Drejt përfundimit faza e parë e ujësjellësit për katër fshatra të Prizrenit

Drejt përfundimit faza e parë e ujësjellësit për katër fshatra të Prizrenit

Po vazhdojnë me intensitet punimet në kuadër të projektit “Ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit për fshatrat Krushë e Madhe, Piranë, Zojzë dhe Medvec”, që po realizohet si bashkëfinancim mes Ministrisë së Ekonomisë, KRU “Gjakova” dhe Komunës së Prizrenit. Ky projekt, që synon të sigurojë furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijshëm për banorët e katër fshatrave, është në fazën përfundimtare të fazës së parë të punimeve, përcjell Telegrafi. Sipas marrëveshjes, Ministria e Ekonomisë ka participuar me 700 mijë euro, ndërsa KRU “Gjakova” dhe Komuna e Prizrenit kanë kontribuar secila me nga 300 mijë euro. Ky investim i përbashkët vlerësohet si një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për zonat rurale të Prizrenit, që do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetesës dhe shërbimeve publike për komunitetin lokal. / Telegrafi /

Spiropali pritet ta vizitojë ish-presidentin Hashim Thaçi në Hagë

Spiropali pritet ta vizitojë ish-presidentin Hashim Thaçi në Hagë

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ndodhet për një vizitë zyrtare në Hagë, ku në kuadër të agjendës së saj pritet ta vizitojë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në institucionin e paraburgimit të Gjykatës Speciale. Vizita te Thaçi pritet të zhvillohet gjatë ditës së sotme dhe vjen në kuadër të qëndrimit zyrtar të Spiropalit në Holandë, që përfshin edhe takime me përfaqësues të lartë të shtetit holandez, shkruan TCH. Gjatë vizitës në Hagë, Spiropali do të takohet me Ministrin e Jashtëm të Holandës, David van Weel, me të cilin do të nënshkruajë një deklaratë të përbashkët për forcimin e partneritetit dhe mbështetjen për integrimin evropian të Shqipërisë. Ministrja shqiptare do të mbajë gjithashtu një leksion të hapur në Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Hagës, ku do të diskutojë me studentët dhe akademikët mbi angazhimet e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në përfundim të vizitës, Spiropali do të takohet edhe me rrjetin e profesionistëve të rinj shqiptarë që jetojnë në Holandë, në mjediset e Ambasadës shqiptare në Hagë. /Telegrafi/

Taravari: Me rezultatet e djeshme a fituan shqiptarët?

Taravari: Me rezultatet e djeshme a fituan shqiptarët?

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka reaguar pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, duke e pranuar rezultatin si një përgjigje të qartë nga qytetarët, por edhe duke shprehur reflektim për ecurinë e koalicionit “Aleanca Kombëtare për Integrim” (AKI). Taravari në profilin e tij në Facebook shkruan se qartazi përzgjedhja e disa kandidatëve ishte dashur të mendohej më mirë në disa komuna. Dje, në raundin e dytë të votimeve ne morëm një përgjigje të qartë nga rezultatet. Faleminderit të Gjithëve! Dua të përgëzoj të gjithë kandidatët tanë të AKI-t për garën e ndershme dhe dinjitoze që patën. Ashtu si ata bashkohem në urimin për fitore të gjithë kandidatëve që fituan! Ne si koalicion kemi më shumë vota popullore por nuk kemi kryetarë. Qartazi përzgjedhja e disa kandidatëve ishte dashur të mendohej më mirë në disa komuna. Gjithsesi në Gostivar dhe Vrapçisht qëlluam në shenjë, aty jemi fitues dhe kjo fitore është jo thjesht lokale, por aty fituam kundër një shteti që na mban peng me census. Gjithsesi këto janë çaste të gëzuara me të drejtë për fituesit, janë çaste të vështira me të drejtë për ata që nuk ia dolën, janë çaste zemërimi për ata që u tradhëtuan, janë çaste qesharake për disa don kishotë që janë me grupin fitues vetëm sepse tradhëtuan, por me pak fjalë shumica është nën emocion dhe emocioni nuk lejon qartësi", shkruan Taravari. Ai në fund shtron edhe një pyetje se në këto zgjedhje a kanë fituar shqiptarët?. "Mua më ndihmon profesioni im të jem racional dhe i ftohtë përballë fakteve, dhe kam një pyetje: Me rezultatet e djeshme a fituan shqiptarët?! Edhe për ata që nuk e dinë përgjigjen, koha do ta tregojë fatkeqësisht shumë shpejt!", shton Taravari./Telegrafi/

