Konferenca më e madhe rajonale rikthehet – GrowthTank sjell frymëzim në marketing, AI dhe inovacion

Konferenca më e madhe rajonale rikthehet – GrowthTank sjell frymëzim në marketing, AI dhe inovacion

GrowthTank , një nga konferencat më të rëndësishme për marketing digjital, inteligjencë artificiale dhe kreativitet, rikthehet këtë vit me një edicion që premton të mbetet në kujtesën e të gjithëve. Ky event është një vend takimi ku inovacioni bashkohet me energjinë njerëzore, duke krijuar një ambient frymëzues për profesionistët e fushës. Pjesëmarrësit e GrowthTank do të kenë mundësinë të dëgjojnë nga mysafirë specialë, të njohur dhe të dalluar në industrinë e marketingut dhe teknologjisë. Ekspertët më të mëdhenj evropianë do të ndajnë njohuri, strategji dhe trende të fundit, duke u dhënë pjesëmarrësve një vizion të qartë për të ardhmen e marketingut dhe kreativitetit në epokën dixhitale. Mes mysafirëve specialë janë Diella, ministrja e parë në botë e Inteligjencës Artificiale, Davide Colla, Drejtor Kreativ dhe profesor, rikthehet me prezantimin e tij “I Am No One”, Dr. Daniel Hulme, inovator i AI-së dhe CEO i Satalia, Bind Reka, themelues i Tomado dhe bashkë-themelues i GrowthTank, Emir Dauti, ekspert për Paid Social dhe Performance Strategist në DEPT e shumë të tjerë. Konferenca poashtu do të ofroj punëtori interaktive, debate që frymëzojnë dhe zhvillojnë aftësitë e pjesëmarrësve. Pjesëmarrësit do të largohen me ide konkrete, kontakte të reja dhe njohuri praktike për t’i aplikuar menjëherë në projektet e tyre. GrowthTank nuk është thjesht një konferencë - është një pikë takimi për profesionistë dhe liderë të industrisë, ku ide të reja dhe eksperienca ndahen pa kufij. Këtu lindin bashkëpunime, krijohen rrjete profesionale dhe frymëzohet inovacioni që zgjasin gjatë gjithë vitit. Për këdo që dëshiron të jetë përpara trendeve dhe të përjetojë të ardhmen e marketingut dhe teknologjisë, GrowthTank është vendi që nuk duhet humbur. Siguro bileten dhe b ë hu pjes ë e konferenc ë s m ë t ë madhe n ë rajon: https://www.kick-tick.com/event/growth-tank/ Për më shumë detaje rreth konferencës, ju lutemi vizitoni: growth-tank.com

Paralajmërimi i BSH, e ardhmja e Shqipërisë kërcënohet nga emigrimi

Paralajmërimi i BSH, e ardhmja e Shqipërisë kërcënohet nga emigrimi

E ardhmja e Shqipërisë kërcënohet nga emigrimi. Plakja e popullsisë dhe emigrimi i fuqisë punëtore janë rreziqe për potencialet e rritjes ekonomike të vendit. Shqetësimin e ngriti sërish guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. “Zhvillimet demografike jo të favorshme dhe ndryshimet strukturore në tregun e punës po e bëjnë mjedisin ekonomik më të ndërlikuar. Të gjitha këto trende po i vendosin sistemet financiare dhe politikat monetare e ekonomike përballë sfidave të reja dhe risive komplekse, të cilat kërkojnë analiza të thelluara, kuptim më të mirë të veprimeve ndërsektoriale dhe vendimmarrje të bazuar në prova e rigorozitet shkencor”, tha Sejko, përcjell A2 CNN. Nga Workshop-i e 19-të i Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore, Sejko tregoi edhe faktorët e tjerë të jashtëm që kërcënohen të ardhmen e vendit. “Pasiguritë globale si pasojë e tensioneve gjeopolitike, ndryshimet në zinxhirët e furnizimit dhe luhatjet e çmimeve ndërkombëtare të energjisë e ushqimeve vazhdojnë të ndikojnë pritshmëritë e agjentëve ekonomikë dhe kushtet tregtare të vendit. Njëkohësisht, tranzicioni drejt një ekonomie më të gjelbër dhe digjitale kërkon investime të mëdha publike e private, rritje të produktivitetit dhe përshtatje të strukturës së prodhimit. Nga ana tjetër, ndryshimet demografike, si plakja e popullsisë dhe emigracioni i vazhdueshëm i forcës së punës, po kufizojnë ofertën e burimeve njerëzore, duke ndikuar në potencialin afatgjatë të rritjes ekonomike”, tha Sejko. Ndaj është urgjente të lëvizet në drejtim të politikave që e konsiderojnë individin si kapitalin më të çmuar të shoqërisë. “Në këtë mjedis të ri, gati të paparashikueshëm, rritja ekonomike e qëndrueshme dhe ruajtja e stabilitetit makroekonomik është një sfidë më vete, e cila kërkon politika të kujdesshme monetare e fiskale, rritje të efikasitetit të tregjeve financiare dhe zhvillim të mëtejshëm të tyre. Në këtë kontekst, nevojiten reforma të rëndësishme transformuese për të rritur produktivitetin përmes: inovacionit, investimeve, përmirësimit të klimës së biznesit, rritjes së konkurrencës”. Banka e Shqipërisë pret që rritja ekonomike të vazhdojë me ritme solide, e nxitur nga turizmi dhe investimet. (A2 Televizion)

Pas ndalimit të prodhimit, Lladrovci: Drenasi ndien peshën e krizës në “Ferronikel”

Pas ndalimit të prodhimit, Lladrovci: Drenasi ndien peshën e krizës në “Ferronikel”

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka shprehur shqetësimin dhe solidaritetin e tij me punëtorët e kompanisë “Ferronikeli”, pas vendimit të menaxhmentit për largimin e qindra punonjësve si pasojë e ndërprerjes së prodhimit. Në reagimin e tij, Lladrovci thekson se komuna është në dijeni për vështirësitë e shfaqura në kompleksin industrial “Ferronikeli” dhe për faktin që prodhimi është ndalur që nga tetori i vitit 2023, duke shtuar se kompania është detyruar të ndërmarrë këtë hap në përputhje me Ligjin e Punës, përcjell Telegrafi. “Në emër të Komunës së Drenasit, shpreh keqardhje për situatën e krijuar dhe solidaritet të plotë me të gjithë punëtorët e prekur nga ky vendim. Uroj që kushtet e tregut të përmirësohen sa më parë, në mënyrë që të mundësohet rifillimi i prodhimit dhe ripunësimi i punëtorëve të larguar”, ka deklaruar Lladrovci. Ai ka kujtuar se “Ferronikeli” ndër vite ka qenë një ndër kontribuuesit kryesorë të ekonomisë kosovare, veçanërisht në rritjen e eksportit të vendit, dhe ka shprehur shpresën që gjiganti industrial të rifitojë vitalitetin e tij. “Shpresojmë që ‘Ferronikeli’ të rikthehet sa më shpejt në punë dhe të vazhdojë të mbetet një shtyllë e fortë e zhvillimit ekonomik të Drenasit dhe Kosovës”, ka shtuar Lladrovci. / Telegrafi /

Shqiptarët e Malit të Zi kërkojnë vende të garantuara në Parlament

Shqiptarët e Malit të Zi kërkojnë vende të garantuara në Parlament

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Malit të Zi dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, në emër të shqiptarëve në Mal të Zi, u ka dërguar një letër ambasadorëve të vendeve të Bashkimit Evropian në Podgoricë, ku kërkon që përfaqësuesve të kësaj pakice t’u garantohen vende të rezervuara në Parlamentin e Malit të Zi. Në letër theksohet se shqiptarët në Mal të Zi përbëjnë pakicën kombëtare dhe gjuhësore autoktone dhe të vetmen jo-sllave, e cila ka kontribuar në zhvillimin dhe identitetin e vendit për shekuj me radhë. Forumi Shqiptar njoftoi se i ka dërguar letër të gjitha ambasadave të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, delegacionit të BE-së në Mal të Zi, si dhe ambasadorëve të vendeve partnere – SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Shqipërisë dhe Kosovës – lidhur me “njërën nga çështjet kyçe të zhvillimit demokratik të Malit të Zi: sigurimin e përfaqësimit adekuat dhe të qëndrueshëm politik të popujve pakicë, veçanërisht të komunitetit shqiptar”. “Megjithatë, përfaqësimi politik i shqiptarëve ende varet nga një prag elektoral dhe fragmentimi i votave, pa asnjë garanci kushtetuese apo ligjore. Një zgjidhje e tillë nuk është në përputhje me standardet evropiane dhe paraqet një burim të vazhdueshëm të paqëndrueshmërisë politike”, thuhet në reagimin e Forumit Shqiptar. /Telegrafi/

Reuters: Ushtria amerikane do të vendoset në bazën ajrore të Damaskut

Reuters: Ushtria amerikane do të vendoset në bazën ajrore të Damaskut

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përgatiten që të kenë prani në një bazë ajrore në Damask që të ndihmojnë zbatimin e një pakti sigurie që Uashingtoni po ndërmjetëson ndërmjet Sirisë dhe Izraelit, kanë thënë të enjten (06.11.2025) ekskluzivisht për Reutersin gjashtë burime të informuara me rrjedhat. Planet amerikane për prani në kryeqytetin sirian, për […] The post “46 ditë e mbajti në sirtar buxhetin e Prishtinës”- Bajrami i kundërpërgjigjet Muratit appeared first on Raporto Korrupsionin! KALLXO.com .

