Collector
Giriş Yap
Siguria fillon me dialog | Collector
Siguria fillon me dialog

Siguria fillon me dialog

Me rastin e shënimit për herë të parë të Ditës Ndërkombëtare për Dialog ndërmjet Qytetërimeve - 10 qershor Gerard McGurk Pse e ardhmja që meriton çdo komunitet në Kosovë fillon me një bisedë? Bota është e zhurmshme dhe kjo zhurmë vetëm sa po shtohet dita-ditës. Megjithatë, zëri i lartë nuk do të thotë qartësi. Në shoqëri të ndryshme po shohim një model tashmë të njohur: qëndrimet ngurtësohen, gjuha ashpërsohet, e njerëzit nisin të flasin pa e dëgjuar njëri-tjetrin, në vend se të flasin me njëri-tjetrin. Më 10 qershor, bota shënon për herë të parë Ditën Ndërkombëtare për Dialog ndërmjet Qytetërimeve. Kjo ditë përkujtimore u themelua nga Kombet e Bashkuara për të përtërirë një bindje po aq të vjetër sa vetë Organizata: se dialogu është rruga drejt paqes. Ky është një parim që OSBE e mbështet fuqimisht. Dialogu është tepër i rëndësishëm për t’u lënë në duart e optimizmit të sipërfaqshëm. Kosova mban mbi supe peshën e një të kaluare të vështirë: kujtesa është e gjatë, shqetësimet janë reale, e besimi, kur thyhet, rindërtohet ngadalë, me shumë mund dhe me kosto të madhe. Shumë shpesh, dialogu është parë si shpërblim që jepet vetëm kur kushtet të jenë bërë të përkryera, dhe jo si instrument përmes të cilit këto kushte krijohen. Shpesh i pezulluar pikërisht kur ka qenë më së shumti i nevojshëm, ose është keqkuptuar si lëshim, ndërkohë që në të vërtetë ka qenë dëshmi force. Megjithatë, forca e argumentit për dialog mbetet e pamohueshme. Komunitetet që i mbajnë të hapura kanalet e komunikimit janë dukshëm më të qëndrueshme. Ato rimëkëmben më shpejt nga tronditjet dhe i zbusin incidentet para se të shndërrohen në kriza. Përfitimet nga dialogu nuk janë abstrakte. Ato shfaqen si një treg që qëndron i hapur, një vit shkollor që nuk ndërpritet, një mosmarrëveshje lokale që zgjidhet përmes bisedës në vend të konfrontimit, si dhe të rinj që kanë arsye të shohin përpara dhe të investojnë në një të ardhme të përbashkët, në vend se një të kaluar të kontestuar. E, nëse dialogu është i vështirë, alternativa është edhe më e keqe. Për Misionin e OSBE-së në Kosovë, kjo nuk është një kauzë e huazuar. Dialogu është thjesht në ADN-në tonë. Konceptimi ynë gjithëpërfshirës i sigurisë, nëpërmjet të të cilit përbashkojmë dimensionin politiko-ushtarak me atë ekonomik, mjedisor dhe njerëzor, mbështetet në një premisë të vetme: se problemet zgjidhen duke u ulur në të njëjtën tryezë. Një ide radikale në vitin 1975 kur u nënshkrua Akti Final i Helsinkit, por jo aq radikale sot në vitin 2026. Çdo ditë, në çdo komunitet ku jemi të pranishëm, me durim punojmë që të mbajmë këto tryeza të hapura: mbledhim njerëzit, lehtësojmë diskutimet dhe dëgjojmë me vëmendje. Kemi parë fqinjë që kishin pushuar së foluri me njëri-tjetrin se si gjejnë - në një problem të përbashkët dhe praktik - arsyen për të filluar nga e para duke u bazuar në brenga të përbashkëta. Kemi parë sa shpejt ky fillim i vogël mund të shndërrohet në diçka më të madhe e më të qëndrueshme. Siguria fillon me dialog: për ne kjo nuk është parullë, por mësim i nxjerrë nga përvoja jonë. Ky mësim ka edhe një rrjedhojë të pakëndshme. Mungesa e dialogut është në vetvete një faktor rreziku për sigurinë. Kur kanalet e komunikimit mbyllen, keqkuptimet e vogla nuk kanë rrugë tjetër veçse të përshkallëzimit. Hapësirën që do të duhej ta zinte biseda e mbushin thashethemet. Kjo është më e rrezikshme sot se kurrë më parë, sepse gënjeshtra përhapet më shpejt se e vërteta. Një fotografi e manipuluar ose një gënjeshtër e qëllimshme mund ta përshkojë Kosovën brenda pak minutash, duke ndezur opinionin para se cilado palë të