PDK ka marrëveshje për koalicion edhe me AAK-në në Mitrovicë para balotazhit

PDK ka marrëveshje për koalicion edhe me AAK-në në Mitrovicë para balotazhit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës pritet ta nënshkruajnë sot marrëveshjen e koalicionit për balotazhin në Komunën e Mitrovicës. Qazim Nimani nga AAK ka konfirmuar për Telegrafin se kjo parti do ta mbështes kandidatin e PDK-së, Arian Tahiri, në garën për kryetar të Mitrovicës, që do të zhvillohet më 9 nëntor, përballë Faton Pecit nga Lëvizja Vetëvendosje – Guxo. "Po kemi marrëveshje, derisa marrëveshja për koalicion do të nënshkruhet në ora 13:00", tha kreu i AKK-së në Mitrovicë Kujtojmë se PDK ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi edhe me LDK-në në Mitrovicë, ndërsa AKR dhe KDTP kanë bërë të ditur mbështetjen e tyre për kandidatin Tahiri në këtë balotazh. / Telegrafi /

Treni del nga shinat në Angli, evakuohen udhëtarët

Treni del nga shinat në Angli, evakuohen udhëtarët

Një incident i rëndë ka ndodhur në Cumbria të Anglisë këtë mëngjes, pasi një tren pasagjerësh doli nga shinat. Shërbimet e emergjencës janë në vendngjarje dhe rreth 85 pasagjerë dhe stafi janë evakuuar në mënyrë të sigurt. Raportet fillestare sugjerojnë se askush nuk është lënduar rëndë, me katër pasagjerë me lëndime të lehta. Aksidenti ndodhi me trenin Avanti West Coast, që udhëtonte nga Glasgou për në Londër, i cili doli nga shinat midis Penrith North Lakes dhe Oxenholme në Lake District, pranë fshatit Shap. Policia Britanike e Transportit konfirmoi se lokomotiva kishte dalë nga shinat, por për fat të mirë mbeti në këmbë. Network Rail, kompania përgjegjëse për infrastrukturën hekurudhore konfirmoi se një hetim është duke u zhvilluar. Ndryshe, aksidenti ka mbyllur të gjitha linjat në veri të Prestonit, duke shkaktuar ndërprerje të mëdha në shërbimet hekurudhore. /Telegrafi/

Drafti i Raportit të Progresit për Kosovën: Përparim i kufizuar për shkak të ngërçit politik

Drafti i Raportit të Progresit për Kosovën: Përparim i kufizuar për shkak të ngërçit politik

