Tottenham po i jep mbështetje yllit të tyre, lojtari është kërcënuar me armë nga agjenti i tij

Tottenham po i jep mbështetje yllit të tyre, lojtari është kërcënuar me armë nga agjenti i tij

Klubi anglez Tottenham Hotspur ka reaguar pas raportimeve se mbrojtësi Destiny Udogie ishte lojtar i Ligës Premier që u kërcënua me armë zjarri nga një agjent futbolli gjatë muajit shtator. Policia Metropolitane e Londrës ka konfirmuar se një person 31-vjeçar është arrestuar pasi dyshohet se ka kërcënuar një futbollist të Ligës Premier në të 20-at, ndërsa gazeta italiane “TuttoMercato” ka raportuar se bëhet fjalë për Udogien. Pas këtyre raportimeve, Tottenham ka lëshuar një deklaratë zyrtare ku thekson mbështetjen e plotë për lojtarin. “Ne kemi ofruar mbështetje për Destinyn dhe familjen e tij që nga incidenti dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Duke qenë se kjo është një çështje ligjore, nuk mund të komentojmë më tej", thuhet në reagimin e klubit londinez. Pavarësisht situatës së rëndë, Udogie është rikthyer në fushë vetëm një javë pas incidentit, duke luajtur në fitoren 3–0 të Tottenhamit ndaj West Ham United. Ngjarja ka shkaktuar reagime të mëdha në Angli dhe Itali, teksa autoritetet janë ende duke e hetuar rastin. Në ndërkohë, Tottenham po e mbështet plotësisht lojtarin e tyre, i cili konsiderohet si një nga mbrojtësit e majtë më të talentuar në futbollin anglez. /Telegrafi/

Aksident trafiku në Carralevë të Shtimes, lëndohet një person

Aksident trafiku në Carralevë të Shtimes, lëndohet një person

Një aksident trafiku ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Carralevë të Shtimes, ku një person ka pësuar lëndime trupore Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Kanun Veseli, tha për Telegrafin, se në aksident janë përfshirë dy vetura. "Sot rreth orës 02:23 kemi pranuar një informatë se në fshatin Carralevë ka ndodhur një aksident trafiku, ku janë të përfshira dy vetura, njëra me targa vendore dhe tjetra me targa të huaja. Një person është lënduar dhe është trajtuar në Shtime", tha ai. Veseli tha se detaje tjera lidhur me aksidentin do të bëhen më vonë.

Theret një shtetas i huaj në Gjakovë, rasti po hetohet

Theret një shtetas i huaj në Gjakovë, rasti po hetohet

Një shtetas i huaj ka kërkuar ndihmë mjekësorë në QKMF në Gjakovë pasi i njëjti kishte dy plagë të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga një mjet i mprehtë. Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se viktima me udhëzim të mjeku kujdestar është dërguar në QKUK. “Viktima mashkull shtetas i huaj ka kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF Gjakovë, pasi që i njëjti kishte dy plagë të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga një mjet i mprehtë. Viktima me udhëzim të mjekut kujdestar është dërguar në QKUK. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Kanoset një person në Prizren, arrestohen katër të dyshuar

Kanoset një person në Prizren, arrestohen katër të dyshuar

Një person është kanosur nga katër të dyshuar të cilët janë arrestuar. Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të martën rreth orës 14:20 në rrugën “William Woker”, në Prizren. Tutje bëhet e ditur se tre janë dërguar në mbajtje, ndërsa një është liruar në procedurë të rregullt. “Është raportuar se viktima mashkull kosovar është kanosur nga katër të dyshuarit, të cilët janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit tre dërgohen në mbajtje, ndërsa një lirohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Sot zhvillohen nëntë ndeshje interesante në Ligën e Kampionëve