Fred Brandt (1944): Me partizanët në Shqipëri

Fred Brandt (1944): Me partizanët në Shqipëri

I lindur në Shën Petersburg (Rusi) dhe i rritur në Letoni, Dr. Fred Hermann Brandt [1901-1994] ishte figurë e inteligjencës ushtarake gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Si entomolog, kishte udhëtuar në Iran gjatë viteve 1937-1939 për të studiuar dhe mbledhur flutura dhe tenja, duke botuar disa artikuj shkencorë mbi rezultatet e ekspeditave të tij. Gjatë luftës, si pjesëtar i Vermahtit gjerman, Brandt u trajnua si agjent kundërzbulimi dhe drejtoi një batalion të njësive Brandenburg në vitet 1939-1940. Fillimisht u dërgua në Afganistan, si gjoja pjesë e një "komisioni kërkimesh për lebrën", ku inteligjenca gjermane kishte depërtuar në fiset pashtune dhe shpresonte të organizonte një kryengritje kundër britanikëve. Në fillim të vitit 1944, Fred Brandt dhe disa nga burrat e tij taxhikë u dërguan nga Vermahti në Veri të Shqipërisë për të ngritur një bazë në Nikaj, me qëllim sigurimin e rrugëve të tërheqjes së gjermanëve nga Jugu. Aty ai ishte në kontakt të ngushtë dhe miqësor me oficerët britanikë të inteligjencës. Në fillim të tetorit 1944, pasi humbi kontaktin me inteligjencën gjermane në Pejë dhe Beograd dhe pasi dëgjoi se shumë oficerë gjermanë po arrestoheshin dhe pushkatoheshin si tradhtarë nga udhëheqja naziste, Brandti vendosi të shoqëronte oficerët britanikë drejt Lezhës dhe me anije për në Bari - si rob lufte. Në një artikull për të botuar në periodikun britanik Sunday Pictorial në vitin 1957, shumë kohë pas Luftës së Dytë Botërore, Fred Brandt u përshkrua si “koloneli dinak i fluturave. Ai shtirej se donte vetëm të kapte flutura, ndërkohë që në të vërtetë ishte koloneli Brandt, mjeshtër i spiunazhit armiqësor, që përpiqej të mbyllte një rrjet vdekjeje rreth agjentëve britanikë ... Ky njeri merimangë ishte mjeshtri i agjentëve nazistë, një nga njerëzit më të pabesueshëm në historinë e errët të spiunazhit dhe tradhtisë gjatë luftës”. Në vitin 1973, Fred Brandt shkroi dhe botoi raportin e mëposhtëm mbi veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme në Shqipëri. Nga: Fred Brandt [1] Përkthimi në anglisht (nga gjermanishtja): Robert Elsie Përkthimi në shqip (nga anglishtja): Agron Shala / Telegrafi.com Eprori im në Pejë, një kapiten i inteligjencës, më shpjegoi se kishte marrë një urdhër nga Beogradi për të ngritur një bazë në Alpet Shqiptare, në perëndim të Gjakovës. Qëllimi ishte të pengoheshin oficerët britanikë të Shërbimit të Inteligjencës që t’u jepnin shqiptarëve armë e pajisje, dhe t’i inkurajonin ata të ndërprisnin rrugët tona të furnizimit drejt Jugut dhe të hidhnin në erë një minierë kromi që kishte rëndësi për përpjekjet e luftës. Unë duhej ta krijoja dhe ta mbaja këtë bazë të Vermahtit gjerman në Alpet Shqiptare, bashkë me disa taxhikë. Nga Peja deri te ky varg i ashpër malor ishin rreth 75 kilometra. Baza duhej të vendosej më thellë në male, në anën tjetër të qafës prej 1 800 metrash. Territori që të çonte në vargmal përbëhej nga pyje të dendura që shtriheshin 30 kilometra nga lumi i Valbonës. Në anën tjetër të kësaj rrjedhe ngriheshin shkëmbinjtë me gurë të Alpeve Shqiptare. Rajon kishte vetëm shtigje të ngushta, të përdorshme kryesisht nga mushkat. Baza do të ishte pra dy ditë të plota në marshim nga Peja, një faktor që krijoi problemin e parë - furnizimin. Para se të shprehja mendimin tim për planin, i kërkova eprorit leje për të eksploruar territorin. Ai pranoi. U nisa në ditët e para të marsit 1944 me gjashtë taxhikë dhe një shqiptar nga Gucia në Mal të Zi, për të arritur në pjesën më veriore të Alpeve Shqiptare. Armatimi ynë përbëhej nga shtatë mitraloza të lehtë, shtatë pistoleta dhe gjashtë granata dore për secilin. Shqiptari kishte një karabinë italiane dhe ne kishim municion të mjaftueshëm. Fillimisht kaluam qafën 2 000 metra që shënon kufirin mes Malit të Zi dhe Shqipërisë dhe që në atë kohë ishte ende e mbuluar me shtatë metra borë. Kishte një stuhi dëbore në pjesët e ngrira të qafës saqë na ngrihej fryma. Pas një marshimi pesëmbëdhjetë orësh, mbërritëm në luginën e ngushtë të Thethit ku u mirëprita nga një shqiptar që njihja. Prej këtu lëvizja nëpër fshatrat e mbuluar nga bora, lart e poshtë për tri javë, shumicën e kohës pa shtigje të qarta. Në këtë kohë mësova se udhëheqës i partizanëve, i një forcë prej rreth tre mijë vetash, ishte një shqiptar i quajtur Nik Sokoli. Më informuan se një oficer britanik ndodhej në selinë e tij që gjendej në një pjesë shkëmbore në Curraj, në Nikaj-Mërtur. Nik Sokoli kishte ngritur folenë e tij lart në shkëmbinj. Tani e dija ku duhej të shkoja. Vetëm pas takimit me Nik Sokolin do të dija nëse do të ishte e mundur të ngrihej baza në Alpet Shqiptare, siç ishte kërkuar. Pas dy ditësh të tjera marshimesh rraskapitëse - në disa raste duhej të hapnim vetë rrugën nëpër borën e thellë - mbërrita në luginën e Nikajt. Shtëpia e Nik Sokolit ndodhej në anën tjetër të luginës, lart në Shkëmbinjtë gri të Hekurës [?], pothuajse në vijën e pemëve. Kalova edhe dy ditë të tjera duke kërkuar një udhërrëfyes që të më çonte atje lart, por asnjë nga shqiptarët nuk ishte i gatshëm të shkonte me një ushtar gjerman për të vizituar burrat e fuqishëm. Më në fund vendosa të shkoja vetë. Bëra një shfaqje duke vendosur të gjitha armët e mia përpara kishës së Nikajt, në mënyrë që të gjithë të shihnin, dhe u nisa për të takuar Nik Sokolin. Veçse ishte mbrëmje kur u nisa dhe kalova urën e Currajit, dhe kishte errësirë të plotë kur arrita te shtëpitë e para në anën tjetër. Aty arrita të bind një shqiptar të moshuar të më shoqëronte. Arritëm në shtëpinë e Nik Sokolit rreth mesnate dhe kërkuam të na hapnin derën. Isha ulur mbi qilim pranë oxhakut, kur gruaja e Nik Sokolit, një serbe, hyri dhe më shpjegoi se burri i saj nuk ndodhej në shtëpi. Ajo pyeti çfarë doja. Thash se kisha ardhur si mik dhe se më duhej ta takoja burrin e saj. Pas mesnate, mbërritën dy partizanë. Ata thanë se do t’ia çonin mesazhin tim Nik Sokolit dhe se duhej të prisja aty për ta. Dy partizanët u kthyen mëngjesin tjetër dhe më thanë të shkoja pas tyre. Marshimi poshtë në luginë zgjati gati një orë, derisa mbërritëm në një fermë të izoluar që ishte plot me partizanë të armatosur rëndë. Më çuan në dhomën e miqve, ku Nik Sokoli ishte ulur pranë oxhakut. Rreth një duzinë partizanësh, oficerë të tij vartës, ishin ulur përdhe në të dy anët e dhomës. Sipas zakonit shqiptar, fillimisht më ofruan dy filxhanë të kafes së fortë turke si shenjë mirëseardhjeje. Nik Sokoli piu me mua. Pastaj ai pyeti se çfarë dëshiroja. Kërkova të flisja me të vetëm, pasi kisha një mesazh të rëndësishëm për të dhe më pas ai mund të vendoste vetë nëse do t’ua tregonte apo jo oficerëve të tij. Ai bëri një shenjë të shkurtër dhe të gjithë burrat dolën. Kur mbetëm vetëm, i thashë Nik Sokolit se kisha ardhur me urdhër të komandës së Ushtrisë Gjermane në Beograd për të ngritur një bazë në Nikaj. Nuk doja të vija si armik, por si mik, dhe do të jepja çdo ndihmë që mundesha. Anglezët do t’i konsideroja si mysafirë të tij dhe nuk do t’i sulmoja apo të përpiqesha t’i dëboja. Nuk ishte aq e thjeshtë për ta shpjeguar. Diskutuam gjithçka në hollësi derisa arritëm pikë për pikë në marrëveshje. Më në fund, Nik Sokoli më dha dorën në shenjë paqeje. Pastaj ma hoqi kapelën ushtarake dhe ma vuri plisin e bardhë shqiptar në kokë, duke e rregulluar me mjeshtëri nga mbrapa. Duhej ta mbaja këtë plis të bardhë në male që të gjithë shqiptarët të shihnin se kisha ardhur si mik. Përpara se të ktheheshin oficerët e tij, këshillova Nik Sokolin që të mos luftonte kundër trupave gjermane dhe të mos vritej për britanikët. Do të ishte më mirë të shtirej sikur po luftonte, të qëllonte andej-këtej në ajër dhe më pas t’u tregonte britanikëve se sa gjermanë kishte vrarë dhe sa automjete kishte shkatërruar etj. Në këmbim, ne do të hidhnim më shumë armë dhe çdo gjë tjetër që do të kërkonte. Ai atëherë nuk do të kishte frikë nga ndonjë hakmarrje gjermane. Nik Sokoli më shikoi i habitur pa thënë asnjë fjalë. E ndjeja se ai e kishte marrë këshillën time seriozisht. Kur u kthyen oficerët, Nik Sokoli u shpjegoi atyre