Përparimi i Kosovës në agjendën e Bashkimit Evropian është penguar nga politikat e brendshme përçarëse dhe nga ngërçi politik pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, pavarësisht se Kosova është e përkushtuar në rrugën evropiane, me nivel të lartë të mbështetjes publike. Kështu thuhet në një draft të Raportit të Progresit në pjesën për Kosovën për vitin 2024, të cilin e ka siguruar Radio Evropa e Lirë. BE-ja i përpilon këto raporte për vendet që synojnë anëtarësimin në bllokun evropian. Kosova, për dallim prej vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, nuk e ka statusin e vendit kandidat, ndonëse ka aplikuar për anëtarësim në dhjetor të vitit 2022. Në dokument përmendet se Kosova e ka përshtatur në mënyrë vullnetare politikën e saj të jashtme me atë të Bashkimit Evropian, çka sinjalizon përkushtim të qartë për vlerat e BE-së, veprim shumë i mirëpritur. Mes tjerash në draft-raport përmendet se Komisioni Evropian i ka marrë hapat e parë drejt heqjes graduale të masave ndëshkuese. Kosova ishte ndëshkuar me masa prej BE-së në verën e vitit 2023, meqë blloku kishte vlerësuar se autoritetet kosovare nuk kishin bërë mjaftueshëm për t’i parandaluar trazirat që patën shpërthyer në veriun e banuar me shumicë serbe. “Hapat tjerë do të varen nga shtensionimi i vazhdueshëm në veri. Komisioni synon t’i heqë masat financiare kur të ketë transferim të rregullt të qeverisjes lokale në veri, pas zgjedhjeve të mbajtura”. Në zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor, katër komunat me shumicë serbe në veri – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok - i ka fituar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar. Këto komuna janë udhëhequr nga shqiptarët prej vitit 2022, kur kryetarët serbë dhe serbë tjerë kishin hequr dorë nga institucionet e Kosovës, si shenjë proteste për disa vendime të marra nga Qeveria e Kosovës. Një raport i publikuar në maj nga Instituti për Studime të Avancuara GAP në Prishtinë ka nxjerr në pah se masat ndëshkuese të BE-së i kanë kushtuar Kosovës rreth 613.4 milionë euro për projekte të pezulluara ose të shtyra për një afat të pacaktuar. Nga kjo shumë, 7.1 milionë euro janë humbur tërësisht, ndërsa sektorët më të prekur janë: mjedisi, energjia, digjitalizimi dhe kultura. Në draftin e raportit të BE-së është përmendur edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga vetë blloku. Dyja vendeve u kërkohet që t’i zbatojnë të gjithë obligimet që dalin nga Marrëveshja për normalizim marrëdhëniesh, të arritur më 2023 dhe aneksin e zbatimit, të arritur po atë vit. Kosovës i kërkohet të angazhohet në gjetjen e zgjidhjeve afatgjata që të gjitha komunitetet të kenë qasje në shërbime publike bazike, në përputhje me obligimet e dialogut të nisur qysh më 2011. Dialogu në nivelin e lartë është zhvilluar për herë të fundit në shtator të vitit 2023, ndërsa në nivel teknik palët janë takuar disa herë, por pa arritur ndonjë marrëveshje. Kritikat ndaj Serbisë Në pjesën për Serbinë përmendet se ky vend, ndonëse i ka hapur 22 prej 35 kapitujve në kuadër të negociatave për anëtarësim, ai duhet të marrë më shumë përgjegjësi për komunikim më proaktiv dhe objektiv në procesin e anëtarësimit dhe që duhet ta shmangë retorikën kundër BE-së. “Polarizimi i shoqërisë serbe është thelluar për shkak të protestave masive që janë organizuar nga studentët dhe qytetarët tjerë prej nëntorit të vitit 2024, duke reflektuar zhgënjimin e qytetarëve lidhur me çështje si korrupsioni dhe perceptimi për mungesë të transparencës dhe llogaridhënies, shoqëruar me raste të përdorimit të tepruar të dhunës kundër protestuesve si dhe presionit ndaj shoqërisë civile”. Mes tjerash, Serbia është kritikuar për mospërshtatje të politikës së saj të jashtme me atë të BE-së, andaj i është kërkuar që të përafrohet me bllokun. “Sigurimi i shpejtë i të drejtave të udhëtimit pa viza në BE për shtetasit e Rusisë duke u dhënë atyre shtetësi serbe, paraqet rreziqe potenciale sigurie për BE-në”, është përmendur gjithashtu në raport. Serbia është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk i ka vënë sanksione Rusisë për luftën e nisur në Ukrainë, dhe vazhdon të kultivojë lidhje të ngrohta