Sot zhvillohen nëntë ndeshje interesante në Ligën e Kampionëve

Sot (e mërkurë) janë në orar për t’u zhvilluar nëntë ndeshje në kuadër të xhiros së katërt të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve. Pas etheve dhe ndeshjeve interesante të së martës mbrëma, tani radhën e ka disa e sotme me disa takime tjera që pritet të sjellin emocione të mëdha. Megjithatë, për dallim nga mbrëmja e së martës ku pati dy derbi shumë të fortë evropian, mbrëmja e sotme nuk ka ndonjë derbi shumë të madh. Ndeshja më interesante e mbrëmjes pritet të jetë ajo në mes të Manchester Cityt dhe Borussia Dortmundin, e planifikuar të luhet në ‘Etihad’ nga ora 21:00. Përballje interesante pritet të jenë edhe ato në mes të Neëcastle-Athletic Bilbao, Ajax-Galatasaray, Benfica-Bayer Leverkusen dhe Marseille-Atalanta. Nga ora 21:00 luajnë edhe dy klubet tjera të mëdha evropiane, Interi dhe Barcelona, me Nerazzurët që presin Kairat Almanyt dhe katalunasit që udhëtojnë te Club Brugge. Dy ndeshjet e vetme që luhen nga ora 18:45 janë ato në mes të Qarabag-Chelsea dhe Pafos-Villarreal. / Telegrafi /

“Një çast për të” — iniciativa për fuqizimin e grave inaugurohet në Aeroportin “Adem Jashari”

“Një çast për të” — iniciativa për fuqizimin e grave inaugurohet në Aeroportin “Adem Jashari”

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” u inaugurua këndi “Një çast për të”, një iniciativë e Fondacionit Jahjaga, e mbështetur nga Ambasada e Turqisë në Kosovë. Siç bëhet e ditur në njoftim, ky kënd, i cili ndodhet në ambientet e Unifree, paraqet produkte të krijuara nga gratë që kanë mbijetuar dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë. "Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës mbetet i përkushtuar në mbështetjen e iniciativave që promovojnë fuqizimin e grave, dinjitetin njerëzor dhe vlerat e solidaritetit. Ne qëndrojmë me krenari pas çdo përpjekjeje që ngre komunitetin tonë dhe forcon rolin e grave në shoqëri", thuhet në njoftimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Tutje, thuhet se Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, është një vend që gjithmonë mirëpret iniciativa që frymëzojnë ndryshime pozitive. /Telegrafi/

Moti sot në Maqedoninë e Veriut

Moti sot në Maqedoninë e Veriut

Moti sot me vranësira të ndryshueshme dhe me diell. Do të fryjë dhe erë e dobët nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 5 deri në 8, ndërsa ajo maksimale do të arrij prej 12 deri në 17 gradë. Në Shkup dhe rrethinë moti do të jetë i ngjashëm. Paradite me vranësira të ndryshueshme dhe reshje shiu. Do të fryjë dhe erë mesatare nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të ulet në 7, ndërsa ajo maksimale do të arrij në 15 gradë Celsiusë.

Demokratët korrin fitore në zgjedhje - amerikanët refuzojnë politikat e ndjekura nga Trump

Demokratët korrin fitore në zgjedhje - amerikanët refuzojnë politikat e ndjekura nga Trump

Votuesit përgjatë Bregut Lindor i dhanë Partisë Demokrate një fitore të plotë të martën, duke zgjedhur kandidatë nga i gjithë spektri ideologjik i partisë, në një shfaqje të gjallë pakënaqësie ndaj presidentit amerikan, Donald Trump, pothuajse një vit pas fillimit të mandatit të tij të dytë. Në Virginia, ish-kongresistja e moderuar Abigail Spanberger arriti performancën më të fortë demokrate në historinë e afërt të shtetit, duke fituar me lehtësi. Ndërkohë në New Jersey, një tjetër poltikane e moderuar, kongresistja Mikie Sherrill, prishi koalicionin që Trump dhe rivali i saj republikan, ish-ligjvënësi i shtetit Jack Ciattarelli, kishin ndërtuar për të ngushtuar hendekun politik në zgjedhjet e fundit në “Garden State”, raporton cnn. Në qytetin e New Yorkut, fitorja e socialistit demokrat Zohran Mamdani shënoi herën e dytë këtë vit që ai e mposhti ish-guvernatorin Andrew Cuomo - fillimisht në zgjedhjet paraprake demokrate dhe më pas në zgjedhjet e përgjithshme, ku Cuomo garoi si i pavarur i mbështetur nga Trump. Zohran Mamdani mundi miliarderët dhe u bë kryetari i parë mysliman i New Yorkut Fitoret e demokratëve me dallime të theksuara ideologjike nuk do ta zgjidhin shumë debatin e brendshëm afatgjatë të partisë për drejtimin që duhet të ndjekë, me një sërë zgjedhjesh paraprake konkurruese që afrohen dhe me zgjedhjet paraprake presidenciale të vitit 2028 që tashmë po duken në horizont. Megjithatë, fushatat e tyre kishin disa pika të përbashkëta. Edhe pse zgjidhjet e tyre ndryshonin, të gjithë kandidatët u përqendruan te çështja e përballueshmërisë së jetesës. Dhe të gjithë ishin kritikues të ashpër të politikave të Trumpit. “Nuk është vetëm një mesazh për demokratët; është një mesazh për të gjithë vendin tonë. Mendoj se amerikanët janë të tmerruar nga ajo që po shohin të dalë nga kjo administratë”, tha për CNN kongresistja e New Yorkut, Alexandria Ocasio-Cortez, nga festa e fitores së Mamdanit. Në Kaliforni, votuesit miratuan një nismë për rishpërndarjen e zonave elektorale, që synon të rrisë shanset e demokratëve në betejën e vitit të ardhshëm për kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve. Dhe në Pensilvani, gjyqtarët demokratë të Gjykatës së Lartë të shtetit fituan votimet e tyre për riemërim, duke i lejuar demokratët të ruajnë shumicën në gjykatën e lartë të këtij shteti tradicionalisht fushëbetejë, ku sfidat ligjore për rregullat e votimit janë pothuajse të pashmangshme. /Telegrafi/

