radhës”, ka deklaruar Drita Morina, nënkryetare e KPM-së. Propozimin e arsyetoi me deklaratat e dhëna nga mysafirët e emisionit, e jo qëndrimin editorial të tij apo televizionit. Morina që u zgjodh anëtare e KPM-së, me votat e Vetëvendosjes në prill të këtij viti, për idenë, u nxit pikërisht pas një ankese nga anëtarja e Vetëvendosje, Artane Rizvanolli, për një deklaratë të Uran Ismailit, në emisionin e datës 5 qershor, ndonëse në studio ishte edhe Glauk Konjufca, zëvendëskryeministër e nënkryetar i VV-së. Propozimi i Morinës, nga juristja e medias, Flutura Kusari, po konsiderohet si skandaloz. “Për herë të parë unë dëgjova në një mbledhje të KPM-së, mundësinë e mbylljes së Debat Plus, dhe mendoj se ishte një sinqeritet nga anëtarët, se çka ndodhë nëse KPM, vazhdon me agjendë të tillë”, ka theksuarFlutura Kusari, juriste e medias. Si e papranueshme deklarata e Morinës po konsiderohet edhe nga Asociacioni i Gazetarëve. “Kryetari Berisha, Nënkryetarja Morina, e anëtarët tjerë, e kanë treguar qëllimin që ti dënojnë mediat. Është e rrezikshme. Natyrisht që nuk mund t’i mbyllin mediat, në vitin 2026”, ka deklaruar Xhemajl Rexha, Kryetar i Asociacionit të Gazetarëve. Krahas këtij propozimi, KPM në mbledhjen e së mërkurës, i sanksionoi katër televizione me vërejtje. Televizioni Dukagjini, pikërisht për ankesën e Artane Rizvanollit, në raport me deklaratën e Uran Ismailit. Pastaj, Kanal 10, Teve1 dhe Syri Vizion, poashtu u sanksionuan me vërejtje, për transmetim të deklaratave të kryetarëve të komunave, në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025. Pro secilit nga propozimet, votuan të gjithë anëtarët që ishin të pranishëm Edhe këtë pjesë të mbledhjes, e monitoroi juristja e medias, Kusari, e cila pa hezitim, vlerëson që vendimet e komisionit ishin të varura, dhe me qëllim të qartë – mbylljen e mediave. “Sot e monitorova komisionin e varur kundër mediave. Jam e alarmuar me çka kam pa sot. Anëtarët nuk e patën guximin me i përmend emrat e politikanëve që janë anku në komision. U trajtuan raste pa e ditë çka bëhet fjalë. Ishte tentim me i eduku moderatorët. Luajtën rolin e gjykatësit. Qëllimi i tyre është që deri në fund të vitit me i mbyllë mediat që janë kundër Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes”, ka theksuar Kusari. Bordi i KPM-së përfshirë kryetarin Besnik Berisha, e nënkryetarja Morina, ishte zgjedhur në seancën e vonë të Kuvendit më 24 prill 2026, me votat e Lëvizjes Vetëvendosje.

Go to News Site