me Moskën. Serbia është kritikuar edhe për tentimet për të zvogëluar pavarësinë e gjyqësorit, çka më pas minon sundimin e ligjit dhe demokracinë, si dhe për kufizimet në liritë e tubimit dhe shprehjes. Përparimi i shpejtë i Shqipërisë Bashkimi Evropian përmend se procesi i zgjerimit është duke u zhvilluar me ritmin më të shpejtë në 15 vjetët e fundit, dhe që prej fillimit të vitit 2024 janë zhvilluar 11 konferenca ndërqeveritare - prej tyre pesë vetëm me Shqipërinë. Shqipëria përmendet për përparim të madh në reforma, dhe që ky vend ka arritur me shpejtësi të pashembullt që t’i hapë negociatat në pesë grupe kapitujsh. “Kjo e reflekton përkushtimin e madh të Shqipërisë. Shqipëria ka vazhduar të shënojë përparim në reforma, veçanërisht në reformën gjithëpërfshirëse në drejtësi dhe me përfundimin e procesit të vettigut”, përmendet në draft-raport, pa harruar edhe rezultat e Prokurorisë Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në rastet kundër korrupsionit, bashkëpunimin aktiv ndërkombëtar kundër krimit të organizuar dhe zhvillimin e kapaciteteve për hetime financiare. Mes tjerash përmendet se Shqipëria tashmë e ka shprehur ambicien për t’i mbyllur të gjitha negociatat për anëtarësim më 2027 dhe që Komisioni Evropian është i përkushtuar në mbështetjen e shteteve në plotësimin e kushteve që janë të domosdoshme për anëtarësim në BE, dhe që procesi bazohet vetëm në parimin e meritave. Sa u përket vendeve tjera të Ballkanit, në raport përmendet edhe përparimi i dukshëm i Malit të ZI. Mali i Zi përshkruhet si vendi që ka arritur përparimin më të madh në procesin e anëtarësimit në BE me hapjen e pothuajse të gjithë kapitujve të nevojshëm dhe mbylljen e shtatë prej tyre. Si Shqipëria, ashtu edhe Mali i ZI, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje-Hercegovina janë lavdëruar për përputhjen e politikës së jashtme me atë të bllokut evropian. Në pjesën për Maqedoninë e Veriut përmendet se ky shtet ende nuk i ka miratuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese për t’i përfshirë në Kushtetutë edhe banorët që jetojnë në zonat kufitare dhe e identifikojnë veten me shtetësi tjera, përfshirë atë bullgare. Sipas draftit të raportit, autoritetet maqedonase kanë vazhduar të punojnë për të shënuar përparim në fushën e sundimit të ligjit, në reformën e administratës publike, funksionimin e institucioneve demokratike dhe mbrojtjen e minoriteteve. “Maqedonia e Veriut duhet t’i intensifikojë përpjekjet për mbështetje të sundimit të ligjit, sidomos për ruajtje të pavarësisë dhe integritetit të gjyqësorit, si dhe të rrisë luftën kundër korrupsionit". Në pjesën për Bosnje-Hercegovinën, përmenden tensionet e brendshme gjatë gjithë vitit 2024 për shkak të veprimeve të Republikës Sërpska – entitetit serb – përfshirë miratimin e ligjeve që më pas janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese vendore. “Vendi duhet të ndërmarrë hapa relevantë për të mbajtur konferencën e parë ndër-qeveritare, duke nisur me miratimin e reformës në drejtësi dhe emërimin e një shefi negociator”. Sa u përket vendeve tjera që synojnë BE-në, janë lavdëruar përparimet e Moldavisë dhe Ukrainës, megjithëse po përballet me pushtimin rus, ndërsa është kritikuar Gjeorgjia për kthimin e madh mbrapa. Kritika ka pasur edhe për Turqinë, vend që e ka statusin e vendit kandidat prej vitit 1999. BE-ja ka vlerësuar se sfidat gjeopolitike në përgjithësi e kanë përforcuar idenë e një Evrope të bashkuar dhe që evropianet duhet të bëjnë më shumë për t’i mbrojtur vlerat e tyre. “Kjo mund të arrihet vetëm duke punuar ngushtë me fqinjët tanë për të krijuar një Evropë të fuqishme, stabile, të sigurt dhe të bashkuar, bazuar në vlerat e përbashkëta demokratike. Në botën e sotme, politika e zgjerimit është mjeti kryesor gjeopolitik që kontribuon në siguri dhe prosperitet të përbashkët”, është thënë mes tjerash në draft-raport. Në këtë drejtim, në dokument është theksuar se teksa vendet e ardhshme anëtare përgatiten për përgjegjësitë e anëtarësimit, BE-ja duhet të mësohet me një familje më të madhe, dhe të punojë në kryerjen e detyrave të nevojshme. Kroacia është vendi i fundit që është anëtarësuar në bllokun evropian, më 2013. /REL/