Aktorja Sydney Sweeney zbulon se është beqare

Aktorja Sydney Sweeney zbulon se është beqare

Aktorja Sydney Sweeney ka vendosur të zbulojë detaje të reja rreth jetës private. Pasi i dha fund fejesës me Jonathan Davinon dhe thashethemeve për një lidhje me Scooter Braun, Sweeney zbuloi se është beqare. "Jam beqare. Nuk po kërkoj një burrë tani për tani. Ajo që kam mësuar këtë vit është se kam një grup të shkëlqyer miqsh dhe se jam e fortë dhe e pavarur, dhe se do të jem mirë", tha ajo për GQ. Sydney Sweeney Sweeney deklaroi se është e hapur për dashuri të re, nëse kjo ndodh spontanisht. "Nëse dashuria më gjen, do të më gjejë. Jam romantike, kështu që shpresoj që dashuria të më gjejë, por nuk jam lloji i personit që dëshiron të dalë gjatë gjithë kohës. Besoj në dashurinë e vërtetë dhe dua të jem me dikë për pjesën tjetër të jetës sime", tha tutje. "Mendoj se nëse do t'u jepja të gjithëve akses, nuk do të kisha asgjë për veten time. Jam thjesht një grua 28-vjeçare që ende po përpiqet të kuptojë gjërat, ende po mëson, ende po bën gabime dhe ende po rritet. Mendoj se është e rëndësishme ta bësh këtë pa komentuar vazhdimisht për çdo veprim të vetëm", tha Sweeney. Aktorja konfirmoi për Entertainment Tonight në shtator të vitit të kaluar se planifikimi i dasmës me Jonathan nuk kishte filluar ende sepse ajo ishte shumë e zënë me punë. Në mars të këtij viti, pas shtatë vitesh lidhje, çifti konfirmoi se kishin ndërprerë fejesën dhe ishin ndarë. /Telegrafi/

“Më bindën se kanë gjasë t’i bëjnë numrat”, të gjitha zhvillimet pas mandatimit të Glauk Konjufcës për formimin e Qeverisë

“Më bindën se kanë gjasë t’i bëjnë numrat”, të gjitha zhvillimet pas mandatimit të Glauk Konjufcës për formimin e Qeverisë