se unë isha i ftuari i tij dhe i tyre në Nikaj dhe se do të ngrija një bazë, me gjashtë ushtarët e mi, gjë që do të ishte në dobi të të gjithëve. Burrat ishin entuziastë dhe shkëmbyen shumë puthje vëllazërore në faqe. Megjithatë, Nik Sokoli nuk u tregoi atyre atë që unë e kisha këshilluar për të bërë. Ky do të mbetej sekreti ynë. Më pas u ther një dash dhe u përgatit një gosti. Natën vonë u ktheva te burrat e mi te kisha e Nikajt. Me vete kisha dy partizanët që më kishin shoqëruar atë mëngjes te Nik Sokoli. Ai m’i kishte dhënë si shoqërues dhe luftëtarë të përhershëm. Të nesërmen në mëngjes marshuam drejt Lindjes me ta dhe pastaj u drejtuam nga Jugu për të anashkaluar malin përgjatë Drinit. Qafat e maleve ishin ende të mbuluara me borë dhe ishte e vështirë të kalohej. Mbrëmjen e asaj dite mbërritëm në fshatin Pajë, ku na prisnin, ndërsa na mirëpriti bajraktari vendas, një mik i Nik Sokolit. U bë një tjetër gosti, me ngrënie dhe pirje deri natën vonë. Të nesërmen vazhduam drejt Veriut përgjatë shpatit lindor të malit, derisa, në mbrëmje, arritëm te një urë mbi Valbonë. Lumi ishte i fryrë dhe mund të kalohej vetëm aty. Aty pranë ishte një shtëpi e vetme që shërbente si një dyqan i vogël. Kur u afruam, krisën të shtënat. Tashmë ishte errësirë, kështu që askush nuk mund të qëllonte drejtpërdrejt mbi ne. Dy partizanët tanë bërtitën për të shpjeguar kush ishim dhe të shtënat pushuan. Kur burrat tanë u shpjeguan atyre, edhe partizanëve, se ishim miq të Nik Sokolit dhe kështu miq të tyre, na mirëpritën dhe e kaluam natën aty. Herët, në mëngjesin tjetër, e kaluam urën e lëkundur mbi Valbonë dhe vazhduam përmes pyllit të mbuluar me borë të Bytyçit derisa arritëm në Degë. Këtu ka qenë një bazë britanike, në shkurt, por oficerët e Shërbimit të Inteligjencës kishin arritur të largoheshin me kohë. Tani ishte detyra ime të bashkoja skajet e rrjetës që ishte mbështjell këtu dhe që tani mbulonte gjithë Veriun e Shqipërisë. Njërin skaj të rrjetës e kisha tashmë në dorë - në Nikaj! Në Degë nuk kishte asgjë tjetër veçse rrënoja - as ushqim, as strehim. Prandaj, duhej të vazhdonim drejt Lindjes, përmes dëborës së thellë që po shkrihej, përtej lumenjve dhe përrenjve të fryrë. Vetëm në mbrëmje arritëm në një vendbanim ku mund të merrnim ushqim dhe strehë. Të nesërmen isha sërish në Pejë. Udhëtimi im zbulues, vëzhgimi im, kishte zgjatur tri javë. I raportova eprorit tim çfarë kisha parë, përjetuar dhe arritur. Ai u pajtua me gjithçka. Mora urdhër për të ngritur bazën në Nikaj dhe kisha liri të plotë veprimi. Në fillim të prillit 1944, ngrita pastaj bazën në Nikaj, me gjashtë taxhikë, në një shtëpi të cilën Nik Sokoli e kishte liruar për ne dhe ma kishte dhënë mua. Kishim në dispozicion një mitraloz, një mortajë të lehtë, shtatë mitraloza të lehtë, shtatë pistoleta dhe dhjetë granata dore për person. Të Dielën e Pashkëve mora fillimisht pjesë në meshën e kishës katolike të Nikajt, i shoqëruar nga vartësit e mi myslimanë. Pastaj u ngjitëm te shtëpia e Nik Sokolit për t’i bërë një vizitë për Pashkë. Aty takova majorin Neel, shefin e Shërbimit të Inteligjencës [britanike] në rajon. Nik Sokoli dhe burrat e tij ishin ulur përreth një tryeze të ulët (rreth 20 centimetra e lartë) me majorin britanik dhe përkthyesin e tij, një rreshter italian që fliste anglisht në mënyrë të përsosur. Armët tona i lamë të mbështetura për muri dhe u ulëm me ta. Ma lanë një vend për t’u ulur, pikërisht pranë majorit Neel. Ne të dy ishim mysafirë në shtëpinë e Nik Sokolit, kështu që nuk mund të kishte armiqësi. Pas një shtrëngimi të duarve me mirësjellje, majori Neel mbushi gotat tona të rakisë me uiski dhe pimë për shëndetin e njëri-tjetrit. Kjo caktoi ritmin për “miqësinë” e mëtejshme. Nik Sokolin e takova sërish disa ditë më vonë. Ai përmendi këshillën që i kisha dhënë për të mos luftuar kundër trupave gjermane, por thjesht të shtirej se po e bënte këtë dhe të mashtronte britanikët. Ai deklaroi se ishte i gatshëm ta bënte këtë nëse unë do t’i tregoja majorit Neel se nuk kisha kundërshtime për hedhje me parashutë në Nikaj dhe në rajonin përreth, përderisa materiali i hedhur do të ishte për Nik Sokolin. Pranova. Të nesërmen në mbrëmje, “dy” partizanët e mi erdhën të më merrnin për një takim tjetër me majorin Neel. E sigurova atë se nuk kisha asnjë kundërshtim nëse ai do të dëshironte të porosiste materiale nga Bari dhe t’ia jepte ato Nik Sokolit. I thashë se burrat e mi dhe unë madje do të ndihmonim për të varrosur parashutat. Nik Sokoli më kishte thënë se ky ishte një problem i madh. Kontejnerët shpesh përvetësoheshin nga partizanët “jo të rregullt” dhe ndonjëherë më shumë se gjysma e materialit humbiste. Hedhja tjetër me parashutë kaloi pa ndonjë pengesë. Nuk pati probleme dhe madje arritëm të rimerrnim parashutën me ar dhe postë për oficerët britanikë. Isha ai që shënova me zjarr vendin e uljes për hedhje, që pilotët të gjenin drejtimin e duhur natën. Ky ishte vetëm fillimi. Më vonë u ula me burrat, kur mallrat u shpërndan. Gjithashtu fitova miq edhe jashtë njësisë së Nik Sokolit dhe i këshillova edhe ata që të mos vriteshin për britanikët, por të jetonin në kurriz të tyre. Megjithatë, nuk arrita të hyja në kontakt me shqiptarët që ishin në gjak me legjionarët rusë në Pejë, të cilët ishin nën urdhrin e kapitenit tim të inteligjencës. Arsyet e gjakmarrjes do të tejkalonin shtrirjen e këtij raporti. Në mes të majit 1944, majori Neel sugjeroi që unë mund ta shoqëroja në një takim të oficerëve të Shërbimit të Inteligjencës në Veriun e Shqipërisë. Kisha pak kohë për të shqyrtuar propozimin, sepse ata synonin të niseshin atë mbrëmje. Mora me vete dy nga taxhikët e mi dhe “dy” partizanët e mi. Na shoqëronin Nik Sokoli me pesë burra, dhe majori Neel me përkthyesin e tij. Të gjithë ishim të armatosur rëndë kur u nisëm nga Nikaj. Pas një marshimi që zgjati disa ditë, kryesisht natën, arritëm në rajonin e Fushë-Lurës ku na dhanë udhërrëfyes që na shoqëruan në drejtim të Lindjes nëpër male, përtej Drinit të Zi. Baza britanike ndodhej në një shtëpi të vetmuar shqiptare e mbushur me armë dhe materiale të tjera. Kishte gjithashtu dy operatorë radioje. Pjesëmarrësit e tjerë mbërritën ditën tjetër. Ata ishin ndaluar nga disa shqiptarë që i kishin njohur dhe kishin informuar autoritetet gjermane. Si pasojë e kësaj, një njësi e SS-it u shfaq papritur dhe filloi të kontrollonte fshatin që përbëhej nga shtëpi të izoluara të bujqve, të vendosura larg njëra-tjetrës. Ne ikëm nga shtëpia jonë dhe u fshehëm në një pyll me shkurre, duke vëzhguar ngjarjet me dylbi. Bënte ftohtë dhe shiu i imët na kishte lagur tërësisht. Më në fund erdhi mbrëmja. Burrat e SS-it poshtë në luginë, të lodhur nga kërkimi i tyre i pasuksesshëm, po shikonin shtëpitë e pakontrolluara nëpër shpate. Ata ngritën supet në shenjë dorëheqjeje dhe u larguan, dhe ne u kthyem shpejt në strehën tonë të ngrohtë. Të nesërmen na u bashkuan edhe tetë oficerë të tjerë britanikë. Ishte një përzierje e çuditshme njerëzish: anglezë, gjermanë, taxhikë dhe shqiptarë, fatet e të cilëve ishin lidhur për një kohë të shkurtër. Menjëherë arritëm mirëkuptimin. Premtova të mbroja majorin Neel dhe njerëzit e tij nga rreziqet, në veçanti nga bandat e hajdutëve shqiptarë. Nga ana ime, dëshiroja të forcoja bazën time në Nikaj, por kjo varej nga eprori im në Pejë dhe nga Nik Sokoli. Shpreha kundërshtimin tim të qartë dhe pa ekuivoke ndaj çdo veprimtarie luftarake, edhe indirekte, që përfshinte trupat gjermane. Britanikët e pranuan këtë pozicion. U nisëm dhe dy ditë më vonë morëm secili rrugën tonë. Majori Neel dhe Nik Sokoli shkuan drejt Perëndimit për të takuar disa miq të tyre shqiptarë. Unë u nisa drejt Veriut për t’u kthyer te njerëzit e mi. Nuk e njihnim zonën dhe ajo ishte plot me partizanë. Oficeri britanik i vendosur atje, një major, na shoqëroi me njerëzit e tij deri në veri të Bihaçit [Bytyç?]