Një fëmijë është goditur nga vetura në Tetovë, shoferi largohet nga vendi i ngjarjes

Një fëmijë është goditur nga vetura në Tetovë, shoferi largohet nga vendi i ngjarjes

SPB Tetovë njofton se dje ka ndodhur një aksident në rrugën "Bllagoja Toska", ku një automjet ka goditur një fëmijë dhe pastaj është larguar nga vendi i ngjarjes. "Më datë 02.11.2025 në orën 16:00 në SPB Tetovë është denoncuar se në bulevardin „Bllagoja Toska“ në Tetovë, një automjet i pasagjerëve ka goditur një fëmijë shtatëvjeçar-këmbësor nga Tetova, pas çka shoferi me automjet është larguar nga vendi i ngjarjes. Në aksident i mituri ka pësuar lëndime të rënda trupore, të konstatuara në Spitalin Klinik Tetovë. Është kryer këqyrje nga ekipi i SPB Tetovë dhe po ndërmerren masa për gjetjen e shoferit dhe për zbardhjen e plotë të rastit", thonë nga SPB Tetovë./Telegrafi/

Favoritët lëshuan pikë: Ky është formacioni i javës në Superligë

Favoritët lëshuan pikë: Ky është formacioni i javës në Superligë

Si çdo javë, redaksia e Telegrafit ka zgjedhur formacionin më të mirë të javës në Superligën e Kosovës. Xhiro e 12-të në elitën e futbollit kosovar ishte më e qetë, ku favoritët lëshuan pikë, përpos Dritës, si dhe kishte pak gola. Këtë herë në formacionin e javës, kanë zënë vend shumica e lojtarëve nga ekipe të ndryshme edhe shkaku i rezultateve. Formacioni më i mirë i javës : Avdyli; Limani, Bejtullai, Da Silva; Hasanaj, Llabjani, Boshnjaku, Sheji; Brruti; Hamidi, Haxhimusa. Yll Bakaj, i cili zëvendësoi trajnerin Skënder Ulluri shkaku që ishte i suspenduar, edhe e fitoi çmimin “Trajneri i javës”./ Telegrafi /

KRU “Hidrodrini” u bën thirrje konsumatorëve të nënshkruajnë kontratat për shërbimet e ujit

KRU “Hidrodrini” u bën thirrje konsumatorëve të nënshkruajnë kontratat për shërbimet e ujit

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” Sh.A. ka njoftuar të gjithë konsumatorët në zonën e mbulueshmërisë së saj se nënshkrimi i kontratës për shërbimet e ujit është obligim ligjor dhe një garanci për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve. Në njoftim thuhet se të gjithë konsumatorët që ende nuk e kanë nënshkruar kontratën, ftohen ta bëjnë këtë në zyrat përkatëse të kompanisë në Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik. Kompania sqaron se nënshkrimi i kontratës nuk nënkupton pranim të borxhit të mëparshëm, por përbën një hap të rëndësishëm për rregullimin e marrëdhënieve kontraktuale dhe për sigurimin e shërbimeve të rregullta të ujit në përputhje me legjislacionin në fuqi. “Nënshkruaj kontratën – siguro shërbimin tënd të ujit!”, theksohet në komunikatën e KRU “Hidrodrini”. / Telegrafi /

KRU “Hidrodrini” u bën thirrje konsumatorëve të nënshkruajnë kontratat për shërbimet e ujit

KRU “Hidrodrini” u bën thirrje konsumatorëve të nënshkruajnë kontratat për shërbimet e ujit

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” Sh.A. ka njoftuar të gjithë konsumatorët në zonën e mbulueshmërisë së saj se nënshkrimi i kontratës për shërbimet e ujit është obligim ligjor dhe një garanci për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve. Në njoftim thuhet se të gjithë konsumatorët që ende nuk e kanë nënshkruar kontratën, ftohen ta bëjnë këtë në zyrat përkatëse të kompanisë në Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik. Kompania sqaron se nënshkrimi i kontratës nuk nënkupton pranim të borxhit të mëparshëm, por përbën një hap të rëndësishëm për rregullimin e marrëdhënieve kontraktuale dhe për sigurimin e shërbimeve të rregullta të ujit në përputhje me legjislacionin në fuqi. “Nënshkruaj kontratën – siguro shërbimin tënd të ujit!”, theksohet në komunikatën e KRU “Hidrodrini”. / Telegrafi /

