Telegrafi
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA ) ka lëshuar një opinion të kualifikuar për Pasqyrat Financiare Vjetore të Komunës së Prizrenit për vitin 2025 . Raporti ka zbardhur një sërë parregullsish dhe mospajtueshmërish ligjore që lidhen me menaxhimin e parasë publike, ku përfshihen keqklasifikime buxhetore mbi dy milionë euro, nënvlerësim të llogarive të arkëtueshme dhe vonesa të mëdha në pagesat ndaj operatorëve . Sipas raportit të ZKA-së, ky auditim ka rezultuar me gjithsej 14 rekomandime, prej të cilave gjashtë janë të reja dhe tetë të përsëritura nga vitet paraprake , me të cilat menaxhmenti i komunës është pajtuar plotësisht . Keqklasifikim masiv i shpenzimeve përmes përmbaruesve Një nga gjetjet më të rënda që ka ndikuar direkt në kualifikimin e opinionit është keqklasifikimi i shpenzimeve në kategori joadekuate ekonomike në vlerë prej 2,148,191 euro . Këto pagesa janë realizuar përmes ekzekutimit të vendimeve gjyqësore dhe përmbarimore për zbatimin e kontratës kolektive . ZKA-ja sqaron se Thesari ka paguar 1,419,064 euro nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve, si dhe 729,127 euro nga investimet kapitale . "Kjo ka ndodhur për shkak se komuna nuk kishte marrë parasysh kërkesat e ligjit të buxhetit dhe qarkores buxhetore për të bërë planifikim adekuat sipas nevojave dhe kërkesave", thotë raporti, duke tërhequr vërejtjen se kjo praktikë jep informata çorientuese për shfrytëzuesit . Nënvlerësohen llogaritë e arkëtueshme dhe pasuria e komunës Auditori ka gjetur se llogaritë e arkëtueshme të prezantuara në Raportin Vjetor Financiar (në vlerë mbi 29.2 milionë euro) ishin nënvlerësuar për 355,098 euro . Ky gabim ka ndodhur sepse Drejtoria e Urbanizmit, si pasojë e neglizhencës së zyrtarëve, nuk i kishte raportuar saktë llogaritë e arkëtueshme që vijnë nga lejet e ndërtimit . Përveç kësaj, Prizreni ka nënvlerësuar edhe pasurinë e vet kapitale . Shtatë pagesa në vlerë prej 839,226 euro për investime në infrastrukturën publike, të cilat ishin ende në fazën e punimeve (investime në vijim), nuk u prezantuan fare në raportin financiar . Ajo që zgjon më shumë shqetësim është se në kategorinë "investime në vijim" ekzistojnë ende projekte të regjistruara që nga viti 2013 e deri në vitin 2023 në vlerë kapitale prej plot 47,270,834 euro . Këto pasuri, ndonëse mund të jenë në përdorim e sipër nga qytetarët, vazhdojnë të mbahen në letra si projekte të papërfunduara, duke bërë që komunës të mos i aplikohet zhvlerësimi i pasurisë . Skandali me tenderët: Shpërpjesëtim i sasive të realizuara në teren ZKA-ja ka identifikuar mospërputhje të mëdha sa u përket sasive të shpenzuara në raport me peshën e dhënë në dosjet e tenderit, gjë që dëmton transparencën në përzgjedhjen e ofertave më të lira . Mirëmbajtja e drunjve dekorativë: Në kontratën me vlerë 210,000 euro, kategoria e parë (prerja e asfaltit, drunjve dhe anësorët) ishte paraparë të shpenzonte 20% të buxhetit (42,000 euro), por u realizuan vetëm 7,681 euro . Ndërkaq, kategoria e dytë (furnizimi dhe mbjellja) e cila peshonte 50% (105,000 euro), u mbingarkua duke u shpenzuar plot 196,980 euro apo 96% e tërë vlerës së kontratës . Kolektorët e qytetit: Në kontratën për hartimin e projektit të kolektorëve kryesorë (vlera 100,000 euro), pozicioni i pestë për studimin e fizibilitetit kishte peshë vetëm 5% (apo 5,000 euro) . Megjithatë, gjatë realizimit, ky pozicion u tejkalua jashtëzakonisht shumë duke kapur vlerën e 85,094 eurove (85% e krejt kontratës) . Miliona euro pa dokumentacion financiar dhe vonesa deri në 516 ditë Gjetjet e Auditorit bëhen edhe më të rënda tek pjesa e pajtueshmërisë, ku është konstatuar një mungesë e theksuar e dokumentacionit financiar për urdhrat përmbarimorë të ekzekutuar në vlerë prej 3,884,852 euro . Po ashtu, komuna ka hyrë në obligime duke kontraktuar projekte kapitale pa pasur fare mbulesë të fondeve financiare . Disiplina financiare mbetet sfidë më vete: në 19 raste të testuara, faturat në vlerë totale prej 1,294,286 euro u paguan me vonesa të mëdha, duke shkuar nga një e deri në plot 516 ditë vonesë pas afatit të rregullt ligjor . Shpërfillen këstet për lejet e ndërtimit Sipas vendimeve të Kuvendit Komunal të Prizrenit, investitorët që pajisen me leje ndërtimore dhe u lejohet pagesa me këste (për taksat që kalojnë vlerën 2,000 euro), duhet t'i kryejnë obligimet brenda 12 muajve . ZKA ka gjetur katër raste ku investitorëve u ishte mundësuar kjo formë, por kushtet e marrëveshjes nuk u respektuan nga ana e tyre . Zyrtarët përgjegjës të komunës dështuan të ndërmerrnin veprime administrative apo ligjore për arkëtimin e këtyre mjeteve, pasi komuna nuk ka paraparë asnjë masë ndëshkuese apo sanksion për vonesat e investitorëve . Auditorja e Përgjithshme i ka rekomanduar Kryetarit të Komunës së Prizrenit të rrisë kontrollet e brendshme, të sigurojë planifikim të mirë të nevojave, të ndërmarrë hapa ligjorë për mbledhjen e borxheve të lejeve të ndërtimit dhe të parandalojë hyrjen në kontrata pa zotim paraprak të mjeteve . / Telegrafi /
Go to News Site