. U kthyem në Pejë përmes Prizrenit dhe Gjakovës, ku raportova te eprori im dhe e informova për gjithçka. Ai u pajtua me kontaktet e mia me “konkurrencën” dhe tha se do të informonte Beogradin. Ai gjithashtu pyeti Beogradin për përforcime për njerëzit e mi. Një javë më vonë, një nënkolonel i shërbimit tonë të inteligjencës në Beograd mbërriti në Pejë. E informova për gjithçka. Ai ishte i bindur se urdhrat e mi nga Komanda e Ushtrisë mund të përmbusheshin vetëm në mënyrën që përshkrova. Më dha liri të plotë veprimi dhe miratoi njëzet taxhikë të tjerë për Nikaj. “Britanikët kanë plotësisht të drejtë”, tha ai, “nuk mund të mbash një bazë me gjashtë vetë”! Fjalët e tij të fundit ishin: “Vazhdo kështu”! Në fund të qershorit, u shfaq majori Neel me një tjetër oficer të Shërbimit të Inteligjencës, togerin Hibberdine, i cili fliste mirë gjermanisht, dhe me një operator radioje për të mbajtur lidhjen me Barin. Në fund të korrikut, me kërkesë të britanikëve dhe me aprovimin e eprorit tim, me ta ngrita një kamp të përbashkët në pyll. Ata ishin nën mbrojtjen time aty. Nik Sokoli dhe disa nga partizanët e tij kishin vendosur kampin në afërsi. Ata furnizoheshin me ushqim nga britanikët. Kisha urdhëruar që ushqimi dhe furnizimet të silleshin me mushka në një marshim të vështirë nga Peja, por tani rruga e kthimit ishte bllokuar nga partizanët. Si rrjedhojë, edhe ne tani furnizoheshim nga britanikët! Për më tepër, majori Neel më dha tre mitraloza, dy mortaja, njëzet e pesë mitraloza të lehtë dhe shumë municion, mjaftueshëm për një periudhë të gjatë lufte me bandat e partizanëve komunistë. E kaluam gjithë gushtin në kamp. Më pas, majori Neel mori urdhra të shkonte në rajonin e Shkodrës. Deklarova se isha i gatshëm ta shoqëroja me njerëzit e mi. “Asnjëherë nuk jam ndier më i sigurt në Shqipëri sesa nën mbrojtjen tënde”, më tha ai. Për këtë, ai ishte i detyruar të pranonte kontrollin tim mbi aktivitetet e tij. Për aq kohë sa ishim bashkë, majori Neel nuk mund të përfshihej askund në luftime kundër trupave gjermane. Nik Sokoli dhe njerëzit e tij erdhën gjithashtu me ne. Në fillim të shtatorit, ngritëm kamp në një bazë 1 600 metra të lartë në malet e Shllakut, në Veri të Shkodrës. Disa kilometra më poshtë ndodhej një lëndinë e gjatë në pyll, e përshtatshme për hedhje nga ajri. Rreth kësaj kohe, majori Neel mori urdhra për të shkatërruar një depo gjermane karburanti dhe për të hedhur në erë një urë mbi Drin. Ai mund t’i përmbushte këto urdhra vetëm me ndihmën e shqiptarëve. Unë, megjithatë, i detyrova ata të merrnin një vendim - të vazhdonin të ishin miqtë e mi apo miq të britanikëve. Ata më zgjodhën mua. Taxhikët e mi gjithashtu refuzuan të përfshiheshin në luftime kundër trupave gjermane, megjithëse togeri Hibberdine bëri gjithçka që mundi për t’i bindur që të bashkoheshin me anën e tij. Udhëheqës partizanë shqiptarë, që kishin ndikim, shfaqeshin gjithnjë e më shpesh në lëndinën pranë kampit tonë, që kishte një burim të mirë uji të rrjedhshëm - një rrallësi në këtë rajon të thatë. Unë shkoja atje pothuajse çdo ditë dhe nuk konsiderohesha më si i mbrojtur nga Nik Sokoli, por si komandanti i kampit britanik. Edhe vetë britanikët filluan të më konsideronin si “kolonelin” e tyre. Më trajtonin si të barabartë me ta. Së shpejti fitova ndjekës mes bajraktarëve dhe madje edhe Nik Sokoli deklaronte me krenari se ishte miku im! Një gjë ishte e qartë për të gjithë shqiptarët - nevoja për krijimin e një ushtrie kombëtare në Veri për të kundërshtuar partizanët komunistë që po formoheshin në Jug të vendit. Por, ku do t’i gjenin ata armët dhe pajisjet për një ushtri të tillë? Premtova se do të pyesja britanikët. Kisha filluar të ndihesha shumë i lidhur me këta shqiptarë dhe vuaja me ta për shkak të situatës së tyre. Atë mbrëmje, në darkë, fola me majorin Neel duke i shpjeguar se çfarë duhej bërë. Pas tërheqjes së forcave gjermane, duhej të krijohej dhe të mbështetej një qeveri kombëtare shqiptare. Ai reagoi me entuziazëm dhe premtoi se do të kontaktonte menjëherë Barin për këtë ide. Përgjigjja erdhi dy ditë më vonë - pajtim i plotë! Shqiptarët e Veriut do të merrnin gjithçka që u nevojitej, madje edhe armë, dhe ne duhej të informonim shtabin britanik për gjërat që kërkonin më urgjentisht. Të nesërmen në mëngjes, ua solla lajmin e mirë shqiptarëve në lëndinën e pyllit. Ata u gëzuan! Hapi tjetër ishte zgjedhja e një udhëheqësi për lëvizjen e rezistencës kombëtare. Zgjedhja ra mbi mua. Isha i pranueshëm për të gjitha palët dhe isha neutral. Katolikët më konsideronin si të tyrin. Myslimanët më konsideronin ndjekës të Allahut, dhe isha edhe mik i britanikëve, komandant i tyre, madje “kolonel”. Rreth kësaj kohe mora paralajmërim nga shqiptarët se SD-ja [Shërbimi nazist i Sigurisë] kishte vënë një çmim për kokën time - gjallë apo vdekur. Nuk u çudita. Kisha dëgjuar raporte në radio, ditë pas dite, dhe dija për valën e arrestimeve të oficerëve të shërbimit të inteligjencës gjermane. Edhe pse një “peshk i vogël”, asgjë më shumë se një ushtar i klasit të parë, kisha bashkëpunuar me britanikët për muaj me radhë. Çfarë prove kisha se po veproja sipas urdhrave? Asnjë. Nuk kisha asnjë ide se ku ndodhej eprori im, tani që Peja ishte evakuuar, dhe kush e di nëse nënkoloneli në Beograd do të më mbante mend? Shqiptarët ishin të ngazëllyer për rreth një javë. Grupe nga gjithë vendi vinin dhe donin të luftonin me ne. Forcat e reja të armatosura po fillonin të ngriheshin. Nik Sokoli kishte avancuar me njerëzit e tij deri në periferi të Shkodrës. Në total, tani kishim mbi 2 000 burra në anën tonë, të gjithë duke pritur britanikët për të hedhur pajisjet. Por, nuk mbërriti asgjë, përveçse një mesazhi për majorin Neel që të shkonte në bregdet afër Lezhës, me udhëheqësit shqiptarë, për të hipur në një anije të marinës britanike që do t’i çonte në Bari për një takim të rëndësishëm. Na u garantua një kalim i sigurt. Ishim gati për nisje kur mbërriti një mesazh i dytë. Nuk duhej të shkonim në bregdet, por në Mal të Zi, në zonën e Beranës, ku ishte një pistë britanike. Prej andej do të na fluturonin për në Itali. Shqiptarët, natyrisht, refuzuan të shkonin në Mal të Zi, te serbët, armiqtë e tyre të përbetuar. Si rrjedhojë, vetëm majori Neel, përkthyesi i tij italian dhe unë me tre nga njëzet e gjashtë taxhikët e mi u nisëm drejt Veriut. Pas disa ditësh marshimi, arritëm në Guci. Britanikët tashmë kishin braktisur pistën pranë Beranës, për shkak të trupave gjermane që po tërhiqeshin nëpër atë zonë. Situata atje ishte aq konfuze, saqë vendosëm të ktheheshim në kampin tonë në Shkodër. Atje morëm lajmin nga Bari se ishin tërhequr të gjitha premtimet e bëra ndaj shqiptarëve. Nuk do të merrnin as armë, as ushqim nga britanikët. Gjithçka kishte mbaruar! Majori Neel mori urdhër të largohej menjëherë nga kampi pranë Shkodrës dhe të shkonte drejt bregut të Adriatikut. Taxhikët e mi dhe unë kishim të drejtën të vendosnim vetë nëse donim ta shoqëronim. Nëse po, do të na garantohej statusi i robërve të luftës. Kjo ndodhi në fillim të tetorit 1944. Për herë të fundit zbrita në lëndinën e pyllit për t’ua bërë të ditur miqve të mi shqiptarë atë që kisha dëgjuar. Ishte një mision i hidhur dhe një lamtumirë e dhimbshme, tani që të gjitha shpresat tona të përbashkëta ishin shuar. Një lamtumirë, përgjithmonë. Nuk mund të bëja asgjë tjetër veçse të pranoja ofertën britanike. Nuk mund të qëndroja i vetëm në një vend që ishte në prag të një lufte civile. Disa ditë më vonë, arritëm në bregdet, në Jug të deltës së Drinit, në një pjesë të izoluar me laguna dhe kënetë. Pavarësisht vështirësive të mëdha teknike, arritëm të hipnim në dy anije të vogla luftarake. Dy udhëheqës kombëtarë shqiptarë erdhën me ne për të provuar, për herë të fundit, që të bindnin britanikët të ndryshonin mendjen. Por, edhe misioni i tyre dështoi. Nuk pati asnjë ndryshim. Britanikët u larguan që të gjithë, dhe shqiptarët u lanë të përballeshin vetëm me fatin e tyre. Unë qëndrova në kuvertë dhe pashë Alpet Shqiptare në Lindje teksa treteshin në mjegull. Kisha kaluar tetë muaj atje si ushtar gjerman, si një Brandenburger, dhe kisha jetuar me partizanët duke përmbushur urdhrat që më kishte dhënë eprori im. /Telegrafi/ _______________ [1] Fred Brandt: Bei den Partisanen in Albanien, botuar në periodikun Die Nachhut: Informationsorgan für Angehörige der ehemaligen miltärischen Abwehr , Munich, Vol. 23-24 (1973), f. 21-30. Përkthyer nga gjermanishtja nga Robert Elsie.