Paraqitjet e tij nën pritshmëri, David mund të largohet nga Juventusi

Paraqitjet e tij nën pritshmëri, David mund të largohet nga Juventusi

Gazetari belg Sacha Tavolieri raporton se e ardhmja e Jonathan David te Juventusi është vënë nën vëzhgim të afërt, pas një fillimi të vështirë të sulmuesit kanadez në Torino. David është paraqitur në 11 ndeshje këtë sezon, ku ka arritur të shënojë vetëm një gol dhe të regjistrojë një asist, duke luajtur rreth 51% të minutave të mundshme. Performanca e tij nën pritshmëritë ka ngritur dyshime në klub për rolin dhe të ardhmen e tij afatgjatë. Sipas raportimeve, përfaqësuesit e lojtarit kanë nisur kontakte me disa klube të tjera evropiane për të eksploruar mundësi transferimi në merkaton e janarit. Ndër të interesuarit për situatën e tij janë Tottenham Hotspur dhe Bayern Munich, që kanë kërkuar informacion në lidhje me një transferim të mundshëm dimëror. Nëse kanadezi nuk arrin të përmirësojë ndikimin e tij në fushë, drejtuesit e Juventusit mund të marrin në konsideratë një largim të parakohshëm, duke e bërë të ardhmen e tij në Torino shumë të pasigurt. /Telegrafi/

Britney Spears fshin Instagramin pas postimeve të çuditshme dhe përplasjes me ish-bashkëshortin

Britney Spears fshin Instagramin pas postimeve të çuditshme dhe përplasjes me ish-bashkëshortin

Britney Spears ka fshirë llogarinë e saj në Instagram pas një serie postimesh të çuditshme që shqetësuan fansat dhe një përplasje publike me ish-bashkëshortin, Kevin Federline. Llogaria e këngëtares 43-vjeçare nuk është më e aksesueshme dhe shfaq mesazhin “profili mund të jetë hequr”. Së fundmi, Spears kishte ndarë video ku kërcente me mavijosje të dukshme në krahë dhe bënte komente misterioze për djemtë e saj, Jayden, 19 vjeç, dhe Sean Preston, 20 vjeç, shkruan DailyMail. Ajo gjithashtu pretendoi për një dëmtim të tmerrshëm në këmbë dhe një dëmtim në tru, duke shqetësuar ndjekësit. Lajmi vjen pas pretendimeve tronditëse të Federline në kujtimet e tij, ku akuzon Spears për sjellje të papërshtatshme ndaj fëmijëve dhe rrezikim të tyre gjatë viteve kur ai kishte kujdestarinë e plotë. Ai sfidon idenë e përhapur se kujdestaria 13-vjeçare e Spears ishte e padrejtë, duke e paraqitur atë si një periudhë që solli stabilitet. Ndërkohë, Spears ka përdorur Instagramin për të shprehur dhimbjen e saj për marrëdhënien me fëmijët dhe ngacmimet e ish-bashkëshortit, duke i lënë fansat të shqetësuar për gjendjen e saj emocionale dhe fizike. /Telegrafi/

Trump thotë se Rusia dhe Kina kanë testuar fshehurazi armë bërthamore

Trump thotë se Rusia dhe Kina kanë testuar fshehurazi armë bërthamore

Presidenti Donald Trump pretendoi të dielën se vende, përfshirë Rusinë dhe Kinën, kanë kryer teste bërthamore nëntokësore të panjohura për publikun dhe se Shtetet e Bashkuara do të ndjekin një shembull të tillë. "Rusia po teston, Kina po teston, por ata nuk flasin për këtë", tha ai për programin "60 Minutes" të CBS, në një intervistë të publikuar të dielën, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi. "Nuk dua të jem i vetmi vend që nuk teston", tha ai, duke shtuar Korenë e Veriut dhe Pakistanin në listën e kombeve që dyshohet se testojnë arsenalet e tyre. Siç theksojnë mediat, konfuzioni ka rrethuar urdhrin e Trump që Shtetet e Bashkuara të fillojnë testimet, veçanërisht nëse ai nënkuptonte kryerjen e shpërthimit të parë bërthamor të vendit që nga viti 1992. Republikani 79-vjeçar bëri njoftimin e tij të papritur me anë të një postimi në mediat sociale të enjten, pak minuta para se të hynte në një samit me udhëheqësin kinez Xi Jinping në Korenë e Jugut. Njoftimi erdhi pas deklaratës së Rusisë se kishte testuar një raketë të re me energji bërthamore, Burevestnik, dhe një dron nënujor me energji bërthamore. I pyetur drejtpërdrejt nëse planifikonte që Shtetet e Bashkuara të shpërthenin një armë bërthamore për herë të parë në më shumë se tre dekada, Trump i tha CBS: "Po them se do të testojmë armë bërthamore siç bëjnë vendet e tjera, po". /Telegrafi/