Në vendin e krimit u gjetën dy armë, policia jep detajet e fundit nga vrasja e dyfishtë në Golluboc
Policia e Kosovës ka bërë të ditur detaje të reja lidhur me ngjarjen tragjike në fshatin Golluboc të Malishevës, ku më 6 nëntor u vranë dy vëllezërit Morina. Sipas njoftimit zyrtar, menjëherë pas raportimit të rastit, njësitë policore dhe hetimore kanë dalë në vendngjarje, ku gjatë ekzaminimeve janë gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri, që dyshohet se janë përdorur në kryerjen e vrasjes. Këto prova materiale konsiderohen kyçe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, përcjell Telegrafi. Hetimet janë zhvilluar në koordinim të ngushtë me Prokurorin e Shtetit, duke përfshirë analiza balistike dhe veprime të tjera procedurale për identifikimin e autorit. Si rezultat i këtyre veprimeve, mëngjesin e 7 nëntorit 2025, rreth orës 06:25, në fshatin Pllaqicë të Malishevës, policia ka arrestuar të dyshuarin Astrit Isufi (1983), banor i Sankocit të Drenasit. I dyshuari është gjetur me plagë që dyshohet të jenë shkaktuar nga arma e zjarrit, dhe pas ndihmës së parë është dërguar për trajtim të mëtejmë në QKUK, nën masa sigurie. Policia e Kosovës ka konfirmuar se hetimet po vazhdojnë intensivisht, në bashkëpunim të plotë me Prokurorin e Shtetit, me qëllim ndriçimin e plotë të motivit dhe dinamikës së vrasjes së dyfishtë. / Telegrafi /