Telegrafi
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka identifikuar shkelje të rregulloreve komunale sa i përket ndarjes së subvencioneve në Komunën e Skenderajt për vitin 2025 . Sipas raportit të ri të auditimit, të nënshkruar nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, kjo komunë ka subvencionuar dy herë brenda të njëjtit vit buxhetor të njëjtën Organizatë Jo-Qeveritare (OJQ), në kundërshtim me rregullat në fuqi . Neni 19, pika 4 e Rregullores së Komunës për ndarjen e subvencioneve përcakton qartë se përfituesit mund të subvencionohen vetëm një herë në vit . Nga ky rregull përjashtohen vetëm personat fizikë në fushën e shëndetësisë (për nevoja të shërimit dhe sigurimit të ushqimeve, mirëqenies sociale) dhe në fushën e bujqësisë . Megjithatë, Auditori ka gjetur se Komuna e Skenderajt ka ndarë mjete financiare në dy raste të ndryshme për të njëjtën organizatë brenda vitit . "Komuna gjatë vitit 2025 ka subvencionuar dy (2) herë brenda vitit të njëjtën OJQ . Financimi është bërë për realizimin e aktivitetit 'Juaji i mërgatës' në vlerë 5,000€ dhe 'Aktivitete rinore dhe kulturore' në vlerë 7,500€" , thuhet në raportin e ZKA-së. Sipas ZKA-së, kjo situatë ka ndodhur si rezultat i mungesës së kontrolleve të mjaftueshme nga ana e zyrtarëve përgjegjës gjatë shqyrtimit dhe aprovimit të kërkesave, si dhe mungesës së një mekanizmi efektiv për verifikimin e përfitimeve paraprake të përfituesve brenda vitit buxhetor . Rreziqet dhe rekomandimi i Auditorit ZKA ka tërhequr vërejtjen se ndarja e subvencioneve në kundërshtim me rregulloren komunale rrit rrezikun e trajtimit jo të barabartë të përfituesve dhe mund të kufizojë mundësitë e përfitimit për OJQ-të e tjera . Lidhur me këtë gjetje, Auditorja e Përgjithshme ka dhënë rekomandim të qartë për krerët e komunës . "Kryetari duhet të sigurojë se, para aprovimit të subvencioneve, të kryhet verifikimi i plotë i përfitimeve paraprake të përfituesve, në mënyrë që të parandalohet subvencionimi më shumë se një herë brenda vitit për të njëjtët përfitues" , rekomandon ZKA. Nga ana tjetër, menaxhmenti i Komunës së Skenderajt është pajtuar plotësisht me këtë gjetje të Auditorit . / Telegrafi /
Go to News Site