Reduktime në furnizimin me ujë të pijshëm në Drenas

Reduktime në furnizimin me ujë të pijshëm në Drenas

Komuna e Drenasit ka njoftuar qytetarët se, sipas informatave të pranuara nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, aktualisht po haset në reduktime të furnizimit me ujë të pijshëm në disa zona të komunës. Shkak për këtë situatë është turbullira e krijuar në kanalin e “Ibër Lepencit” pas punimeve teknike, e cila ka ndikuar në procesin e trajtimit dhe shpërndarjes së ujit, përcjell Telegrafi. Nga komuna është bërë e ditur se reduktimet do të zgjasin derisa të stabilizohet niveli i turbullirës dhe të rikthehet normaliteti në sistemin e furnizimit. Komuna ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, duke bërë të ditur se do t’i mbajë ata të informuar për çdo zhvillim të ri në lidhje me situatën. / Telegrafi /

Forcat ukrainase postojnë video që tregon sulmin ndaj bazës së dronëve Shahed në Donetsk, 90 për qind e fluturakeve pa pilot të lëshuar godasin objektivin

Forcat ukrainase postojnë video që tregon sulmin ndaj bazës së dronëve Shahed në Donetsk, 90 për qind e fluturakeve pa pilot të lëshuar godasin objektivin

Forcat e Operacioneve Speciale të Ukrainës kanë publikuar pamje që tregojnë një sulm ndaj një baze ruse për ruajtjen, montimin dhe lëshimin e municioneve Shahed, të vendosura në atë që dikur ishte aeroporti i Donetskut. Aksioni u realizua në Donetskun e pushtuar në mbrëmjen e vonë të 5 nëntorit. Infrastruktura ushtarake ruse ndodhej në territorin e ish-aeroportit ndërkombëtar, transmeton Telegrafi. Shërbimi për shtyp raportoi se mbi 90% e dronëve të lëshuar nga Forcat e Operacioneve Speciale goditën objektivat e tyre. Dëshmitarët okularë kapën një shpërthim të fuqishëm dhe shpërthimin pasues në video. Ky ishte një operacion i përbashkët i kryer nga Forcat e Operacioneve Speciale, operatorët e dronëve dhe njësitë e artilerisë. /Telegrafi/

Përsëritja e zgjedhjeve në Gostivar e Vrapçisht, Gashi në takim me anëtarët e KSHZ-së

Përsëritja e zgjedhjeve në Gostivar e Vrapçisht, Gashi në takim me anëtarët e KSHZ-së

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, sot zhvilloi takim pune me përfaqësuesit e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Siç informojnë nga kabineti i tij, mbledhjen e organizoi Kryetari i Kuvendit në përputhje me nenin 132-a të Kodit Zgjedhor, sipas të cilit duhet të mbahen zgjedhje të përsëritura për kryetarë të komunave Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë dhe Rostush dhe Qendër Zhupë, pasi në këto komuna nuk është përmbushur kushti i nenit 132 paragrafi (2) i Kodit Zgjedhor - që në votime të dalë një e treta e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar në Listën e Zgjedhësve. "Takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive dhe u vlerësua si një qasje pozitive e institucioneve kur bëhet fjalë për çështje me interes kombëtar, në këtë rast konkret të Kuvendit dhe Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Përsëritja e procedurës zgjedhore në katër komunat e përmendura do të jetë më e sigurt pasi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve të vendosë për ankesat e paraqitura, të cilat mund të ndikojnë në shpalljen e përfundimit të rezultateve të Zgjedhjeve Lokale të vitit 2025". "Në fund, të pranishmit shprehën mirënjohje të ndërsjellë për takimin dhe vazhdimin e bashkëpunimit të ndërsjellë për çështje me rëndësi për të dy institucionet si dhe për shtetin në tërësi", thuhet në njoftim./Telegrafi/

Nga vështirësitë personale te kaosi në klubin holandez dhe ofertat, rikthimi i Valon Zumerit: Vitesse klub i madh që synoj ta rikthej në Eredivisie

Nga vështirësitë personale te kaosi në klubin holandez dhe ofertat, rikthimi i Valon Zumerit: Vitesse klub i madh që synoj ta rikthej në Eredivisie