Këshilli i Lëvizjes Vetëvendosje të martën mbajti mbledhje, gjersa pas përfundimit të saj njoftoi se kanë propozuar Glauk Konjufcën për mandatar të dytë për formimin e qeverisë. Konjufca në një fjalim të mbajtur para anëtarëve të Këshillit të LVV theksoi se pranon këtë nominim dhe është i gatshëm të marrë mandatin për kryeministër. Sipas tij, kjo përgjegjësi është një thirrje nga detyra publike: “Këtë e bëj si thirrje nga detyra e cila na shndërron në shërbëtor të interesit publik. LVV-ja e ka definuar këtë interes në dy shtylla në rrethanat aktuale. Shmangia e dy palë zgjedhjeve të mundshme brenda tre muajsh dhe së dyti, votimin e buxhetit për vitin 2026, pa të cilin rrezikohen dimensionet vitale të qytetarëve tanë prej mbi 80 mijë pagave të sektorit publik, pensionet e shtesat e fëmijëve, deri te projektet ekzistenciale për shoqërinë tonë. Do të ishte e pafalshme nëse për shkak të tekave të partive politike e humbim mundësinë e përfitimit të benefitve qindra milionëshe duke u krekosur se po shkojmë në zgjedhje. Edhe dy procese tjera nuk na presin, RTK-ja mbet pa pagat e tyre e po ashtu nuk ka kurrfarë afat shtesë për buxhetin e tri komunave", u shpreh Konjufca. Çështje të tjera që janë me urgjencë për miratim tha se janë Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, buxheti për transmetuesin publik të Kosovës dhe buxhetet për tri komuna: Prishtina, Gjilani, Zubin Potoku. "Partitë e tjera e kanë në dorë nëse duan të bëjmë zgjedhje tani. Por, mua më duket se shpata e gjykimit është më e mprehtë se më parë", tha tutje Konjufca. E po të martën, presidentja ka takuar në orët e paradites liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe më pas atë të PDK-së, Memli Krasniqi dhe të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Pse Haradinaj nuk shkoi në takim me Osmanin? Pas takimeve të zhvilluara, e para e shtetit Vjosa Osmani ka mbajtur një konferencë për media ku njoftoi se ia ka dhënë mandatarin për formimin e Qeverisë së re kandidatit të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca. Në një deklaratë për media, Osmani theksoi se Kushtetuta e Kosovës e detyron presidentin të emërojë mandatarin e dytë në rast se përpjekja e parë dështon. “Kushtetuta nuk thotë ‘mund të emëroj’, por thotë ‘emëron kandidatin tjetër’ në rast se dështon i pari. Gjuha e përdorur në Kushtetutë është obligative, pra e detyron presidenten e vendit ta emërojë mandatarin e dytë,” tha Osmani. Ajo shtoi se vendimi i saj është në përputhje me tri aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese dhe neni 95.4 të Kushtetutës. “Kushtetuesja nuk thotë mund të emërojë, por emëron nëse dështon i pari. Kushtetua nuk i lë hapësirë presidentes për mos-emërim të kandidatit të dytë atëherë kur ka një mandatar. Gjuha e përdorur në Kushtetutë është obligative, pra e detyron presidenten ta emërojë kandidatin e dytë”, ka thënë ajo. Osmani theksoi se LVV-ja e ka bindur se ka gjasa që ta formojë ekzekutivin, ndërkaq tha se garanci nuk i ka dhënë sepse nuk kërkohet me Kushtetutë. Nëse do të kishte dy kandidatë, Osmani tha se asaj do t’i duhej të bindej se kush nga ta ka më shumë gjasa për formimin e ekzekutivit. “Askund në Kushtetutë dhe aktgjykime nuk kërkohen garanci, kërkohen gjasa dhe ka dallim të madh mes garancisë dhe gjasës. Garancia jepet në Kuvend, kurse gjasat ofrohen