ketë pasur mundësinë të flasë e duke lënë pas pasoja të menjëhershme e afatgjata. Ata që do të parapëlqenin dështimin e dialogut e kuptojnë shumë mirë këtë. Përgjigjja nuk është të tërhiqemi nga biseda, por të mbrojmë integritetin e saj përmes fakteve të verifikuara, mediave të pavarura, fuqizimit të edukimit mediatik në mesin e rinisë, dhe udhëheqësve që refuzojnë ta shfrytëzojnë një të pavërtetë virale për përfitime afatshkurtra. Dialogu e dëshmon më së miri vlerën e tij kur sjell përfitime që asnjë komunitet nuk mund t’i arrijë i vetëm. Në Kosovë ka shumë mundësi të tilla për shqiptarët e Kosovës, serbët e Kosovës dhe komunitetet rom, ashkali, egjiptian, boshnjak, turk dhe goran të Kosovës, të tilla si pjesëmarrja kuptimplotë e komuniteteve joshumicë, veçanërisht pjesëmarrja e grave nga komunitetet jo-shumicë, në vendimet komunale që formësojnë lagjet e tyre, përdorimi i përditshëm i gjuhës amtare para institucioneve publike, arsimi që ua mundëson të rinjve t’i mësojnë gjuhët e njëri-tjetrit dhe thjesht të takohen, bashkëpunimi ekonomik përtej përkatësive etnike apo gjinisë, mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe fetare si pasuri e përbashkët e jo si terren i kontestuar, qasja në drejtësi dhe në mjete juridike për të gjithë, dhe bashkëpunimi njerëzor për zbardhjen e fatit të të zhdukurve dhe për kthimin dinjitoz të të zhvendosurve. Asnjë nga këto nuk kërkon që dikush të heqë dorë nga qëndrimet e veta politike, por vetëm vullnet për t'u ulur bashkë dhe për ta zgjidhur së bashku një problem të përbashkët. Pikërisht këtë synojnë edhe Këshillat Komunalë për Siguri në Bashkësi dhe Komitetet Lokale për Siguri Publike si mekanizma konkretë që ndihmojnë në uljen e rrezikut, sidomos kur ato pasqyrojnë gjithë diversitetin e komuniteteve që u shërbejnë, përfshirë pjesëmarrjen aktive të grave. Ne jemi krenarë që i mbështesim ato dhe punën e tyre, shpesh të padukshme, por tejet të çmueshme. Kjo është detyra e lidershipit dhe ajo nuk mbahet gjallë vetvetiu. Lipsen udhëheqës të gatshëm që të veprojnë me largpamësi, të pranojnë parehatinë afatshkurtër të angazhimit për hir të sigurisë afatgjatë që ai sjell, dhe ta normalizojnë dialogun në çdo nivel, jo vetëm në qarqet diplomatike, por edhe në kuvendin komunal, në klasë dhe në lagje. Sa i përket rolit të OSBE-së, ne nuk vijmë me receta të gatshme për rezultate politike. Pikërisht ngaqë nuk paragjykojmë se ku mund të çojë dialogu, gëzojmë besimin e të gjithëve për ta bërë të mundur. Në këtë Ditë Ndërkombëtare për Dialog ndërmjet Qytetërimeve, që po shënohet për herë të parë, mesazhi im për të gjitha komunitetet e Kosovës është ai i besimit. Paramendojeni Kosovën që mund të sendërtohet me dialog: një Kosovë ku një e re apo i ri nga cilido komunitet sheh një të ardhme për të cilën ia vlen të qëndrojë; ku një prind ka besim se vajza apo djali mund të studiojë, të punojë dhe të dëgjohet në gjuhën e vet të garantuar me Kushtetutë; ku mosmarrëveshjet zgjidhen me fjalë, jo me frikë; ku diversiteti nuk perceptohet si vijë ndarëse, por, sipas fjalëve të rezolutës që shënojmë sot, si pjesë e trashëgimisë kolektive të njerëzimit . Si optimist i lindur, besoj se Kosova që sapo përshkrova është padyshim e arritshme dhe bëhet edhe më e afërt sa herë që dikush zgjedh bisedën në vend të heshtjes. Ne do të jemi aty në çdo hap, jo për të diktuar destinacionin, por për të ndihmuar ta mbajmë gjallë bisedën. Sepse dialogu është në ADN-në tonë, dhe sepse edhe këtu, si kudo tjetër, siguria fillon me dialog . E ardhmja u përket atyre që kanë guximin dhe largpamësinë për të biseduar me njëri-tjetrin që tani. Tani që po i lëmë pas zgjedhjet e fundit, le të fillojmë të flasim për të ardhmen.

Go to News Site