Qendërmbrojtësi kosovar Valon Zumberi ka nisur aventurën e tij te Vitesse, një nga klubet me traditë të madhe në Holandë. Pas një viti shumë të vështirë, ku u përball me një lëndim të rëndë te Hamburg dhe nuk luajti për një periudhë të gjatë, Zumberi vendosi të transferohej te Vitesse, duke zgjedhur një klub me tifozëri të zjarrtë dhe ambient të madh futbollistik. Ky sezon ka qenë sfidues për skuadrën holandeze, e cila fillimisht përjetoi një situatë kaotike. Licenca e klubit u tërhoq nga federata, shumë futbollistë u larguan dhe ekipi u ndëshkua me minus 12 pikë. Megjithatë, Vitesse e rifitoi licencën dhe skuadra ka arritur gradualisht të rimarrë pozitat e saj, duke dalë në plus pas disa ndeshjeve. View this post on Instagram A post shared by VALON ZUMBERI (@valon_zumberi) Ky kontekst e bën aventurën e Zumberit edhe më të rëndësishme, pasi ai ka qenë pjesë e një ekipi që ka luftuar për të stabilizuar situatën brenda klubit. Në një intervistë për Telegrafin, mbrojtësi dardan flet për gjithçka, frikën e mos licencimit, rrezikun që mori për të shkuar te Vitesse, ndeshjet fantastike që po zhvillon në Holandë, ofertat si dhe të ardhmen e tij. 22-vjeçari bëri një hap mbrapa duke shkuar në Eerste Divisie (niveli i dytë në futbollin holandez), por me një qëllim të vetëm, të rikthehet në futbollin elitar në të ardhmen. Zumberi rrëfen për vendimin për të ardhur te Vitesse dhe faktin që e ka zgjedhur këtë klub mbi oferta të tjera. “Pranova të shkoja te Vitesse pas një viti shumë të vështirë për mua. Kisha pësuar një lëndim të rëndë dhe nuk luaja te Hamburg, kështu që oferta e Vitesses më erdhi në kohën e duhur. Kisha disa oferta nga Bundesliga 3, megjithatë zgjodha Vitessen pasi është një klub i madh, me tifozëri të zjarrtë dhe shumë traditë. Gjithashtu rol të madh luajtën edhe trajneri dhe drejtori sportiv që treguan besim të madh në mua", thotë mbrojtësi kosovar për Telegrafin. Ai tregon edhe për situatën kaotike që kishte përjetuar klubi dhe sfidat që e pritnin në fillim të sezonit. “Realisht, fillimisht ka qenë një kaos, pasi nuk dihej se çfarë po ndodhte me klubin. Licenca ishte tërhequr, dhe më vonë klubi e rifitoi atë. Por shumë futbollistë u larguan nga klubi”. Zumberi thekson progresin e skuadrës dhe gjendjen e ekipit pas nisjes së sezonit, ku Vitesse tani ndodhet në plus të pikëve, edhe pse u dënua me minus 12 pikë. “Tani kemi filluar të luajmë, ku kemi qenë të dënuar me 12 pikë nga Federata. Kemi arritur të heqim minusin dhe pas 12 ndeshjeve e rëndësishme është se kemi dalë në plus dhe kemi gjashtë pikë”, vazhdon tutje Zumberi. Ai është shumë i kënaqur edhe me formën e tij personale dhe ambientin te klubi holandez. “Personalisht jam shumë i kënaqur që jam në këtë klub. Vitesse është një klub shumë i madh në Holandë, me një tifozëri shumë të madhe, ku në çdo ndeshje si vendas kemi mbi 20 mijë tifozë të pranishëm. Jam shumë i lumtur edhe me formën time, sepse po luaj çdo ndeshje nga 90 minuta dhe nuk kam më probleme me lëndime”. Objektivat me ekipin janë ambicioze dhe të qarta, pasi synojnë Play-Off-in për tu rikthyer në elitë. “Objektivat me klubin janë që të arrijmë të futemi në Play-Off për inkuadrim në Eredivisie. Realisht, dy pozitat e para janë shumë të vështira, por nëse e arrijmë Play-Off-in, atëherë kemi gjasa. Skuadra po luan shumë mirë, jemi komponuar si ekip dhe jemi një grup me futbollistë të rinj", thotë Zumberi për Telegrafin. Ndërsa objektivat personale lidhen me zhvillimin e karrierës dhe rritjen si futbollist pasi ai ende është në moshë të re. Ai tregon se qysh tani ka klube që janë interesuar për shërbimet e tij. “Sa i përket objektivave personale, qëllimi im është të vazhdoj të rritem edhe më shumë, të luaj rregullisht dhe të bëj një hap përpara në karrierë, qoftë me Vitessen në Eredivisie ose me ndonjë skuadër tjetër. Falë paraqitjeve të mira që kam bërë dhe ndeshjeve të rregullta që kam zhvilluar, menjëherë ka pasur interesim nga skuadra të Bundesliga 2, por edhe nga Superliga e Belgjikës dhe nga Eredivisie. Gjithsesi, unë dua të luaj sa më shumë, të rritem sa më shumë dhe pastaj do të shohim për të ardhmen”, vazhdon tutje Zumberi. Te Vitesse më parë kanë luajtur Milot Rashica dhe Armando Broja, dy futbollistë që kanë lënë gjurmë në këtë klub, derisa Zumberi tregon gjithashtu inspirimin që ka marrë nga bashkëkombësit e tij të njohur. “Rashica dhe Broja janë dy futbollistë që kanë lënë gjurmë te Vitesse. Tifozët vazhdojnë t’i përmendin edhe pas shumë vitesh të kaluara. Sigurisht që më vjen mirë kur flitet mirë për bashkëkombës të mi, dhe qëllimi im është që të ndjek rrugën e Milotit dhe Armandos, të bëj mirë te Vitesse dhe të bëj hapa para në karrierë”. Qendërmbrojtësi dardan ka kaluar të gjitha grupmoshat te Kombëtarja e Kosovës dhe ka qenë kapiten i U21. “Unë kam kaluar të gjitha grupmoshat te Kombëtarja e Kosovës dhe sigurisht që ëndrra ime mbetet të debutoj me Kombëtaren A. Kam shumë punë përpara vetes, të shkoj në një kampionat më të fortë dhe pastaj do të synoj grumbullimin te Kombëtarja A, pasi është një ëndërr e imja që një ditë do ta bëj realitet", përfundoi mbrojtësi dardan. View this post on Instagram A post shared by VALON ZUMBERI (@valon_zumberi) Ish-anëtari i Hamburgut ka kontratë me Vitessen deri në vitin 2027, por në rast se vazhdon me këtë formë të shkëlqyer duket se ai do të bëjë hap para në karrierë pasi tanimë ka interesime nga klube elitare. /Telegrafi/

Kush e mbajti në sirtar? Murati i përgjigjet Bajramit rreth akuzave për buxhetin e Prishtinës

Kush e mbajti në sirtar? Murati i përgjigjet Bajramit rreth akuzave për buxhetin e Prishtinës

Buxheti i Prishtinës ka nxitur sërish një tjetër përplasje në rrjetet sociale mes LVV-së dhe LDK-së. Ishte fillimisht ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati i cili fajësoi LDK-në për mosmiratimin e buxhetit të Prishtinës. Pas kësaj reagoi deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami e cila tha se Murati e ka mbajtur për 46 ditë në sirtar buxhetin e Prishtinës dhe nuk e ka përcjellë për aprovim në Kuvend. Një tjetër reagim ka ardhur sërish nga Hekuran Murati, i cili ka thënë se Bajrami e demantoi edhe vetë që kinse Qeveria nuk e ka përcjellë në Kuvend buxhetin. “Hykmete, u demantuat edhe vetë që Qeveria gjoja nuk e paska përcjellë në Kuvend buxhetin e Prishtinës. Pra e paska përcjellë. Buxheti i Prishtinës nuk e ka kaluar asnjë ditë në sirtar, por sikurse çdo buxhet tjetër, materiali fillimisht verifikohet nëse është në përputhje me legjislacionin nga Departamenti i Buxhetit në MFPT, e pastaj përcillet për miratim në Qeveri e Kuvend. Me logjikën tënde, edhe vetë Përparimi e paska mbajtë në sirtar buxhetin nga data 9 dhjetor deri me datën 17 dhjetor, apo jo?”, ka shkruar Murati. Bajrami i reagon Muratit për buxhetin e Prishtinës: Trego pse e mbajte në sirtar për 46 ditë Murati ka pyetur Bajramin pse nuk po e miratojnë buxhetin. “Shto këtu edhe faktin që materiali është dorëzuar në kohën e festave të fundvitit, dhe gati gjysma e ditëve që paske numëruar ose kanë qenë festa zyrtare ose janë ditë fundjave. Siç e kam sqaruar tash e disa herë, problemi nuk është tek procedurat standarde, por tek vonesa përtej afatit ligjor që ishte 30 shtatori. E madje vonesa ka qenë edhe përtej datës kur ishte miratuar Ligji i Buxhetit në lexim të dytë, me 22 nëntor. Por, e gjitha kjo është e shkuara. Pse nuk po e miratoni tash buxhetin e Prishtinës për vitin 2025 Hykmete?”, ka shkruar tutje Murati. Sipas tij arsyetimi me Komisionet Parlamentare nuk qëndron. “Mund të formohen vetëm Komisionet e Përhershme, për buxhet, legjislacion, integrime, dhe të drejta të komuniteteve. Këto komisione mjaftojnë të trajtohen edhe Buxheti për 2025 për tri komunat, edhe Ligji i Buxhetit 2026, e edhe buxheti për RTK-në”, ka theksuar Murati. /Telegrafi/

Zbulim tronditës në Vjenë, depo armësh e lidhur me Hamasin

Zbulim tronditës në Vjenë, depo armësh e lidhur me Hamasin

Shërbimi i inteligjencës së brendshme austriake ka zbuluar një depo armësh në Vjenë që besohet se është e lidhur me grupin militant palestinez Hamas për përdorim në “sulme të mundshme terroriste në Evropë”, ka njoftuar qeveria e Austrisë. Një shtetas britanik 39-vjeçar, i paidentifikuar, i dyshuar për "lidhje të ngushta me depon e armëve" u arrestua në Londër. "Sipas gjendjes aktuale të hetimit, institucionet izraelite ose hebraike në Evropë ka të ngjarë të jenë objektivat e këtyre sulmeve", shtoi ajo. Depozita e armëve dhe i dyshuari ishin pjesë e një hetimi të koordinuar ndërkombëtarisht nga Drejtoria e Sigurisë Shtetërore dhe Shërbimit të Inteligjencës (DSN) të vendit, "mbi një organizatë terroriste globale me lidhje me Hamasin". Gjatë hetimeve, ministria tha se shërbimi i saj i inteligjencës gjeti "dyshime se një grup ka sjellë armë në Austri për t'i përdorur në sulme të mundshme terroriste në Evropë". "Rasti aktual tregon edhe një herë se Drejtoria për Sigurinë dhe Inteligjencën Shtetërore ka një rrjet të shkëlqyer ndërkombëtar dhe ndërmerr veprime të vazhdueshme kundër të gjitha formave të ekstremizmit", tha Ministri i Brendshëm austriak Gerhard Karner. "Misioni është i qartë: tolerancë zero për terroristët." Agjencia Kombëtare e Krimit në Mbretërinë e Bashkuar konfirmoi se një i dyshuar u arrestua në Londrën qendrore nga oficerë të specializuar nga Njësia Kombëtare e Ekstradimit. Ai po mbahet në paraburgim deri në paraqitjen e tij të radhës në Gjykatën e Magjistraturës në Westminster të hënën e ardhshme. /Telegrafi/