në zyrën time. Sikur të ishin dy apo më shumë kandidatë unë duhet ta shihja se kush i ka gjasat më të mëdha. Nga LVV-ja kanë besim të plotë se mund të arrijnë votat e nevojshme, por kjo ju takon atyre që t’i bëjnë votat. Mua më takon që të bindem që kanë gjasa dhe mua më kanë bindur që kanë gjasa”, tha Osmani. “Askund në Kushtetutë nuk kërkohen garanci, kërkohen gjasa, dhe ka dallim të madh mes garancisë dhe gjasave. Garancia jepet në Kuvend prandaj edhe kërkohen votat aty, ndërsa gjasat ofrohen në zyrën time,” tha Osmani. Ndërsa, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se kandidati i propozuar nga LVV-ja, Glauk Konjufca, disponon të gjitha votat që Kurti i kishte marrë vetë më 26 tetor në Kuvend, pra 56 vota. “Konjufca i ka të gjitha votat që i kam pasur unë. Ju e dini që më 26 tetor në Kuvend unë mora 56 vota. Ato i ka sigurt edhe Glauku, ndoshta ka edhe më shumë, por më pak nuk mund të marrë. Maksimumi im është minimum i Glaukut, prandaj le të përpiqemi maksimalisht”, tha Kurti. Ai shtoi se nuk sheh mundësi për koalicion me partitë tjera për formimin e Qeverisë së re. Në zgjedhjet e 9 shkurtit, PDK-ja ka fituar 24 ulëse, LDK-ja 20, AAK-ja pesë dhe tre deputetë ka Nisma Socialdemokrate, që në zgjedhje garoi në listë të përbashkët me AAK-në. Pasi LVV prezantoi mandatarin e dytë pati reagime edhe nga partitë tjera, PDK, LDK e AAK. Partia Demokratike e Kosovës vlerësoi se vendi ndodhet përpara një momenti vendimtar politik dhe institucional, që kërkon vendime të qarta, të përgjegjshme dhe në përputhje me realitetin politik në Kuvendin e Republikës së Kosovës. "Në një situatë ku është e qartë se shumica shqiptare në Kuvend, së bashku me disa deputetë të komuniteteve joshumicë joserbe, kanë shprehur qëndrimin e prerë se nuk kanë votë për një mandatar tjetër nga Lëvizja Vetëvendosje, çdo tentativë për t’ia dhënë sërish mandatin kësaj partie do të përbënte humbje kohe, zvarritje të panevojshme dhe thellim të mungesës së besimit në institucione", thuhet në reagimin e tyre. Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka vlerësuar se asnjë parti politike nuk e zotëron shumicën e nevojshme parlamentare për të formuar qeverinë e re. LDK-së theksoi tutje se shtyrjet procedurale dhe interpretimet e stisura vetëm sa thellojnë pasigurinë politike dhe dëmtojnë besimin e qytetarëve në institucionet e Republikës. “LDK-ja apelon për veprim të shpejtë, të përgjegjshëm dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe afatet ligjore. Dalja nga bllokada institucionale nuk mund të kërkohet përmes veprimeve jo-kushtetuese e marrëveshjeve të paqarta, por përmes kthimit te sovrani, te qytetari. Zgjedhjet e reja tashmë janë domosdoshmëri”, thuhet në njoftim. Lidhur me zhvillimet reagim ka pasur edhe nga lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai në një postim në Facebook shkruan se presidentja e vendit nuk ka mandat ta mandatojë askënd për krijimin e qeverisë, pa dëshminë se kandidati i nominuar e ka shumicën e nevojshme. “Shumica e nevojshme dëshmohet vetëm me nënshkrime të deponuara të deputetëve. Në çdo situatë tjetër presidentja bën shkelje të rëndë kushtetuese. Kandidatura e dytë nga VV për qeveri është veç përpjekje për të vazhduar kapjen e institucioneve të shtetit, në kundërshtim me krejt normat kushtetuese e politike”, tha ai. /Telegrafi/