Zelensky mirëpret sanksionet e BE-së, të cilat hyjnë në fuqi sot

Zelensky mirëpret sanksionet e BE-së, të cilat hyjnë në fuqi sot

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka mirëpritur paketën e 19-të të sanksioneve të BE-së, të cilat hynë në fuqi sot. "Kjo është një paketë e fortë. Ajo vepron, në veçanti, kundër eksportit të burimeve dhe skemave ruse për furnizimin e komponentëve elektronikë në Rusi, dhe ndikimi i përgjithshëm në kufizimin e të ardhurave ruse nga paketa e 19-të vlerësohet të jetë të paktën dhjetëra miliardë euro në vit", tha lideri ukrainas Zelensky shtoi se sanksionet e reja po synojnë gjithashtu Rusinë në Arktik, ku ajo po nxirrte burime, transmeton Telegrafi. Ai vazhdoi duke thënë se sanksionet ruse "nuk krijojnë probleme reale", por se "çdo përshkallëzim rus meriton një përgjigje të përshtatshme dhe të prekshme". Zelensky prej fillimisht të pushtimit të vendit të tij nga ana e Rusisë, i ka bërë thirrje perëndimit për sanksione të ashpra ndaj Moskës. /Telegrafi/

Një fundjavë plot “ha ha ha” për shqiptarët në diasporë -  festivali “Shqip Up Comedy” solli të qeshura si asnjëherë tjetër në edicionin e katërt

Një fundjavë plot “ha ha ha” për shqiptarët në diasporë - festivali “Shqip Up Comedy” solli të qeshura si asnjëherë tjetër në edicionin e katërt