Zohran Mamdani mundi miliarderët dhe u bë kryetari i parë mysliman i New Yorkut

Zohran Mamdani mundi miliarderët dhe u bë kryetari i parë mysliman i New Yorkut

Kandidati demokrat, Zohran Mamdani u zgjodh të martën kryebashkiaku i 111-të i New Yorkut, duke mposhtur ish-guvernatorin, Andrew Cuomo dhe kandidatin republikan, Curtis Sliwa, dhe shkroi histori si myslimani i parë që bëhet kryebashkiak i qytetit. Politikani 34-vjeçar, demokrato-socialist dhe anëtar i asamblesë shtetërore nga Queens, siguroi fitoren me më shumë se 50 për qind të votave. Cuomo (67) përfundoi i dyti me pak mbi 40 për qind, ndërsa kandidati republikan Curtis Sliwa mori pak mbi 7 për qind të votave. Fitorja historike e Mamdanit u shpall në mes të një vale fitoreje demokratike në të gjithë vendin, ndërsa kongresistja Abigail Spanberger u bë guvernatorja e parë e Virginias, Mikie Sherrill mundi kundërshtarin e mbështetur nga presidenti amerikan, Donald Trump në New Jersey, dhe Kalifornia votoi një propozim për rishpërndarje zonash që do t’i sillte partisë pesë vende të reja në Kongres. Turma në festën zgjedhore të Mamdanit në Brooklyn Paramount shpërtheu në gëzim pasi Associated Press e shpalli fituesin e garës. Njerëzit brohoritnin dhe përqafoheshin nga gëzimi. Përveçse është myslimani i parë që bëhet kryebashkiak i New Yorkut, Mamdani është gjithashtu kryebashkiaku i parë me origjinë nga Azia e Jugut dhe më i riu në më shumë se një shekull. Kryebashkiaku aktual, Eric Adams, i cili kandidonte për një mandat të dytë si i pavarur, u tërhoq nga gara në muajin shtator. Kur Mamdani nisi fushatën për kryebashkiak vjeshtën e kaluar, ai ishte një deputet shtetëror relativisht i panjohur. Por mesazhi i tij, i përqendruar në përballueshmëri dhe udhëtimet e shumta nëpër qytet, fitoi shpejt mbështetje dhe rezonoi me mijëra banorë të New Yorkut. Programi i tij parashikonte ngrirjen e qirave për banesat me qira të stabilizuara, ndërtimin e më shumë banesave të përballueshme, rritjen e pagës minimale në 30 dollarë në orë, transport publik falas me autobusë, taksa më të larta për më të pasurit e qytetit dhe më shumë masa progresive. Gara tërhoqi vëmendje kombëtare dhe politikanë e analistë nga e gjithë spektri politik morën pjesë në debat. Madje edhe Donald Trump u përfshi, duke e quajtur Mamdanin “radikal” dhe “komunist”. Të hënën, në prag të zgjedhjeve, Trump mbështeti Cuomon për kryebashkiak, duke thënë se nëse Mamdani fiton, do të ishte “shumë pak e mundshme” që qyteti të merrte fonde federale “përveç atyre minimalisht të nevojshme”. “Pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo personalisht Andrew Cuomo, në të vërtetë nuk keni zgjedhje tjetër. Duhet të votoni për të dhe të shpresoni që do të bëjë një punë të shkëlqyer. Ai është i aftë për këtë, Mamdani jo!”, shkroi Trump në një postim në Truth Social. Miliarderi Elon Musk gjithashtu u bëri thirrje banorëve të New Yorkut të votonin për Cuomon. I lindur në Ugandë nga prindër indianë, Mamdani u shpërngul në New York me familjen e tij në moshën shtatëvjeçare dhe u bë qytetar amerikan në vitin 2018. Në muajin korrik, Trump përmendi mundësinë e heqjes së shtetësisë së Mamdanit – një kërcënim që ai e dënoi si “jo vetëm një sulm ndaj demokracisë sonë, por edhe një përpjekje për t’u dërguar mesazh çdo njujorkezi që refuzon të fshihet në hije: nëse flisni, do të vijnë pas jush”. Pavarësisht sulmeve, fushata e Mamdanit pati një efekt domino në të gjithë vendin. Në muajin gusht, The Guardian raportoi se fushata e tij kishte frymëzuar mbi 10 mijë progresistë në SHBA të shqyrtojnë kandidimin për poste publike. /Telegrafi/

Nvidia dhe Deutsche Telekom do të ndërtojnë një qendër të dhënash prej 1 miliard eurosh në Gjermani

Nvidia dhe Deutsche Telekom do të ndërtojnë një qendër të dhënash prej 1 miliard eurosh në Gjermani

Nvidia dhe Deutsche Telekom raportohet se do të bashkëpunojnë për të ndërtuar një qendër të dhënash në Mynih, Gjermani. Burime të paidentifikuara i thanë Bloomberg se të dy kompanitë do të financojnë së bashku projektin prej 1 miliard eurosh (1.2 miliardë dollarë), i cili do të ketë si klient kompaninë e softuerëve për ndërmarrje SAP, përcjell Telegrafi. Detajet rreth kapacitetit, madhësisë dhe vendndodhjes së saktë të objektit në Mynih nuk u zbuluan. Zëdhënësit e Deutsche Telekom dhe Nvidia refuzuan të komentojnë. Gjatë fitimeve të tremujorit të dytë, Deutsche Telekom tha se po punonte me Nvidia për të ndërtuar cloud-in e parë industrial të inteligjencës artificiale në botë për prodhuesit evropianë në Gjermani, i cili do të lansohet në vitin 2026. Nuk është e qartë nëse ky njoftim i referohet të njëjtit objekt të përmendur në raportin e Bloomberg. Në atë kohë, Deutsche Telekom tha se projekti do të vendoset në shtetin perëndimor të North Rhine-Westphalia, i cili është në një distancë të konsiderueshme nga Mynihu, i vendosur në shtetin jugor të Bavarisë. SAP dhe Deutsche Telekom ishin ndër kompanitë që propozuan të organizonin një qendër të dhënash në shkallë të gjerë si pjesë e iniciativës së Bashkimit Evropian për gigafabrikën e Inteligjencës Artificiale. /Telegrafi/