Festivali i humorit ‘Zurich Shqip Up Comedy Festival’ u mbajt këtë vit me edicionin e katërt, pas tre edicionesh të mëparshme të suksesshme. Ngjarja u zhvillua më 31 tetor dhe 1 nëntor 2025 në Stadthalle Dietikon të Cyrihut, dhe solli dy net plot humor për të gjithë të pranishmit. Nata e parë – 31 tetor Nën moderimin e Adriana Matoshit dhe Ylber Bardhit, dy artistë dhe aktorë shumë të mirë me sens të shkëlqyer humori, nata e parë nisi me të qeshura që paralajmëruan atmosferën të festivalit. Salla u mbush me të qeshura dhe entuziazëm teksa skenën e morën Ernest Zymberi, Med Sadrija, Edona Reshitaj, Besart Sllamniku dhe Luan Comedy. Edona Reshitaj dallohej me dy role këtë herë: si performuese në stand-up së bashku me Besart Sllamnikun, dhe më pas duke kënduar në After Party-n e natës së dytë, duke treguar shumëanshmërinë e saj artistike. Një moment i veçantë për publikun ishte prezenca e Kryeministrit Albin Kurti, i cili u prit me duartrokitje të ngrohta nga të gjithë të pranishmit, duke shënuar herën e parë që merr pjesë në ‘Shqip Up Comedy Festival’. Për atmosferën muzikore në After Party-n e natës së parë u kujdes TNT Band. Nata e dytë – 1 nëntor Nata e dytë nisi me të njëjtin entuziazëm si nata e parë. Salla ishte plot, dhe publiku priste me padurim të shihte në skenë Shpend Ahmetin, Valina Muçollin dhe Lulzim Bucollin, të cilët sollën një tjetër natë të mbushur me humor dhe energji. T-Romino, përmes një video-mesazhi, paralajmëroi se nuk do të ishte i pranishëm në festival. Në vend të tij, në skenë u paraqit komediani nga Zvicra Fabio Landert. Festivali vazhdoi më pas me një performancë fantastike nga Edona & Band, që ngriti atmosferën edhe më lart. Ernest, ti tashmë je thuajse rregullisht pjesë e festivalit Shqip Up Comedy. Na trego pak si ishte për ty eksperienca këtë vit? Ernest Zymberi : Unë jam prej fillimi të këtij festivali. Ky është festival i jashtëzakonshëm që e bëjnë Riki edhe Albani. Jam prej edicionit të parë, çdo herë që vij, marr shumë dashuri prej këtyre njerëzve, janë te jashtëzakonshëm, na presin tepër mirë, faleminderit përnjëmend. Hiç pa folur, në momentet e para që hymë në skenë, ata na duan jashtëzakonisht shumë. Çfarë ndryshimi ke parë te festivali gjatë viteve? Ernest Zymberi : Fillimisht ka filluar ne Bazel, përveç se kanë ndryshuar kushtet financiare, ka ndryshuar organizimi, profesionalizmi, edhe është krijuar edhe një infastrukturë më e mirë se që ka qenë, një ekipë më e madhe, kanë filluar të zgjerohen, sepse pa ndihmë financiare nuk mund të krijosh ekipë të mirë edhe një skuadër profesionale që mund të bëjnë këtë punë, siç janë duke e bërë. A ka një rritje të interesimit të shqiptarëve për të ndjekur zhanrin stand up komedi? Si zhanër ka marrë hov goxha shumë edhe në Kosovë, edhe në trojet shqiptare në përgjithësi. Mendoj që është një zhanër shumë komod për publikun, edhe ofron një rehati, ofron atmosferë të mirë, të lehtë, është një lloj limonade artistike të cilën publiku e përjeton jashtëzakonisht mirë edhe ne na bën të ndihemi mirë, si zhanër ka munguar goxha shumë dhe ofrojmë diçka tepër të mirë. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili mori pjesë për herë të parë në festivalin “Shqip Up Comedy”, u pyet se si po ndihej dhe si e kishin pritur shqiptarët në këtë ngjarje. Ai për Telegrafin u shpreh: Pas një paradite dhe mesdite shumë të angazhuar ne Prishtinë, erdha me aeroplan në Cyrih, për të parë këtë stand up komedinë, e cila quhet Shqip Up dhe më thanë që, kurgjë nuk qeshesh mirë në Kosovë, çka qeshesh mirë në Zvicër dhe erdha t’i shoh këtu disa prej artistëve tanë që në fakt, edhe po na bëjnë krenarë me punën e tyre, por në të njëjtën kohë janë edhe tejet të këndshëm sepse i bëjnë shqiptarët bashkë edhe i bëjnë ata që të ndjehen shumë mirë. Unë falënderoj organizatorët, shpresoj që, gjithnjë e më shumë shqiptarët që jetojnë në Zvicër, do të mund ta ndjekin Shqip Up, që është një iniciativë që ka gjetur mbështetjen edhe të Ministrisë së Kulturës edhe Të punëve të Jashtme edhe Diasporës në anën tjetër. Të shohim zakonisht në paraqitje serioze. Sa jeni i dhënë pas komedisë? Komedia është një zhanër shumë i vështirë për t’u shkruar. Unë besoj që komedia është më e veshtirë për t’u shkruar se sa drama ose tragjedia, prandaj jam edhe gjithmonë kurioz se aty ku komedia shkruhet mirë, do të thotë që ka talent shumë dhe neve ato nuk na mungojnë, por është ndryshe kur e përjeton në një performancë të gjallë, sikurse kjo në Cyrih sonte. Meqë jeni këtu, a do të thotë se edhe politikanët kanë nevojë për ‘Stand Up Therapy’? Pavarësisht sa mund të ketë humor në politikë, ky humor është i pazëvendësueshëm, jo vetëm për shkak se është po ashtu politik, por edhe për shkak se këta e kanë profesion dhe kujdesen me gjasë për shikuesit ndoshta më shumë se politikanët për qytetarët. Aktorët Edona Reshitaj dhe Besart Sllamniku, të cilët janë të martuar, morën pjesë si çift për herë të parë në “Shqip Up Comedy”. Në intervistë ata u pyetën se si ishte kjo përvojë për ta. Edona: Unë edhe Besarti e kemi edhe një miniserial “Burrë e Gru” që dallon faktikisht me mënyrën e stand up-it, por hera e parë që kemi ardhur si stand up, edhe e kaluan tepër mirë, u kënaqëm, e ndjemë edhe energjinë prej publikut, ishte fantazi. Unë kam qenë vitin e kaluar me muzikë, por e shoh dallimin e organizimit që çdo vjet Shqip Up Festival shkon duke u rritur dhe duke qenë më mirë, e më mirë. I përgëzoj shume dhe i falënderoj shumë, që na kanë ftuar prapë. Besarti: Ka qenë një eksperiencë e mirë sepse edhe për neve ka qenë hera e parë. Ne asnjëherë nuk kemi bërë Stand Up. Ishte një eksperiencë shumë e bukur, u prit mirë, provuam edhe diçka që s’e kemi provuar më herët dhe besoj që nuk do ta lëmë me kaq. Edonë, ti vjen me dy përgjegjësi, si aktore dhe si performuese në after party. Sa të vështirë e ke pasur për t’u përgatitur me të dyja? Edona: Jo, ndoshta më të vështirë e kemi pasur të përgatitemi me Stand Up, sepse e kam një rutinë të zakonshme me performancat live të muzikës, jam shumë aktive në Kosovë në përgjithesi, por natyrisht që më ka vyer përgatitja edhe për atë pjesë, por meqë ndahen dy ditë, nuk është në të njëjtën ditë, e kam njëfarë relaksimi pak më të mirë, mirëpo jam tepër e lumtur që kam ardhur me të dyja thënë të drejtën, se shumica e njerëzve, disa më njohin si këngëtare e jo si aktore, e disa më njohin si aktore e jo si këngëtare, kështu që në këtë edicion do të më shohin në dy profilet e mia. Med Sadrija i pyetur se si e priti publiku shqiptar për herë të dytë, ai u përgjigj: Fenomenal! S’ma ka marrë mendja. Që dy vjet e gjysmë jam stand up komedian dhe vetëm në Austri, Gjermani e Zvicër, dua të them që s’më ka rënë shpesh me shqiptarë, kemi pasë 2-3 në publik, por vetëm shqiptarë si në Shqip Up Comedy Festival, s’me ka rënë kurrë. Ikur verës kur shkojmë, qysh të presin dajtë, ashtu më kanë pritur, shumë jam i gëzueshëm, shumë jam krenar se e vërej se janë duke e kuptuar komedinë, e duan dhe qeshin bashkë me ty. A mendon se kësaj here ke qenë pak më ndryshe se prej herës së parë, a ke vërejtur ndryshim te vetja? Medi: Po, shumë ma konfident kam qenë, kur e kam parë te parin Ernest Zymberin duke qeshur, thashë pse të kem frikë unë, ky eshte publiku im, këta janë njerëzit e mi, këta më kuptojnë, këta e flasin gjuhën, janë rritur si unë, kur flas për “çka m’ka ba nana, çka m’ka ba baba”, krejt e kemi përjetuar njëjtë, për këtë e kam ndier veten shumë mirë, fenomenal. Luan, na tregoni si të priti publiku shqiptar sonte në Shqip Up Comedy? Luani: Ishte fantazi, une si stand up komedian, jam kënaqur, e kam ndier veten shumë mirë, kanë qeshur nonstop dhe fantazi ka qenë. Si po e sheh zhvillimin e zhanrit Stand Up Comedy të komunitetit shqiptar në diasporë? Faktikisht, duhet të pranojmë realitetin, e kemi një problem. Shqiptarit në fillim nuk i pëlqen Stan Up-i, thotë “po e kqyri në internet”, e kam vërejtur eehe ne shfaqjet e mia, kur vinë njëherë, atëherë kënaqen me stand up, pastaj vinë prapë. Por, njëherë është zor, shqiptarët me i ngreh në stand up shoë, amo njëherë kur vinë, i ke përgjithmonë fansa. Lulzim Buçolli tregoi se si e humbi edicionin e vitit të kaluar dhe si ishte kjo herë për të: Më kanë ndalur në kufi, kam dashur të hyj përmes shalterit dhe kufitarin ta grith. Por, e kam ndalur veten, kam thënë vitin tjetër ju tregoj unë. Vec sa e kreva setin tim dhe publik më të mirë s’ka. Ëndërr e kam pasur t’i shoh komedianët të mblidhen dhe të bëjnë komedi, sepse kjo eshte sikur “Crème de la crème”, sendi më i mirë, t’i bësh njerëzit për të qeshur, ne kemi nevojë të qeshim shumë, si shqiptarë që kemi vuajtur shumë, tash kemi nevojë të çelemi krejt, kështu që s’do të ndalemi, po bëjmë festivale, po bëjmë komedi dhe njerëzit po e duan. Sa kemi filluar 5-6 vjetët e fundit, por tash jemi ‘top’. Ndërsa Shpend Ahmeti për përvojën e tij në Shqip Up Comedy tregoi: “Stand Up Comedy për herë të parë këtu, por e kam filluar në festivalin në Gjilan. E kam bërë për babain tim, i cili ka qenë artist. Vitin e ardhshëm bëhen pesë vite që ka ndërruar jetë dhe gjithmonë e kam pasur ëndërr ta bëj këtë, sidomos tani që jam më i lirë për t’u shprehur, pasi nuk jam më në politikë”, tha ai. Ai shtoi se publiku ishte shumë i mirë, edicioni i katërt dhe organizimi po ashtu shumë i mirë. “E realizova ëndrrën time”, theksoi ai. Më tej, Shpendi tregoi se babai i tij i ndjerë, Ali Ahmeti, i kishte thënë të mos bëhej aktor, edhe pse ai e donte shumë artin, sepse mendonte se arti nuk respektohet dhe nuk çmohet sa duhet në Kosovë, kur i vinte ndonjë rol, çante nga gëzimi. Kur hyra në politikë, më tha se është gati njësoj – ‘pak aktrim aty, pak aktrim këtu’”, përfundoi Shpendi duke qeshur. Aktorja e njohur Adriana Matoshi, e cila moderoi festivalin për dy net radhazi, u shfaq plot energji, duke mbajtur publikun të angazhuar dhe duke sjellë të qeshura së bashku me Ylberin. Ajo për Telegrafin u shpreh: “Ishte fantastike! Unë jam për herë të parë, është e vërtetë, por vitin e kaluar kam qenë si mysafire. Kam kaluar tepër mirë, kam qeshur shumë. Sivjet ma kanë bërë ftesën si moderatore, dhe më duket se po më ecën. Publikut i kam pëlqyer shumë, dhe kjo më ka bërë shumë të lumtur. Përnjëmend jam ndier tepër mirë”. Mes politikës dhe artit, ku po e gjen veten më shumë? Adriana: Edhe në art edhe në politikë unë jam shërbyese. Unë i shërbej popullit tim, i bëj të qesh, i bëj të qaj me rolet e mia. Punën si deputete e bëj me nder, me përkushtim të madh me energji të mirë, me vullnet. Aty ku janë zërat që populli im nuk mundet t’i çojë përpara, unë jam zëri i tyre. Kam bërë shumë punë të mira, shumë punë të mbara, shumë punë të drejta dhe jam shumë e lumtur dhe shumë krenare për çdo send që unë e bëj. Duke e ditur se Adrianën e kemi parë në role humoristike, ku ajo e ka bërë shkëlqyeshëm këtë punë, dhe se edhe në jetën reale ka një sens të veçantë humori, ajo e shfaqi këtë edhe gjatë moderimit, duke sjellë momente me plot të qeshura. Adriana: “Unë jam edhe në jetën e përditshme një njeri me humor. E kam një humor timin personal, që më buron nga zemra, dhe nuk ka qenë e vështirë sepse kam qenë vetvetja. Për këtë jam e mirë dhe e suksesshme në çdo gjë që bëj, sepse nuk dal prej vetes, nuk preferoj të dal prej Adrianës. Normalisht, në role dhe në filma e bëj karakterin që më ofrohet, por në jetën e përditshme, në këto gjëra, unë jam vetvetja, dhe për këtë arsye njerëzit më pranojnë. Jam e pranueshme për publikun dhe u pëlqej atyre”. Po ashtu, edhe Ylber Bardhi ka një humor të veçantë dhe ishte personi adekuat për t’iu bashkuar Adrianës në moderim. Ai për Telegrafin tha: “Është një punë që nuk e kam bërë kurrë më herët, edhe për mua ka qenë shumë sfiduese. Kur më kanë ftuar para dy vjetësh të jem pjesë e festivalit si moderator, nuk munda t’i them jo. Me të parën kisha dëshirë, por kisha emocione sepse nuk e kam bërë kurrë; është një lloj përgjegjësie ta moderosh një festival të tillë, me përmasa kaq të mëdha. Kur kam dëgjuar se do të jem bashkë me Adrianën, atëherë pa hezitim kam thënë ‘po, unë do të jem aty’. Unë e dua stand up-in shumë dhe nuk e kam bërë kurrë, në të ardhmen, por nuk e di kur. Në të ardhmen do ta bëj një stand up; kam nevojë unë si aktor të provoj edhe stand up-in”. Hana Ramosaj, menaxhere organizative, tha: “Unë besoj se është diçka që s’ka pasur kurrë më parë. I mbledh krejt shqiptarët bashkë për një gjë që është për kulturë; mblidhen rinia, njerëzit, çdo moshë. T’i bësh të gjithë bashkë në një event si ky festival është diçka shumë, shumë speciale, dhe jam tepër krenare që jam pjesë e këtij festivali”. Themeluesi dhe drejtori i Festivalit, Ridvan Murati, u shpreh: “Përfundoi edhe kjo. Tash jam njeriu më i lumtur, sidomos këtë javë që vjen, sepse ka qenë një punë dhe ngarkesë shumë e madhe, por duke parë që kemi një publik fantastik, duke parë që njerëzit, secili që del jashtë kësaj dere, është i qeshur, kjo na bën të harrojmë lodhjen që e kemi pasur këto muaj, sidomos muajt e fundit. Sigurisht që edhe edicioni i sivjetmë është më ndryshe se tjetri; çdo vit po rritemi, çdo vit po ndryshojmë diçka. Kësaj here, në bord të festivalit kemi ftuar njerëz të fushave të ndryshme, të cilët kanë dhënë një kontribut të madh që të realizohet një gjë e tillë. Ky festival është festivali më i madh në Zvicër, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për zviceranët”. Ai gjithashtu njoftoi se “Shqip Up” do të jetë edhe në disa qytete të tjera dhe se këto befasi do t’i paraqesin shumë shpejt. Zëvendësdrejtori, Alban Hamza, tha: “Është herët të procesojmë gjithë atë që kemi arritur. Natën që kaluam kemi marrë shumë feedback, shumica kanë qenë pozitivë. Po mundohemi të ruajmë standardin, asnjëherë nuk kemi opsion të biem nën standard. Faleminderit Telegrafit, bashkë kemi bërë një punë shumë të mirë gjatë gjithë periudhës. Kur ke në krah një partner medial siç është Telegrafi, sigurisht gjithçka shkon më lehtë”. Edicioni u mbyll me një performancë fantastike nga Edona Reshitaj. /Telegrafi/ - YouTube youtu.be